Vasili: Studentët janë e ardhmja, ndërsa Rama e shkuara e errët që duhet zbuar

0
139

Çfarë presim të ndodhë ditën e enjte në Parlament? Do të ketë diskutime, do të jetë një bllokim i foltores?

Ditën e enjte së pari do të evokohet shumë qartë një çështje madhore, siç është çështja e studentëve. Në qoftë se për këdo në media apo nuk di të gjej një njeri në opinionin publik që nuk është tronditur thellë dhe nuk është indinjuar deri në palcë, unë u kam bërë edhe ftesë të tëra mediave sot në një prononcim që kam pasur pas Konferencës së Kryetarëve që të mos rrinin të na intervistonin neve fare. Të na neglizhonin por të shkonin në konviktet e studentëve ku shikon kushte që media gjermane i quajti shumë më të këqija se burgjet gjermane, ishte në një media përkatëse. Pra problemi ka marrë këtë dimension, si mendoni se mund të diskutojmë gjëra të tjera. Dhe kjo mizerje përjetohet në vitin 2018. A e dini se çfarë ka ndodhur në Shqipëri? Studentët në vitet ’90, që janë ngritur me shumë të drejtë në atë kohë për kushtet e rënda të tyre, që ishin nga 4 vetë në një dhomë. Sot janë nga 6. Kishin një tualet për 6 dhoma, sot janë 100 vajza që kanë vetëm 4 tualete.

Dhe në qoftë se flasim për një mizerje të tillë që nuk gjendet as në Afrikë, dhe ne vazhdojmë merremi me spërdredhjet e politikës, këtu përpara kemi një problem madhor. Mijëra të rinj, nuk bëhet fjalë për pak,mijëra e mijëra studentë, që kur thuhet është e ardhmja po bëhet fjalë për të ardhmen, nuk jam unë e ardhmja e vendit, janë ata të cilët ndodhen dhe përballen më këtë realitet çnjerëzor dhe përballë kemi një qeveri që mban fjalime nga 4 orë si Fidel Kastro, e patë kryeministrin që rri e flet 4 orë, në vend që të zgjidhi gjërat. Atëherë ka një ofertë politike që është buxheti i shtetit. Ta rishikojmë, të shkurtojmë të gjitha gjërat që janë të panevojshme sokaket, sheshet, fasadat e panevojshme, zyrat dhe të krijojmë fondin kombëtar të emergjencës siç ne e kemi propozuar. Ja ku është buxheti i shtetit, ta rishikojnë dhe të vendosin fondet në rrugën e zgjidhjes së të tërave kërkesave të studentëve. Dhe njëkohësisht të dyfishojnë fondin e arsimit të lartë. Kjo është përgjigje menjëherë në qoftë se e kanë prioritet. Nuk kanë prioritet studentët të rrinë e të dëgjojnë 4 orë fjalimet e çmendura të një të çmenduri.

Por kur u votua dhe kur u shqyrtua buxheti, opozita nuk ishte në Parlament. Ishte kjo protestë e vijueshme në ditë një zgjidhje edhe për opozitën?

Ecim më tutje sepse ka pasur vërejtje të mëdha për buxhetet në vazhdimësi. Dhe kryesorja që ne kemi thënë, që besoj nuk e keni harruar, i kemi thënë stop koncesioneve që hanë 1,3 miliardë. Se duke iu thënë stop ka para plot për të zgjidhur arsimin e lartë në Shqipëri. Ju e dini që kemi 3 vjet që kemi depozituar si forcë politike ligjin për koncesionet, i cili nuk është shqyrtuar sot e kësaj dite nga Kuvendi i Shqipërisë. Është ridepozituar edhe në këtë legjislaturë dhe nuk shqyrtohet. Si ka mundësi që këta bien me vrap një reformë zgjedhore të njëanshme, edhe nuk marrin ligjin e koncesioneve ta shqyrtojnë?

Po sepse aty do këputen qindra milionë euro, të cilat zgjidhin shumë mirë, shumë shpejt dhe shumë lehtë dhe këto probleme. Por janë të gatshëm të mos heqin qoftë dhe 1 lek nga koncesionet, në vend që të na përmirësojnë fytyrën e të gjithë Shqipërisë, të tërëve neve, sepse fytyra nuk është e pastër as e imja e as e jotja, në qoftë se studentët jetojnë në ato kushte. Që 120 vajza të kenë 4 tualete dhe sfida më e madhe është të kenë mundësi të bëjnë dush, nuk flitet për ujë të ngrohtë sepse dhe uji që vjen vjen me orar. Studentët e vitit 2018 janë këta?

Si mund të  dalim nga kjo situatë sot? A duhet të plotësohen këto kërkesa pa dialog?

Kontrata që bën një qeveri me qytetarët e vet është programi i qeverisë, me të cilën qeveria shkon e votëbesuar në Parlament. Pra në Parlament kur votohet me 71 vota minimumi për një qeveri, votohet pasi ajo paraqet programin dhe ju e dini fare mirë që kryeministri paraqet programin, pastaj merr votën. Kjo është kontrata që ka me shqiptarët.

