Monika Kryemadhi: Edi Ramës po ti dhimbseshin të rinjtë shqiptarë, Shqipëria sot nuk do të mbante vendin e katërt për emigracion…

0
130

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka dhënë mesazhe të forta nga takimi me strukturat në Elbasan. Ajo paralajmëroi vazhdimin e protestave, jo vetëm të studentëve. Kryetarja e LSI u bëri thirrje të gjithë drejtuesve të partisë së saj, që edhe natën e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, të dalin deri më derë për të folur me njerëzit, e për t’i zgjuar, në mënyrë që kjo klikë sipas saj, të rrëzohet.

Fjala e Kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi në takim me strukturat e LSI-së Elbasan:

Përshëndetje. Në fakt të gjithëve ju, që ju shikoj në këtë sallë me secilin nga ju kemi një memorie të jashtëzakonshme të fushatës sonë të mrekullueshme të 2017, dhe sa herë që takohem me ju ndjej detyrim për t’ju falënderuar për angazhimin, për seriozitetin, për punën e mrekullueshme dhe për mosdorëzimin përpara krimit, përpara bandave të Edi Ramës, përpara blerjes së votave të Edi Ramës, që ne sot kemi atë përfaqësim të duhur në qarkun e Elbasanit në Parlamentin Shqiptar. Jam e detyruar që gjithmonë ta nis fjalimin tim në Elbasan dhe në gjithë qarkun e Elbasanit me këtë respekt dhe me këtë mirënjohje për të gjithë ju. Në fakt, profesor Mondi e bëri shumë të qartë ekspozenë, jo vetëm të buxhetit dhe të situatës politike, por do më duhet që ta them dhe ta ripërsëris edhe unë, për të kuptuar në atë batak në të cilin Edi Rama e ka futur Shqipërinë, dhe jo vetëm Shqipërinë por pak nga pak dhe gjithë rajonin tonë, dhe akoma më keq Partinë Socialiste. Të gjithë dje kemi dëgjuar fjalimet tona në Parlament, ku opozita kërkon Vettingun e politikës. Vettingun e politikës, që është shumë e thjeshtë për të bërë analizën dhe kontrollin e çdo politikani, e çdo drejtuesi institucioni të shtetit, sepse është e domosdoshme për të zhvilluar Shqipërinë, shkëputja e politikës, shkëputja e institucioneve të shtetit nga krimi është e domosdoshme. Por nuk mund të shkëputet politika nga krimi, nëse politika nuk do të bëjë Vettting. Nuk mund të shkëputet institucionet e shtetit nga krimi dhe nga bandat nëse nuk do të bëjnë  Vetting. Edi Rama dje kishte frikë nga Vettingu, dhe përveçse kishte frikë nga Vettingu tregonte dhe dobësinë e tij dhe dashurinë e tij të pamasë ndaj krimit, ndaj drogës dhe ndaj korrupsionit. Keni dëgjuar të gjithë për Unazën e Re, që për hir së të vërtetës, jo për shkak të politikës, por për shkak të banorëve denoncohet një Megakorrupsion i paparë, 40 milion euro të vjedhura, të cilat futen në xhepin e Edi Ramës nëpërmjet një Offshori, nëpërmjet një falsifikimi të tmerrshëm dhe ky njeri nuk pranon t’ia japi qoftë edhe gjysmat e këtyre parave që i fut në xhepin e tij, për t’ja u dhënë studentëve, të cilët për hir të së vërtetës janë në të drejtën e Zotit, janë në të drejtën e tyre, sepse janë kërkesat më minimale që ata kërkojnë. Nuk pranon Edi Rama të pranojë tarifat e studentëve, sepse e gjithë paketave e zgjidhjes së problemeve të studentëve është 100 milion euro. Por  vetëm ditën e enjte, me një falsifikim qoftë në protokoll, me një falsifikim qoftë të procesverbaleve të Komisionit të Ekonomisë, me një falsifikim qoftë në njoftimin e anëtareve të Komisionit, Edi Rama u fal me qindra miliona euro, pesë apo 10 vetave oligarkë, të cilët nuk ja kanë paguar këto para buxhetit të shtetit. 1/3 e këtyre faljeve që u bën Edi Rama këtyre 10 vetave, 1/3 e këtyre parave dalin dhe teprojnë që studentët shqiptarë të jetojnë si të gjithë studentët e tjerë europian në të gjithë Europën. Por Edi Ramës nuk i dhimbsen shqiptarët, sepse po të dhimbseshin shqiptarët sot ne nuk do të ishim populli më i varfër në Europë. Edi Ramës nuk i dhimbset rinia shqiptare, sepse po të dhimbsej rinia shqiptare, sot rinia shqiptare nuk do të kishte emigruar në këtë nivel që ka emigruar. Edi Ramës po ti dhimbseshin të rinjtë shqiptarë, Shqipëria sot nuk do të mbante vendin e katërt për emigracion, ku e mban Siria pas nesh që është në luftë. Pra është shumë e thjeshtë dashuria që ka Edi Rama për Shqipërinë dhe shqiptarët. Nuk ka dashuri fare, ka urrejtje. Sepse vetëm një njeri që e urren vendin e tij dhe popullin e tij mund të sillet në këtë mënyrë siç është sjellë Edi Rama me shqiptarët.

