Nga Shezai Rrokaj:
Qeveria e kapur në panik prej protestës studentore. I kapur prej panikut të protestës studentore kryeministri nuk di ç’thotë: Ja se si shprehet: “Thjesht e vërteta. 1. Tarifat s’i përcakton ministria po universiteti
2. Asnjë tarifë s’është rritur nga 2014
3. VKM për tarifën e mbetësve është kërkuar nga universitetet
4. Efekti i VKM nis vitin tjetër
5. Ministria u ka sugjeruar sot universiteteve të konsiderojnë rishikimin e VKM”. Së pari, kur tarifat me ligj i përcakton dhe i miraton universiteti përse tarifa për kredite ka dalë me VKM në muajin maj? A ka shkelje ligjore këtu? Së dyti, kur prej vitit 2014 nuk ka ‘rritje tarifash’ kjo tregon se asokohe qeveria ka qenë dakord me këto tarifa dhe i ka miratuar sipas ligjit të mëparshëm, i cili këtë të drejtë ia njihte asaj, ndryshe nga ligji aktual i 2015-ës, që këtë të drejtë ua njeh IAL-ve. Këto të fundit nuk i kanë ndryshuar tarifat, duke respektuar tavanin e vendosur nga Qeveria. Së treti, kur të drejtën për të miratuar tarifat e kanë universitetet ç’punë ka ministria përgjegjëse t’u drejtohet atyre për ta rikonsideruar tarifën në fjalē? Së katërti, çfarë logjike është kjo kur thuhet se nuk e keni këtë vit tarifën (pra , kot protestoni), por pa merak do ta keni vitin tjetër? Pra, prisni të protestoni pas janarit?! E gjithë kjo që po ndodh ka një përfundim: papërgjegjshmëri, anarki kompetencash dhe lojë kumbulleshkash midis Qeverisë dhe IAL-ve, ku Qeveria bën lojën e strucit, duke mos u përgjigjur sy më sy se përse subvencionimi për arsimin nuk është 5% e PBB-së, si vendet e OECD-së, por vetëm 3,2%, e ku viktimat e këtij mosfinancimi janë studentët? Si një drejtues me përvojë unë jam i sigurtë se IAL-të i ulin menjëherë tarifat nëse Qeveria e kompenson me rritjen e financimit nga buxheti. Po, po. Kaq e thjeshtë është e vërteta.