Nga Kastriot Çipi
Më 28 nëntor 1998, rreth 1 milion shqiptarë ose gjysma e atyre që kishin të drejtë vote, miratuan me referendum Kushtetutën e Shqipërisë. PD-ja dhe aleatët e saj, tashmë në opozitë, ngulën këmbë se në referendum kishin marrë pjesë më pak se gjysma e shqiptarëve me të drejtë vote, por ky pretendim nuk u shqyrtua kurrë. Opozita ishte shumë e dobët politikisht. Ishte rrëzuar nga pushteti një vit më parë, pas revoltës së vitit 1997, që na çoi në prag të luftës civile, e cila u shmang vetëm me ardhjen e një misioni ushtarak ndërkombëtar paqeruajtës. Gjithashtu, kjo opozitë kishte dështuar kur ishte në pushtet, në përpjekjen e parë për të miratuar me referendum një tjetër projekt-kushtetutë, në vitin 1994. Vlen të kujtohet se argumenti kryesor i PS-së, në atë kohë në opozitë, kundër kësaj projekt-kushtetute, ishte se ajo i jepte shumë pushtet Presidentit, duke e kthyer vendin praktikisht në një republikë gjysmë-presidenciale, sipas modelit francez. Shoqëria shqiptare, e porsadalë nga diktatura, ishte e ndjeshme ndaj kufizimit të pushtetit të individit drejtues dhe këtë e vërtetoi me votën kundër.
Kushtetuta e 1998-ës u hartua nga një komision që kryesohej nga eksponentë të partive të vogla: Sabri Godo i PR-së dhe Arben Imami, atëherë i PAD-it. Komisioni u asistua nga ekspertë ndërkombëtarë. Kushtetuta e re garantonte një balancë të pranueshme pushteti mes Qeverisë, Kuvendit dhe Presidentit. Kështu shqiptarët pranuan ta votonin, duke zëvendësuar Kushtetutën komuniste të 1976-ës, të amenduar gjerësisht në vitin 1991, nga Kuvendi i parë post-diktatorial.
20 vjet më parë, askush nuk u mor me nenin 177 të Kushtetutës. Në këtë nen sanksionohet se çdo ndryshim i Kushtetutës nuk mund të bëhet më me referendum popullor! Edhe sikur të 3 milionë shqiptarët me të drejtë vote të mblidhen para Kuvendit e të nënshkruajnë kërkesën për referendum, asnjë presje e Kushtetutës nuk mund të ndryshohet pa votat e 94 deputetëve! Kjo do të thotë se nuk jemi ne Sovrani, por deputetët e Kuvendit. Kjo do të thotë se ne shqiptarët u kemi dhënë 140 deputetëve të Kuvendit një pushtet mbretëror, absolut dhe të përjetshëm. Cili prej nesh do t’i jepte avokatit prokurë të përjetshme, të pakufizuar, me të drejtë ndryshimi vetëm nga ana e avokatit dhe të parevokueshme, për të vendosur në emër të tij për çdo çështje? Askush!
20 vjet më pas, është koha të gjykojmë me ftohtësi se si janë sjellë “avokatët” tanë me “prokurën” që u dhamë. Gjatë këtyre dy dekadave, Kushtetuta është ndryshuar dy herë, më 2008 dhe 2016. Sidomos në vitin 2016 u ndryshua aq shumë, sa zor se mund të quhet më Kushtetuta e 1998-ës. Në vitin 2008 “avokatët” tanë ndryshuan sistemin zgjedhor, nga maxhoritar me korrektim proporcional, në proporcional rajonal. Pushteti i Presidentit u kufizua me tej, ndërsa ai i Kryeministrit u zgjerua edhe më tej. Në vend të republikës gjysmë-presidenciale që e refuzuam në vitin 1994, tani kemi një republikë kryeministrore, që e miratuan “avokatët” tanë.