Kjo kontratë që kryeministri ka me qytetarët, është që duhet ta kishte nivelin e arsimit të lartë 5% të Buxhetit të brendshëm bruto. Ne në rastin konkret nuk po kërkojmë atë 5% që e ka marrë vetë përsipër, por po kërkojmë rritjen e zërit të arsimit të lartë që është në krizë ç’njerëzore, pasi për ti ndritur pak mendjen të tërë këtyre të pashkollëve që kanë mbushur mazhorancën, nuk mund të ndërmarrësh reforma në qoftë se themelet, gjërat bazike ti nuk i ke ndërtuar. Kur nuk ka kushte jetese, kur nuk ka laboratore minimale, kur ka fakultete që ky kryeministër shkon të Gjeologjia, kur Gjeologjia s’ka godinë.

Në studion e Blendi Fevziut studentët e gjeologjisë thanë që ju nuk keni këto kushte, ndërsa ne nuk kemi godinë. Studentët e arkitekturës nuk kanë libra. Tani unë kam qenë pedagog në Universitet, nuk ke godinë, nuk ka libra, nuk ka infrastrukturë ku të flenë dhe flet për reformë? Kjo është ç’të të them! Kjo është historia, kjo është situata.

Për këtë situatë a mban përgjegjësi e gjithë klasa politike?

Përgjegjësitë kolektive, përgjegjësitë e shtrira në 25 vjet janë përgjegjësi të cilat nuk kanë asnjë zgjidhje për situatën. Mazhorancat që kanë qenë dikur kanë pasur gjëra që nuk kanë shkuar mirë? Kanë marrë një vlerësim më të ulët elektoral, pra nuk kanë fituar zgjedhjet dhe u është dhënë këtyre që kanë thënë që do e çojnë arsimin 5%. Pra kanë bërë një marrëveshje për elektoratin, për të cilën kanë dhënë paratë dhe elektorati i ka dhënë votën.

Nëse ju do më thonit ju lumtë se dinë të gënjejnë, për të marrë vota atëherë vjen dita e verifikimit. Ke gënjyer, ky është verifikimi dhe merr përgjegjësitë për justifikimin që më ke dhënë, sepse ke ngjallur një iluzion, i cili jo vetëm që s’i ka zgjidhur problemet, por edhe i ka rënduar problemet dhe i ka bërë në mënyrë çnjerëzore.

Jam i bindur që nëse ju do nxirrnit kamerat e Fax-it, ju do të nxirrni 10 herë më shumë fakte se sa di unë, megjithëse unë di jo pak. Jo vetëm për konviktet, por edhe për laboratoret, edhe për ndërtesat, edhe për tekstet, edhe për kurrikulat. Epo çfarë arsimi është ky kur nuk ka tekste, nuk ka godina, nuk ka kushte? Për çfarë arsimi të lartë po flasim?

 

A duhet të ulen studentët apo një grup ekspertësh për të punuar për vendosjen e një tarife të pranueshme edhe për Buxhetin e Shtetit?

Pyetja ime është shumë e thjeshtë: Ç’hall ka qeveria? Pse qeveria nuk lëviz dot një lek nga ato koncesione dhe nuk e dyfishon fondin e arsimit të lartë?

Ka kontrata. Thamë që kontratat duhen të zbatohen. Po për koncesionet ka kontrata?

Po kontrata që ka lidhur me qytetarët shqiptarë që nga 2013 për 5%? Kontratat e koncesioneve janë të paprekshme, po kjo kontrata me elektoratin vjen e shkon sepse gënjehen prapë kur kalojnë vitet?

Është shumë e thjeshtë. Ua ka premtuar 5% dhe aty janë të gjitha paratë që duheshin për arsimin e lartë. Çfarë i kërkojmë ne? Krijimin e një fondi emergjence që shkon te 40 milion euro. Këta 40 milion euro i vodhën te Unaza e Re. Nëse merrni sfidën të më mbushni mendjen që s’u vodhën 40 milion euro të Unaza e Re, shyqyr Zotit është hapur dhe hetimi dhe keni parë që kanë konkurruar kompani me zero lekë.

Ja ku janë lekët. Do ti vjedhin vetë, por nuk i japin dot për këta? Ja ku i kanë 40 milionë, thjeshtë fare për të zgjidhur hallin, nuk po them për të tjerat. U kapën me presh në dorë, sigurisht që do të përgjigjen një për një për këtë. Ja ku janë 40 milion te Unaza e re që deshën ti merrnin me një dorë, qoftë edhe firma me dokumenta të falsifikuar në Amerikë, qoftë edhe kompanitë që konkurruan me zero lekë, qoftë edhe me çmimin që i vajti më i shtrenjtë se floriri.

