INTERVISTA/ Studentët në shesh, Kastriot Çipi: E keqja nuk krasitet, por shkulet me rrënjë. Po kërkojnë shumë pak

0
283

 

Protesta

 

Studentët në shesh, Kastriot Çipi: E keqja nuk krasitet, por shkulet me rrënjë. Po kërkojnë shumë pak

 

“Ata që thërrasin “Nuk duam politikë” janë ose fresshistë, pra votues të “rilindjes”, ose frikacakë! Lëvizja nuk është partiake dhe duhet të mbetet jopartiake, por ajo është dhe duhet të mbetet politike”

 

Intervistoi: Klea Neli

 

Në një intervistë për gazetën “Standard”, regjisori i njohur Kastriot Çipi foli rreth protestës të studentëve, problematikatve tyre dhe katër kërkesat që ata i kanë paraqitur ministres së arsimit, Lindita Nikolla. Rreth kësaj proteste që ka pushtuar kryeqytetin, Çipi u shpreh se është diçka që ai e priste prej kohësh dhe diçka që duhet të ndodhte prej kohësh. Përsa i përket katër pikave që studentët kërkojnë të zbatohen, regjisori u shpreh se për të janë pak. “Situata e krijuar nuk është pasojë e një VKM-je, madje as vetëm e qeverisjes në këtë mandat. Shkaku është Ligji për Arsimin e Lartë dhe kryeshkaku është sistemi politik që kemi krijuar me ndryshimet kushtetuese të 2008-s dhe 2016-s”- u shpreh Çipi. Ndër të tjera ai shtoi se arsimi në vend ështe shumë hapa prapa. Regjisori shtoi dhe disa pika kryesore  që duhet të ndërmarrë ministrja e arsimit.

 

 

  1. Si e komentoni ju protestën e studentëve?

 

E kam pritur prej kohësh. Është e vonuar, por jo më kot themi “Më mirë vonë, se kurrë.”. Për këtë arsye shkova qysh ditën e parë dhe fola. Mendoj se duhet ta mbështesim të gjithë, por nga ana tjetër, mendoj edhe se studentët duhet të solidarizohen me të gjithë grupet e margjinalizuara dhe kauzat qytetare të shoqërisë. Nëse kjo nuk ndodh, edhe qytetarët e tjerë do ta braktisin protestën studentore.

 

  1. Cili është qëndrimi juaj lidhur me katër kërkesat e studentëve?

 

Po, por mendoj se po kërkojnë shumë pak. Situata e krijuar nuk është pasojë e një VKM-je, madje as vetëm e qeverisjes në këtë mandat. Shkaku është Ligji për Arsimin e Lartë dhe kryeshkaku është sistemi politik që kemi krijuar me ndryshimet kushtetuese të 2008-s dhe 2016-s. Për këtë arsye i ftova studentët, gjatë fjalës sime, të kërkojnë një sistem zgjedhor demokratik me lista të hapura. E keqja nuk krasitet, por shkulet me rrënjë. Ata që thërrasin “Nuk duam politikë” janë ose fresshistë, pra votues të “rilindjes”, ose frikacakë! Lëvizja nuk është partiake dhe duhet të mbetet jopartiake, por ajo është dhe duhet të mbetet politike. Nëse duan vetëm ulje tarifash e abone urbani me gjysmë çmimi, nuk duhet ta zenë në gojë Dhjetorin ’90. Ne nuk u ngritëm as për transformator, e as për çaj pa klor, siç e kam thënë sot në statusin tim në Facebook.

 

 

3- Si e shihni sistemin arsimor në vend? Besoni se në këto vite janë ndërmarrë hapat e duhur?

 

Natyrisht jo. Madje mendoj se arsimi ka bërë hapa prapa, në çdo pikëpamje. Në këtë kuptim, pretendimi për ulje të tarifave do të duhej të ishte i fundit në listën e kërkesave të studentëve. Ata duhet kërkojnë demokratizimin e shoqërisë, së pari, pastaj demokratizimin e arsimit, transparencën e shpenzimeve dhe vendimmarrjeve të rektorateve, bordeve të administrimit e senateve, vettingun e pedagogëve, klasifikimin (rating) të pedagogëve me votat e studentëve etj.

 

 

  1. Cili duhet të jetë sipas jush reagimi që duhet të vijë nga institucionet, përkatësisht Ministria e Arsimit?

 

Ministria e Arsimit duhet të rihapë konsultimin publik për ndryshime në Ligjin për Arsimin e Lartë, të publikojë punimet shkencore të të gjithë stafit akademik në çdo universitet privat e publik, të dyfishojë buxhetin për arsimin në tërësi dhe atë të lartë në veçanti, të heqë dorë nga rekrutimi i mësuesve dhe t’ua lerë në dorë atë Bordeve të Prindëve për shkollat 9-vjeçare dhe Bordeve të Prindëve dhe Nxënësve për shkollat e mesme. Në arsim na duhet një revolucion. Ministria ka në dorë të bëjë evolucion. Në të kundërt, do të vlejë aksioma e Presidentit Kennedy: “Ata që e bëjnë evolucionin të pamundur, e bëjnë revolucionin të pashmangshëm.”

 

 

 

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here