Çmimet e naftës po qëndrojnë në rënie të konsiderueshme në sesionin e sotëm, duke prekur nivelin më të ulët në më shumë se një vit. Investitorët vijojnë të jetë të shqetësuar për mbifurnizimin e tregut, ndërsa rritja e normave të interesit nga Rezerva Federale rrëzoi tregun e aksioneve.
Bursat në të gjithë botën kanë rënë ndjeshëm, gjatë sesionit të sotëm, pasi Rezerva Federale rriti normat e interesit dhe sinjalizoi rritje të tjera, gjatë dy viteve në vijim, njofton Scan.tv.. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 45.8 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 54.6 dollarë për fuçi, niveli më i ulët që nga shtatori i vitit 2017.
Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe prodhuesit e tjerë ranë dakord në fillim të dhjetorit të ulin prodhimin me 1.2 milionë fuçi naftë në ditë, në një përpjekje për të ulur rezervat e naftës dhe rrjedhimisht edhe çmimet.
Por, kjo marrëveshje do të zbatohet duke filluar nga janari dhe prodhimi aktualisht gjendet në nivele rekord, sidomos nga Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Arabia Saudite. Tregjet janë të paqëndrueshëm, për shkak të tensioneve politike dhe ekonomike në rajone të ndryshme të botës, por edhe për shkak të spekulimeve.
Ndërkohë, referuar të dhënave të publikuara në SHBA, rezervat e naftës ranë me 497 mijë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 17 dhjetor, ndërsa analistët parashikonin një rënie me 2.4 milionë fuçi.