Në fakt kemi përreth 17-18 ditë që studentët shqiptarë vazhdojnë protestojnë. Do të vazhdojnë edhe ditët e pushimeve për ta mbajtur zjarrin ndezur, në mënyrë të tillë për ti thënë Edi Ramës që ata nuk harrojnë. Nuk harrojnë sepse janë shumë të vëmendshëm dhe janë më të vëmendshëm se klasa politike. Janë dhe më të vëmendshëm se ne, janë edhe më të vëmendshëm edhe se sa shumë të tjerë ndërkombëtarë, apo edhe institucione të tjera, të cilat për hir të së vërtetës kanë krijuar këtë lloj destabiliteti ekonomik dhe politik në Shqipëri. Kur kam thënë që duhet të harroni teserat e partisë dhe flamurin e partisë, vazhdoj ta rithem përsëri. Sepse protestat e studentëve nuk janë thjesht protesta studentësh, nuk janë thjesht protesta që ngrihen vetëm për të drejtat e tyre, por vjen edhe protesta e familjarëve të tyre. Sepse një student, i cili e ka të pamundur për të paguar tarifën në Universitet, do të thotë që familja e tij është në kushtet më të vështira ekonomike që mund të ketë  kaluar ndonjëherë. Sepse ne e dimë shumë mirë që shqiptarët paguajnë çdo gjë dhe marrin përsipër çdo sakrificë për të shkolluar fëmijët e tyre, dhe të shkollosh sot fëmijët do të thotë të bësh një nga sakrificat më të mëdha. Studentët na dhanë mësim shumë të mirë. Na dhanë një mësim shumë të mirë për të thënë që kur jemi të bashkuar mund ti realizojmë qëllimet tona. Edhe pse Edi Rama ka dalë si dordolec fakultet më fakultet për ti bindur dhe për tu thënë atyre që unë nuk do tu plotësoj kërkesat tuaja, por dua dialog. Unë nuk kam parë se ç’dialog dhe negociata mund të ketë, kur sapo fillon biseda thotë: unë ju kam gënjyer dhe do të vazhdojë të gënjejë. Kjo do të thotë që  studentët janë të më të qëndrueshmit në të gjithë këtë histori dhe në të gjithë këtë aktivitet, sepse e kuptojnë shumë mirë që me një mashtrues, me një kriminel i cili përdor institucionet e shtetit për të pasuruar bandat dhe krimin e organizuar, nuk mund të negociosh dhe nuk mund të dialogësh. Për çfarë do dialogësh me Edi Ramën, kur Edi Rama thotë hapur që “‘unë, 46% të buxhetit të shtetit, pra të gjithë taksat që paguajnë shqiptarët, gati gjysmat e taksave që paguajmë në, te dritat, te uji, te buka, te ushqimet, te veshmbathja, te taksat e pastrimit, te taksat e rrugës, te karburanti, te të gjitha, Edi Rama thotë se 46% të këtyre taksave, unë do ia çoj 10 oligarkëve. Do ia çoj 10 vetave dhe këto të marrin koncesionet e famshme. Çfarë janë koncesionet e famshme? Koncesionet e famshme janë që paratë e shqiptarëve i fusin në xhepin e oligarkëve, oligarkët i fusin te banka e gruas së Edi Ramës dhe gruaja e Edi Ramës i çon te xhepi i Edi Ramës. Pra, shumë e thjeshtë se si vidhen taksat e shqiptarëve. Dhe kur vjen puna që themi, ore zotëri, që bëjnë dy amendamente studentët e LSI që janë në Parlament, nga këto 46% që ti ia jep këtyre, që i fut në xhepin tënd, po hiqi 0.5% se s’u bë qameti. Hiqi 0.5% dhe jepja studentëve sepse ti je një njeri i vetëm,studentët janë 140 mijë. Por nuk pranon Edi Rama sepse Edi Rama ka një problem shumë të madh në sjelljen e tij. Ka një problem shumë të madh që për hir të së vërtetës dhe ne si Lëvizje Socialiste për Integrim kemi fajin tonë, që i besuam, i dhamë shansin dhe mundësinë për te qenë Kryeministër i Shqipërisë. Erdhi si kryeministër, duke u zvarritur me gjunjë në tokë për të marrë votat e LSI-së dhe për tu bërë kryeministër , u ngrit si kryeministër dhe u pasurua si kryeministër, duke sharë Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe duke sulmuar LSI-në u pasurua dhe u fuqizua, duke forcuar dhe duke çuar në kokën e shtetit bandat e krimit të organizuar dhe të trafikut të drogës, dhe më pas tashmë kërkon tepsinë dhe timonin duke qenë koka e Meduzës së krimit të organizuar në të gjithë rajonin. Por ne kemi qenë shumë të qartë në të gjithë ecurinë tonë. Kemi bërë edhe ne gabimet tona, dhe nuk kemi frikë të themi, që i kemi bërë gabimet, sepse nga këto gabime kemi mësuar, nga këto gabime kemi pasur mundësinë për të zgjuar dhe për të ndërgjegjësuar çdo shqiptar, që çdo njeri që i jep qoftë edhe një sekondë oksigjen Edi Ramës dhe bandës së tij, kryen tradhti kombëtare. Sepse një njeri që kërkon kërkon të ndryshojë kufijtë e Shqipërisë, një njeri që kërkon të ndryshojë kufijtë e Kosovës, një njeri që subvencionon para, me bandat dhe me krimin e organizuar për të bërë fotografi të pështira, për të treguar që ka suport ndërkombëtar, nuk është gjë tjetër veçse është varrmihësi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Prandaj, unë ju bë thirrje sot që të gjithë ju. Ju drejtuesve të strukturave të LSI-së në Elbasan, të fillojmë çdo ditë, pa ndalim, edhe natën e Vitit të Ri, edhe natën e Krishtlindjeve për të krishterët dhe çdo ditë të zotit, nga mëngjesi deri në darkë, derë më derë me njerëzit për t`i sensibilizuar dhe ndërgjegjësuar me socialistët, të cilët ndihen më të frustruar dhe më të terrorizuar se kushdo tjetër. Për të zgjuar dhe për të përmbysur këtë klikë kriminale, që ka uzurpuar jo vetëm Partinë Socialiste, por ka uzurpuar të gjithë Shqipërinë dhe shtetin shqiptar. Për ta përmbysur këtë klikë kriminale, e cila çdo ditë e më shumë po i merr shpirtin dhe po ia pi gjakun Shqipërisë dhe shqiptarëve. Mos mendoni që duke qenë indiferentë, Rama do të ikë vetë. Se nuk mbaron pilafi në kazan, jo. Rama nuk ikën, Ramën do ta largojmë ne.  Nuk do ta largojnë partitë politike, por do ta largojnë shqiptarët sepse shqiptarët janë ata, të cilët e ndjejnë dhimbjen më të madhe. Nuk e ndiejmë ne kryetarët e partive politike, nuk e ndiejnë as deputetët në Parlament, por më shumë nga të gjithë e ndiejnë studentët, familjarët e studentëve, e ndien biznesi i vogël, e ndiejnë mjekët dhe infermierët, e ndiejnë pedagogët, të cilët i ka kthyer si hiena suflerët e vetë për t`i sulmuar. E ndien e gjithë ajo administratë publikë, që çdo ditë e më shumë frustrohet,rrezikohet dhe kërcënohet.

