Prokuroria një vit burg për Rexhep Rrajën, Xhisiela shkon në Gjykatë dhe…

0
134

 

Prokuroria e Krujës ka kërkuar 1 vit burgim për Rexhep Rrajën, djalin e deputetit Rrahman Rraja, ndonëse ai dhe shtetasja Xhisiela Maloku kanë bërë një akt pajtimi te noteri, duke konfirmuar se nuk kanë konflikte me njëri-tjetrin.

rexhep rraja

Pavarësisht kësaj, Prokuroria këmbëngul se Rexhep Rraja duhet të dënohet për veprën penale të “Përndjekjes”, megjithëse në kushte të tilla, shumë të akuzuar ia dalin pa u dënuar duke u vendosur në shërbim prove. Tashmë, seanca tjetër do të mbahet më 20 dhjetor, ku mbrojtja pritet të japë konkluzionet e saj dhe po në të njëjtën ditë do të jepet edhe vendimi.

rexhep rraja

Ndaj tij është zhvilluar gjykimi i shkurtuar, çka i ul edhe një të tretën e masës së dënimit, që do të shpallet në fund nga Gjykata. Referuar kësaj mase dënimi të kërkuar nga Prokuroria dhe uljen e mundshme për shkak të gjykimit të shkurtuar, si dhe kohën e paraburgimit, edhe nëse Rexhep Rraja do të shpallet fajtor nga gjykata, ai me shumë gjasa do të lirohet para festave të fundvitit.

xhisiela2

Mësohet se edhe gjatë seancës së djeshme ka qenë e pranishme ish-e dashura e tij. Ajo ka ripërsëritur faktin se nuk është dhunuar dhe përndjekur nga Rexhepi dhe se gjithçka e kishte bërë për shkak të xhelozisë ndaj tij. Pasi ka dëgjuar pretencën e Prokurorisë, Gjykata e Krujës i ka lënë një javë kohë mbrojtjes për të përgatitur konkluzionet para se të jepet vendimi përfundimtar.

GJYKIMI I SHKURTUAR

Gjykata e Krujës ka pranuar një seancë më parë kërkesën për gjykim të shkurtuar ndaj Rexhep Rrajës. Çështja do të gjykohet me procedurë të shkurtuar dhe me shumë gjasë, nëse do të shpallet fajtor, djali i deputetit të PS-së në Krujë, Rrahman Rraja, do të përfitojë ulje dënimi me 1/3. Edhe në seancën e vlerësimit të kërkesës për gjykim të shkurtuar ishte e pranishme 25-vjeçarja, e cila në këtë proces ka statusin e së dëmtuarës.

Ajo ka deklaruar para gjyqtares Engjëllushe Tahiri se ka gënjyer për të gjithë kallëzimin e saj. Edhe me herët, para Policisë e gjykatave ku ka kaluar historia e tyre, vajza nga FushëKruja ka deklaruar se gjithçka e kishte bërë për xhelozi dhe se nuk është dhunuar. Në këtë linjë ka qëndruar edhe avokati i 24-vjeçarit të akuzuar. Avokati mbrojtës i Rrajës ka thënë se denoncimi nga Xhisiela Maloku është bërë vetëm për motive xhelozie.

ARRESTIMI

Rexhep Rraja u arrestua më 30 shtator, pasi Gjykata e Krujës caktoi ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg” në mungesë nën akuzën e përndjekjes, si finalizim i një dosjeje që kishte qenë në duart e Prokurorisë prej disa muajsh. Çështja mori përmasa të tjera kur ish-oficeri i Policisë, Emiljano Nuhu, denoncoi në media kërcënimet, sipas tij, nga disa eksponentë të PS-së për të mbyllur denoncimin e Xhisiela Malokut. Debatet dhe akuzat për këtë çështje përfshinë edhe politikën.

Për këto akuza, Prokuroria e Tiranës ka nisur një procedim të veçantë, ndërsa ish-oficeri i Policisë Gjyqësore në Fushë-Krujë, Emiljano Nuhu, pasi u dërgoi një letër autoriteteve më të larta në vend duke denoncuar rastin, kërkoi azil në Zvicër. Pasi në këtë çështje u përfshi edhe politika me akuza të ndërsjella, vetë Xhisiela Maloku kaloi në krahun tjetër duke ndryshuar edhe qëndrimin e saj.

Ajo hoqi dorë nga roli i viktimës së dhunuar. Menjëherë në rrethana të paqarta, ajo, nga denoncimi si e dhunuar nga djali i deputetit socialist, doli në mbrojtje të tij duke i rrëzuar të gjitha deklarimet me akuzat që kishte bërë në Polici kundër Rexhep Rrajës. Pak ditë pas arrestimit të tij, në shtëpinë e Xhisiela Malokut u hodh lëndë plasëse, ku si pasojë e shpërthimit nuk pati të lënduar dhe as dëme materiale. Ajo akuzoi opozitën për sulmin me lëndë plasëse, duke theksuar se ka organizuar sulmin me qëllim që të akuzohej indirekt deputeti socialist dhe të afërmit e tij meqë ishin në “konflikt” me 25-vjeçaren

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here