Nga Frano Kulli
Këtë na e kanë pohuar me kumtin e tyre të fundit studentët protestues, këta qytetarë të mirë të Republikës sonë hiç të mirë, sot në ditën e dhjetë të protestës së tyre, kur tashma kanë ftuar për t’iu bashkëlidhur kauzës së tyre, prindërit e tyre. Të gjithëve ne, na kanë ftuar, Astiras a Breglumas, minatorë a naftëtarë, “katundarë e punëtorë”…që nga Shkodra gjer në Vlorë.
Kjo është e vërteta e shumëpranuar. Këtë na e thanë e po na e thonë prej dhjetë ditësh studentët tanë. Na e tha e po na e thotë kurajoja e tyre për t’i thënë ndal kësaj rrokopujës sonë, të cilën të gjithë ne e shohim dhe e dimë se e kemi nën lëkurën tonë.
Të tjerat janë “dokrra hinit”, janë propagandë që për ne shqiptarët është “gjella më e bajatshme”, që edhe për shkak të së shkuarës sonë, na është velur pa masë. E megjithatë, na serviret përditë e përorë, prej prijësit të qeverimit tonë, më së pari.
Mirëpo, studentët e kanë refuzuar këtë sjellje qysh në çastin e ditës së parë që janë ngritur në protestë. Mjaft më me lugën bosh, kanë thënë ata. Ndaj dhe aq mirësisht e plot inteligjencë, kanë shpalosë në mënyrë protestuese kërkesat e tyre për procesin normal të shkollimit të tyre të lartë, duke e refuzuar futjen e protestës së tyre të njëmendtë në qerthullin e vjetër të propagandomanisë, deliri shqetësues i qeverisjes sonë, që standardin qeverisës e ka katandisur në aureola me fjalë të zbukuruara e me lugën bosh.
Ku të tjetër mund të ngjasë, që i pari i vendit, teksa studentët protestues, në rrugë i kërkojnë atij plotësimin e kërkesave të tyre legjitime, ai u përgjigjet atyre në njërën prej aulave mediatike parake të vendit, me një zhargon e skenar të denjë për një arenë cirku a skenë estrade. Përzierë, me shpoti, me ironi e sarkazëm bajate dhe të rëndomtë sa s’bëhet edhe për nga limitet estetike, duke rënduar përtej kufijve të arsyes edhe peshën që një medium me licencë kombëtare mbart, pos pronësisë private, edhe si asset i çmuar i opinionit publik.
Studentët na kanë bërë me dije sot se “shuplaka” që i kanë dhënë qeverisë, duke i kërkuar asaj me një mënyrë model demonstrimi emancipues plotësimin e kërkesave bazike të trajtimit studentor, nuk mjafton për misionin e tyre. Zgjidhja e kërkesave të tyre, që e përkthyer në dimensionin e dobisë sonë mbarëpublike emancipuese në rrugën e demokracisë e të prosperitetit, na ka kërkuar të gjithëve, t’i përbashkohemi kauzës së tyre. Se qeverisja më e mirë është kauza e të gjithë të qeverisurve…