As në 2008-ën e as në 2016-ën, ne, populli, sovrani, i përmendur në preambulën e Kushtetutës, nuk u pyetëm fare, madje as u informuam për procesin e ndryshimeve kushtetuese. Ne thjesht u vumë në dijeni nga “noteri”, Qendra e Botimeve Zyrtare, se “aristokracia” e 139 princave dhe mbretit të quajtur Kryeministër, kishin vendosur të ndryshonin Kushtetutën.
Çfarë kanë bërë këta princa me pushtetin që u dhamë? A ka sot në Europë një klasë politike më të shkëputur nga populli të cilit i përket? A nuk ishin këta që na hoqën të drejtën t’i zgjedhim edhe ata vetë me votë? A nuk ishin këta 140 princa që vendosën se këtej e tutje edhe princat duhej t’i zgjidhnin kryetarët e partive ose kryeprincat. A nuk jemi sot në një “republikë” hibride, ku ka një mbret që është Kryeministri dhe një apo dy princa të kurorës, që janë kryetarët e partive më të mëdha opozitare? A nuk është ky sistem zgjedhor, pjesë e establishmentit politik aktual, që prodhon vazhdimisht kriza, që na largon përditë nga Europa, që ka shpartalluar sistemin e drejtësisë, që ka prodhuar korrupsion progresiv, që po bën një grusht oligarkësh përditë e më të pasur dhe milionat e shqiptarëve përditë e më të varfër?
A nuk po mbytemi në një det borxhi që po bëhet oqean? A nuk jemi sot një vend me autonomi të kufizuar, të kontrolluar me sms nga ambasadorët e huaj?
E pra, ka ardhur koha të shlyejmë gabimin që bëmë në vitin 1998. Ne duhet t’u kërkojmë sot “avokatëve” tanë, “aristokracisë me një mbret e dy princa”, të grisë “prokurën” e vjetër, për ta zëvendësuar me një të re, të cilën duhet të kemi të drejtë ta ndryshojmë vetëm ne, populli, sovrani. Sot duhet t’u themi deputetëve tanë, të shumicës dhe pakicës: Boll! Jua dhamë pushtetin e pakufizuar dhe ju e treguat veten. Na sollët këtu ku jemi. Këtej e tutje vendosim ne.
Ta fillojmë pra, nga guri i themelit, nga Kushtetuta. Të marrim në dorë fatin tonë, që të mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për veten dhe fëmijët tanë. Kjo duhet të jetë pika e parë në listën e kërkesave të çdo shqiptari që proteston sot. Studentë, banorë që kërcënoheni nga shembja e shtëpive, qytetarë që doni të ulni çmimin e naftës apo të mbroni nga shembja Teatrin, naftëtarë e minatorë që kërkoni statusin tuaj, persona me aftësi ndryshe, fermerë, mjekë e infermierë, merrni në dorë fatin tuaj sot, para se të jetë tepër vonë. Mbushni rrugët dhe sheshet dhe thërrisni me zë të lartë “Na ktheni Kushtetutën!”. Kjo nuk është thirrje partiake. Kjo nuk mund të shërbejë kurrsesi për debate e ndarje mes qytetarëve. Përkundrazi, kjo thirrje duhet të jetë lidhja jonë e fortë, gjëja e përbashkët, arsyeja pse jemi dhe duhet të mbetemi qytetarë të këtij vendi.
Nëse do të dëgjoni mbretin apo ndonjërin nga princat të thotë se nuk është kjo zgjidhja apo se këtë po e kërkon X apo Y parti politike, dijeni se ai është një diktator, që do të bëjë gjithçka për të ruajtur pushtetin e tij apo të padronit të tij politik. Të rrethojmë Kuvendin që t’ua bëjmë të qartë deputetëve se privilegji i tyre ka mbaruar, se ata kanë vetëm dy rrugë: ose të na japin pushtetin që na takon, ose të përmbysen si klasë me revolucion.
Le të bashkohemi pra, të gjithë, nën thirrjen e përbashkët: Na ktheni Kushtetutën!