 

Dua të them diçka dhe për Vettingun e famshëm. Unë që nga dita e djeshme kam komplet një mendim tjetër për të gjithë drejtuesit e LSI-së që janë sot në LSI. Për të gjithë ata pjesëtarë të LSI-së që kanë drejtuar dhe kanë qenë në institucionet drejtuese të LSI-së dhe të qeverisë, për shkak të portofoleve të tyre politike, qoftë me mandatet e Partisë Demokratike, qoftë edhe me mandatin e Partisë Socialiste. Vota e opozitës dje për Vettingun që të bëhet Vettingu në politikë, më hoqi çdo dyshim dhe çdo fije dyshimi që ata njerëz të LSI, të cilët kanë qenë përfaqësues të LSI në pushtet dhe janë sot me LSI-në, janë të ndershëm dhe të pastër dhe nuk janë gjë tjetër veçse dinjiteti ynë. Dhe për të gjithë ata, të cilët e kanë përdorur si trampolinë LSI-në dhe sot janë në tepsinë e Edi Ramës,kanë qenë turpi i LSI-së dhe sot nuk janë gjë tjetër veçse pjesë përbërëse e grupit të Edi Ramës, ku treguan dhe njëherë që me votën e tyre kundër Vettingut në politikë, ata janë hajdutët, ata janë grabitësit, ata janë kriminelët, ata janë ata që s`duan Reformën në Drejtësi, ata janë ata që s`duan të ngrihet Byroja e Hetimit dhe SPAK-u. Ata janë ata që s`duan që të hapen negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, sepse një Shqipëri evropiane është e pamundur që të jetë vegël e krimit të organizuar.

