Meta: Kundër ndryshimit të kufijve mbi baza etnike, duhet dialog efektiv, jo fiktiv

0
132

Presidenti i republikës Ilir Meta, është kthyer të flasë sërish mbi idenë e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë intervistës në emisionin ‘I Ftuari’ në ‘A2 News’, kreu i shtetit shqiptar ka deklaruar sdërish se ëhstë kundër ndryshimit të kufijve mbi baza etnike. Ai tha se duhet dialog efektiv për arritjen e marrëveshjes.

Pjesë nga intervista:

Gazetari: Dalim pak jashtë Shqipërisë. Kemi një situatë në Kosovë për shkak të një takse 100% për prodhimet që Kosova importon nga Serbia. Si e gjykoni këtë vendim të qeverisë së Kosovës, që është marrë si një kundërpërgjigje e problemeve tarifore që Serbia i ka vendosur Kosovës? Të paktën sipas deklarimeve më të fundit të kryeministrit Ramush Haradinaj.

Presidenti Meta: Në vlerësimin tim është e domosdoshme që dialogu midis Serbisë dhe Kosovës të jetë i vërtetë. Të mos jetë fiktiv. Sikurse rezulton, për fat të keq, që ka qenë për një kohë të gjatë. Dhe të dyja palët të krijojnë vullnetin pozitiv për të njohur realitetin e njëra-tjetrës dhe njëkohësisht për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare asaj situate, në të cilën ndodhen shumë qytetarë. Pavarësisht nga përkatësia etnike, serbe apo shqiptare, për shkak të këtyre marrëdhënieve.

Gazetari: Vendimi i drejtë apo i padrejtë i marrë në kushtet e kësaj negociate?

Presidenti Meta: Ky është një vendim që duhet kuptuar në kontekstin e kësaj që unë thashë. Pra, që kemi patur një dialog joefektiv, i cili duhet të kishte sjellë një progres tjetër në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe që do të duhet që ky dialog sa më shpejt të fillojë të jetë efektiv dhe të dy palët të tregojnë një vullnet reciprok.

Gazetari: A keni një koment për një “tweet”, të para disa ditëve të Vuk Jeremiç, i cili e sheh taksën si një “pazar” të një takimi të mbajtur në datën 4 nëntor në Romë mes presidentëve Vuçiç dhe Thaçi?

Presidenti Meta: Nuk mund të bëj asnjë diskutim mbi një akuzë, apo informacione të kujtdo qoftë. Për mua si President i Republikës së Shqipërisë është e rëndësishme që ky dialog midis Serbisë dhe Kosovës të jetë efektiv, të jetë i përgjegjshëm, të jetë transparent dhe të sjellë efekte pozitive për qytetarët e të dyja vendeve dhe për gjithë rajonin.

Gazetari: Zoti President, nëse nuk ka qenë efektiv, sikurse ju sapo thatë, është për shkak të mungesës së sinqeritetit nga ana serbe, për shkak të paaftësisë së Presidentit Thaçi për ta zhvilluar dialogun siç duhet? Kujtoj që në Kosovë ka lindur nevoja për miratimin e një grupi negociator, apo për shkak të mënyrës sesi zonja Mogherini, e cila është në fund të mandatit të saj e ka zhvilluar këtë dialog?

Presidenti Meta: Arsyet nuk janë të rëndësishme për t’u shprehur nga ana ime, sesi unë i mendoj. Fakti është që dialogu është zhvilluar jashtë një atmosfere për dialog. Pra, takime ka patur në mënyrë të vazhdueshme apo të herëpashershme, por ndërkohë si reagimi për marrëveshjet e arritura dhe si deklarimet në vijimësi, nuk kanë qenë në frymën e dialogut dhe të vullnetit për t’i dhënë sukses këtij dialogu sa më shpejt.

Gazetari: Si e shikoni situatën në veri të Kosovës, zoti President?

Presidenti Meta: Situata në veri të Kosovës unë mendoj që është e qartë. Serbia nuk i ka bërë të gjitha përpjekjet e duhura, kjo do ishte shprehja më e përmbajtur nga ana ime, për t’i inkurajuar dhe në kuadër të dialogut të saj me Kosovën, serbët e Kosovës për të marrë pjesë në institucionet e Kosovës. Acarimi artificial i kësaj situate është i papranueshëm dhe nuk mund të legjitimojë asnjë veprim të njëanshëm në të ardhmen nga askush.

Gazetari: Ekziston ndonjë rrezik, a i druheni ndonjë skenari ukrainas, shkëputje e veriut?

Presidenti Meta: Është tepër e rëndësishme për të kuptuar që Ballkani Perëndimor është pjesë e Europës dhe duhet të jetë në mënyrë integrale pjesë e Bashkimit Europian dhe nuk mund të jetë kurrsesi një hapësirë, ku mund të bëhen eksperimente, të cilat përdoren më pas si precedent në rajone të tjera.

Gazetari: Ndryshimi i kufijve atëherë mes Kosovës dhe Serbisë, do të ishte i mundur qoftë edhe i negociuar? Ju jeni shprehur kundër, po kam parasysh intervistën më të fundit të zotit Thaçi për “Zërin e Amerikës”.

Presidenti Meta: Unë kur mbaj qëndrimet e mia i referohem qëndrimeve të Republikës së Shqipërisë dhe qëndrimet e saj kanë qenë dhe janë të qarta e të kristalta e të parishikuara nga asnjë institucion në vend, përfshi edhe Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Shqipëria është kundër idesë së ndryshimeve të kufijve, se Shqipëria është për heqjen e kufijve në Ballkan, ashtu si në Bashkimin Europian.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here