Do habitemi! T’i lemë llogjet, të shohim, kush i përlan buxhetet e universiteteve!

0
127

T’i lemë llogjet, të shohim, kush i përlan buxhetet e universiteteve!

Do habitemi!

Kërkoj prej muajsh transparencë dhe nuk e gjej!

E dinë miqtë e mi senatorë në Universitetin e Tiranës.

A mund të më ndihmojë njeri?

Ndonjë deputet, ndonjë ministër, ndonjë gazetar, a ndonjë kryetar partie opozitare?

Kam dëgjuar se :

1. Thuhet se për të mbajtur gjoja sistemin informatik të universitetit janë paguar dhe paguhen miliona cdo muaj. Di njeri se çfarë vendimi ka marrë bordi për t’i tharë xhepat e buxhetet e universitetit të Tiranës me shërbime që askush nuk e di se kush paguhet, përse, dhe ku shërbimet për studentët dhe pedagogët në dixhital janë problematike?

2. Për kampusin universitar që gjoja do të ngrihej në Tiranë, dhe që për mua nuk duhet kurrë të ngrihet në formën e një korpusi gjigandoman që fsheh abuzime, më thonë se Universiteti i Tiranës paska paguar për projektimin shuma marramendëse që shkojnë në miliona euro. Ndërkaq që ka vite që as bëhet fjalë për kampus!

Eshtë e vërtetë dhe sa ka qenë kjo shumë dhe kush e ka marrë këtë vendim, dhe kujt i është paguar e përse parapaguar?

Eshtë e vërtetë apo jo? Do të doja mos ishte se poqese është atëhere ka rënë tërmet.

3. Terrenet sportive të Universitetit të Tiranës i ka marrë Bashkia e Tiranës dhe i ka nxjerrë krejtësisht nga funksioni që kanë pasur.

Eshtë e vërtetë? Kush e ka dhënë atë urdhër, kush e ka pranuar këtë gjë, kush i merr paratë nga përdorimi i atyre terreneve sportive jo për funksionin e tyre por për parkingje a ku e di unë se cfarë tjetër?

Janë milion lekë të humbura!

4. Thonë që megjithëse kemi një agjenci akreditimi që e paguajnë familjet e studentëve sa frëngu pulën, erdhi një agjenci angleze, e lodhur dhe e plakur, që na e bëri si deshi! Ndonëse zotërinjtë shumë të lodhur nuk dinin asnjë fjalë shqip!

Thonë që nga xhepat e studentëve fluturuan të tjera miliona e dhjetra miliona!

Mund ta dimë sa u pagua, kush i pagoi, dhe kush e vuri cmimin e këtij shërbimi që po na rezulton një fiasko e plotë!

5. Thonë që konviktet i ka marrë në administrim a pronësi Bashkia Tiranë. A ka ndokush ndonjë ide sesa janë fitiumet që merren nga dhënia me qira e dhomave dhe se çfarë do Bashkia Tiranë që u bie në qafë universiteteve duke u marrë shërbimeve universitare një burim të ardhurash?

Di njeri përsa më sipër?

6. Studentët kanë në programet universitare gjuhë të huaj. Megjithatë në nivel masteri më thuhet se atyre u kërkohet të japin provime në agjenci private.

Di njeri kush e ka marrë këtë urdhër? Përse nuk njihet diplioma universitare me provimin përkatës?

Sa parà kanë qarkulluar në vit dhe kush i merr këto para?

7. Ka vite që shkollat doktorale nuk funksionojnë?

A ka ndokush një informacion sa është fitimi i munguar i universiteteve publike nga kjo mbyllje dhe ky mosfunksionim?

Kush e mban përgjegjësinë për këtë fitim të munguar që duhet të ketë arritur qindra milionë lekë në vit?

8. Bibliotekë për studentët nuk ka.

A mundet dikush të llogarisi sesa lekë shkojnë në xhepat e privatëve që komandojnë ministren e kulturës direkt nga xhepat e studentëve për të blerë libra që duhen si buka e uji, por që nuk gjenden në biblioteka?

Sa lekë në vit, sa miliarda shkojnë në xhepat e privatëve për shërbim të universiteteve publike?

A ka ministër të ekonomisë ky vend apo jo?

A ka borde ky vend apo jo?

Pse na tregojnë llogje në vend të llogarive?

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here