NGA JORIDA TABAKU
I dëgjova me vëmendje fjalimet e deputetëve socialist dhe ishin të ngjashme me ato të korrikut 2015. Sa për mendimin tim për Ligjin e Arsimit ai është i qartë që në 2015 kur kam debatuar edhe me ministren, e cila më tha që e “vërteta do të më bjerë mbi kokë”. Në fakt e vërteta sot ka mbushur sheshet, sikundër sheshin përballë ministrisë dhe atë përballë kryeministrisë. Sot e vërteta është vetëm një; ajo çfarë Partia Demokratike parashikoi në korrikun 2015 për Ligjin e Arsimit të Lartë.
E dëgjova ministrin e financave që foli a thua se ishte shitës nga tregu i fruta perimeve. Krahasoi shpenzimet për arsim pa përmendur sa është Produkti i Brendshëm Bruto. Nëse është duke dëgjuar po e informoj që në 2013 kanë qenë 172 mijë studentë, shpenzimet për arsim 4.1% e PBB. Në 2018 janë 128 mijë studentë, 43 mijë më pak se 2013, dhe shpenzimet për arsim në buxhet 2.83% e PBB-së. Kështu që nuk është fare çudi që rritja e tarifave me 33% ka sjellë po të njëjtin nivel të ardhurash në buxhetin e shtetit. Pra 43 mijë studentë më pak të regjistruar, që janë larguar nga vendi dhe 70% e të rinjve që kanë mbetur në vend duan të largohen.
Në 2016 një familje shpenzonte 10% të buxhetit familjar për arsimin. Në 2017 familjet shqiptare paguanin nga buxheti i tyre 25.1% për arsimin shpenzimet për arsimin u rritën me 2.3 herë dhe kjo do të thotë që ¼ e shpenzimeve familjare shkon për arsimin. Efekti i rritjes së tarifave me VKM është ky!
Deri dje thonin që tarifat nuk i ulte dot qeveria sepse i kanë përcaktuar Universitetet, sot thonë që mund t’i ulë qeveria me VKM.
Kur ligji i arsimit të lartë kaloi në parlament ne thamë disa të vërteta që nuk kanë ndryshuar dhe qëndrojnë edhe sot. Do të detyroni universitetet publike që të rrisin tarifat, të shesin ambientet e tyre, të kthehen në shitore sepse i keni lënë jetim. Keni krijuar 7 institucione të arsimit të lartë që marrin para nga buxheti i shtetit që mund t’i shkonin universiteteve publike. Keni krijuar institucione dhe borde që janë në shumicë të emëruar nga qeveria duke cënuar rëndë autonominë. Ndërkohë që ministria Nikolla në një shkresë që kam këtu, e dërgjuar në nëntor 2018, u kërkon universiteteve që të heqin fjalën Autonomi nga projektstatuti sepse nuk e njeh ligji për arsimin e lartë!
Flitet shumë për reforma; NUK KA REFORMA! Nuk ka reformë fiskale por ka rritje të taksave me 1.9 mld euro. Nuk ka reformë në energji, por ka rritje të çmimit të energjisë që pritet të rritet dhe vitin tjetër. Nuk ka reformë në arsim, por ka rritje të tarifave me 33% dhe teksteve me 7%.
Çfarëdo propagande që keni bërë ka rënë. Shqipëria e vërtetë, Shqipëria reale është ajo që flasin studentët që me të vërtetë ia çorën maskën qeverisë dhe propagandës. Që me të vërtetë bëri një detyrë ndoshta edhe më të mirë se ne; pasi arriti të godasë mu aty ku askush skish mundur të mbërrinte. Rinia shqiptare po zhbën propagandën që me aq mund ngriti qeveria. Sot, edhe ai gur i fundit që po ju mbante ka rënë!
Ky dhjetor është shumë i bukur. Në të vërtetë është po aq i bukur sa dhjetori 1990 për një arsye shumë të thjeshtë, pasi studentët po tregojnë edhe një herë që mund të arrijnë ta bëjnë ndryshimin.