 

Prandaj, vota dje në Parlament tregoi dhe njëherë  hapur, që Partia Socialiste tashmë është e kapur nga një sekt kriminal. Vota dje në parlament e tyre tregoi dhe njëherë që Rilindja, nuk ishte gjë tjetër, veçse Rilindja e krimit dhe e korrupsionit në Shqipëri. Tregoi edhe njëherë tjetër që Shqipëria dhe shqiptarët dhe të gjitha partitë politike kanë një punë shumë të madhe për të spastruar Shqipërinë nga krimi, nga bandat, nga të korruptuarit dhe të inkriminuarit, jo vetëm në jetën politike, por edhe në jetën ekonomike. Sepse ky kryeministër ka shkatërruar ekonominë e vendit, ka kthyer ekonominë e Shqipërinë në një mutacion ekonomik, ku do të thotë një Shqipëri e varfëruar me një popull të dëshpëruar, i cili çdo ditë e më shumë kërkon të largohet. Por unë ju jap fjalën time, dhe jo fjalën time, por të gjithë atyre djemve dhe vajzave që kanë qenë, pjesë e protestave të studentëve edhe pse janë anëtarë të Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë qenë pjesë e protestës si studentë, jo si militantë partie dhe kanë bërë gjënë më të bukur dhe më të mençur, jo vetëm për LSI-në por edhe për jetën e tyre, prandaj ju fjalën që ne nuk do ndalemi derisa Edi Rama të plotësojë kërkesat e studentëve, derisa Edi Rama të kuptojë që dialogu që kërkon nuk është monologu i tij, por dialogu që ai kërkon është dialog për hapjen e negociatave dhe nuk ka të bëjë me Edi Ramën, por ka të bëjë me detyrat e shtëpisë që Edi Rama duhet të bëjë: një , të arrestojë Afrim Qendron dhe Damian Gjiknurin për vjedhjen e tmerrshme që kanë bërë në Unazën e Re.

Për të kërkuar falje publike për falsifikimin e firmës së Sekretarit të Shtetit, sepse ajo është bërë me urdhër të Edi Ramës dhe përgjegjësinë duhet ta mbajë ai, për të kërkuar falje për të gjitha veprimet e vonuara që bën sepse është bashkëpunëtor në krim është bashkëpunëtor në vjedhje, është bashkëpunëtor në falsifikim. Ky njeri që ka marrë sot peng Shqipërinë duhet ta kuptojë që ka vetëm dy rrugë ose fundin e tmerrshëm ose tmerr pa fund, sepse gratë dhe vajzat shqiptare nuk do të ndalen, më shumë nuk do të ndalen nënat, të cilat e japin jetën për fëmijët e tyre dhe të ardhmen e tyre, ti bëjë mirë llogaritë Edi Rama sepse nuk ka prindër që lë fëmijët e tij në rrugë sepse i do qejfi Edi Ramës. Edi Ramës i erdhi momenti, o sot o kurrë, prandaj o të shpëtojë veten dhe familjen e tij, ose shqiptarët do at ngrenë zgupthi, jo burrat, por do ta ngrenë gratë shqiptare sepse e kanë ndarë mendjen për të ndërtuar familjet e tyre në Shqipëri dhe për ti dhënë të ardhme Shqipërisë.

Nuk më mbetet gjë tjetër, vese t’ju uroj gjithë të mirat, Zoti ju ruajtë ju dhe familjet e juaja, Zoti t’ju bekojë ju dhe familjet tuaja. Ne nuk do të ndalemi, do të vazhdojmë në të gjithë Shqipërinë për të takuar strukturat sepse pavarësisht nga situata që gjendemi dhe protestës së studentëve, por nuk janë vetëm studentët, është dhe biznesi i vogël, janë edhe fermerët, janë edhe mësuesit, janë edhe naftëtarët, janë dhe pedagogët, janë të të gjithë shqiptarët. Por ju uroj ju dhe gjithë shqiptarët, që 2019 të jetë një vit i begatë, të jetë një vit ku shqiptarët të jenë të lirë, të jetë një vit ku shqiptarët të fillojnë negociatat me Bashkimin Evropian, të jetë një vit ku politika të mos jetë pasqyra e shëmtuar, por të jetë një vit ku politika të tregojë se e do popullin e saj. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaj, unë ftoj Luan Ramën që ta mbajë fjalën e tij sepse unë jam deputete e Elbasanit dhe nuk mund ta mbyll këtë takim, se duke qenë deputete quhem edhe pjesë e shtëpisë, por do dëshiroja t’ja jepja fjalën Luanit, sepse Luani ka qenë një mentor shumë i mirë i studentëve tanë në gjithë këto ditë kaq të vështira dhe në gjithë këtë situatë, ku ne kemi nevojë për frymëzim, për kurajë, por më shumë se studentët kemi nevojë edhe ne drejtuesit e partisë.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here