Ishte meritë e një kolegut tuaj, që gjente sa është centimetri i floririt dhe sa është centimetri i rrugës te Astiri. Dhe doli që Astiri është më i shtrenjtë se floriri. Ja ku janë paratë sheshit. Nuk po flas për këto qindra milionë koncesionet në shëndetësi. Ja ku janë: lekë këtu, lekë atje. Apo këto nuk preken sepse janë për xhepat e tyre. Ndërsa këto studentët të rrinë pa ujë, pa banjë, e keni parë vetë. Unë jam jo i keq ardhur, por i hidhëruar në themel si prind, si një njeri që jam marrë me shkencë për një kohë të gjatë dhe si një njeri që arsimin e kam kultin e jetës sime. Në një kohë kur hajdutllëku është sheshit dhe këto studentë përballen me të tillë situatë, unë nuk mund të pajtohem me këtë. Nuk më duhet as kravata e politikanit. Këtu bien flamujt e politikës. Ka një përkeqësim çnjerëzor por ka edhe një shpërdorim çnjerëzor të fondeve publike, pasi kur vidhen 17 milion euro për 1 km dhe nuk paskan lekë për të bërë kampuset e studentëve, apo riparimet minimale, apo kur studentët ngrohen me nga një ngrohëse atje sepse nuk ka ngrohje, kur nuk kanë as një prizë ku të fusin spinën për të punuar me kompjuterët e tyre, është e kotë të bëjmë komente.

Do doja të ndalesha pak tek çështja e Unazës së Re. Ka një letër të kryetares së LSI-së për kryeprokuroren Arta Marku, për të pezulluar të gjitha punimet e kësaj rruge, derisa të zbardhet kjo çështje. A keni ju fakte ku e bazoni këtë letër? Pasi duhet të rikujtojmë këtu që punimet janë ndërprerë…

Nuk e keni lexuar me vëmendje znj. Kryemadhi dhe po jua rikujtoj. Megjithëse është bërë pezullimi, firmat vazhdojnë të bëjnë punime atje. Po flasim për konstatime në terren. Ju si media po të shkoni dhe të shihni në terren, do të vini re mjaft mirë këtë që po them. Edhe qytetarët kanë filmime pa fund se ç’bëhet. A kemi fakte ne për korrupsionin? Po këtë e di Europa mbarë. Tre kompani që konkurrojnë me të njëjtën konkurrent me zero lek… Po këtë lloj korrupsioni kaq të trashë, kaq banal mund ta bëjnë vetëm arrogantë që janë të bindur që kanë Prokurorinë në dorë, kanë shtetin në dorë dhe kanë çdo gjë. Kurrkush nuk do guxonte ta bënte një idiotësi të tillë procedurale.

Ky nuk është objekt hetimi për Prokuror. Këtë mund ta hetoni dhe ju që se keni fare profesion, se është para syve tuaj. Nuk po them pastaj që kompani fituese që ishin në sekuestro, kompani që s’kanë pasur objekt rruge fare por kanë fituar tenderin dhe e kanë shtuar. Kompani si ajo që doli në Amerikë që kishte falsifikuar dokumentet amerikane. Deri këtu të gjithë nuk mendonim se mund të arrinte fantazia, për të cilin demaskimin e këtyre dokumentave një kolegu juaj edhe është kërcënuar në mënyrë kriminale. Ylli Rakipi thotë të vërteta të rënda, kriminelët e kërcënojnë me vdekje, kryeministri hesht. Mund të heshti kryeministri kur kërcënohet një njeri i medias se demaskoi ca të vërteta. Por demaskoi të vërtetën që brenda është qeveria kokë e këmbë. Prandaj hesht kryeministri. Se po të ishte duhet të bubullinte. Ky është edhe njeri që i pëlqen të ketë emfazë të madhe të bëjë oratori dhe kur është boshe. U lodh foli 4 orë e gjysëm dhe nuk pati mundësi të fliste një çerek minuti për një njeri veteran të medias, një figurë që s’ka nevojë ti bëj komente, nuk solidarizohet apo nuk mbështet atë, por me heshtjen e tij ka mbështetur haptazi kriminelët. Thotë vazhdoni kërcënoni, që këto të vërteta të mos dalin sheshit. Kjo është ngjarja që ka ndodhur.

Si do të zhvillohet diskutimi apo seanca plenare ditën e enjte, rikujtojmë janë rrëzuar amendamente për ligjin e arsimit të lartë një javë më parë?

Si ditë parlamentare do jetë me një debat shumë të fortë, ku nuk do themi as më shumë e as më pak se çfarë kanë thënë studentët në fjalët e tyre, çfarë kanë thënë në tabelat dhe banderolat e tyre, do ti çojmë në sallën e Parlamentit. Dhe do u themi shqip, i keni paratë o hajdutë, mos i kurseni për studentët. Boll vodhët me koncesione, boll vodhët te Unaza e Re, mos i kurseni djemve dhe vajzave që të jetojnë në kushte minimalisht normale. Nuk po themi në kushte optimale, por minimalisht normale. Pasi ato kushte nuk janë as tek minimumi i minimumit të normalitetit, janë kushte çnjerëzore.

 

*Pjesë nga intervista e Kreut të Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili për televizionin “Fax News”

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here