Çfarë ka ndodhur? Revolta që rrëzon ekonominë zyrtare…

0
158

Pyetja e parë, që të shkon në mendje kur shikon kërkesat në daljet shumëditore të studentëve rrugëve të Shqipërisë është, se përse ndodhi pikërisht tani. Përtej hipotezave të çfarëdo tipi, politike ose jo, të vendit apo të huaja, klanore ose partiake, se cilët mund të kenë nxitur ose se kush mund të përfitojë nga protesta e tyre sot ose nesër, një fakt është i pamohueshëm. Studentët në masë dërrmuese janë ngritur masivisht pikërisht sot dhe jo p.sh para 3, 5 ose 10 vjetësh. Çfarë ka ndodhur?

Shpjegimi i vetëm i pyetjes së mësipërme nuk është i vështirë të gjendet. Janë ngritur në revoltë dhe janë kaq këmbëngulës pikërisht sot, sepse gjendja ekonomike e familjeve, prindërve dhe vetë atyre ka rënë aq poshtë, sa nuk u ka lënë rrugëzgjidhje tjetër. Përveç daljes në rrugë. Ose thënë më qartë. Prindërit janë të detyruar të bëjnë zgjidhjen e fundit të vështirë dhe të dhimbshme të nxjerrin fëmijët e tyre në rrugë, sepse nuk mund të përballojnë dot më mbështetjen financiare te vazhdimit të shkollës. E vërteta e pamohueshme është, se në rrugë sot nëpërmjet studentëve janë edhe prindërit e tyre. Në kushte të tilla, kemi të bëjmë me revolta të shoqërisë në tërësi, të shprehur në pikën më të ndjeshme dhe më të mundshme të shpërthimit në kushtet e zbrazjes rrëqethëse të popullsisë shqiptare. Studentët.

Arsyetimi i mësipërm vë në pikëpyetje të madhe vërtetësinë e shifrave zyrtare të rritjes ekonomike të vendit. Sipas të dhënave qeveritare pretendohet, se vendi të paktën në tre vitet e fundit ka patur një rritje ekonomike mesatare prej 3% të PBB. Një rritje e tillë duhet të kishte një përmirësim të nivelit të jetesës, ose të paktën nuk duhet të kishte varfërim. Por, revolta me thelb varfërinë, flet ndryshe.

Dy janë mundësitë. Ose shifrat qeveritare janë të pasakta dhe Shqipëria faktikisht ka qenë dhe është në recesion ekonomik përtej shifrave zyrtare, ose rritja ekonomike e Shqipërisë është e tillë, që thellon dukshëm pabarazinë shoqërore. Ose dhe të dy raste së bashku. Në të gjitha rastet kemi të pranishme as më pak e as më shumë, dështim të qeverisjes dhe rënie të një sistemi ekonomik të ndërtuar në pothuaj 30 vjet. Një sistem ekonomik, që në rastin më të mirë prodhon rritje, që përfundon në pasuri vetëm për një grusht njerëzish. Dhe në rastin më të mundshëm, që vazhdon të rrisë pasurinë e një grushti njerëzish edhe në kushtet e rënies ekonomike! Dhe kjo e fundit si përfundim rrezikon të ketë, ose rindërtimin thelbësor ligjor të sistemit ekonomiko-politik në fuqi, ose vendosjen e diktaturës. Diktaturë të hapur ose të fshehtë nuk ka shumë rëndësi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here