Nga qyteti i Fierit, ku zhvilloi një takim me strukturat e LSI së këtij qyteti, Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi e cilësoi kryekëput një mashtrim të madh publik konferencën për shtyp të kryeministrit sot në lidhje me plotësimin e tetë kërkesave të studentëve. Kryemadhi argumentoi të gjitha ato pretendime të kryeministrit për plotësimin e këtyre kërkesave. Kryetarja e LSI-së tha se këto pretendime janë mashtrime të mëdha, ndërsa renditi një sërë faktesh që e nxirrnin kryeministrin gënjeshtar përpara shqiptarëve. “Me paturpësinë më të madhe ky njeri jo vetëm që nuk plotësoi asnjë nga kërkesat e studentëve, por thonte do të përgjysmojmë tarifat e studentëve. Kryeministër mashtrues dhe grabitës! Kërkon të grabisë inteligjencën e shqiptarëve duke i mashtruar. Një mashtrues që kalon çdo normë! Ky kryeministër merr përsipër dhe thotë që do të përgjysmojmë tarifat, do të japim shpërblim për studentët që janë mbi mesataren 9, ose nuk do të paguajmë ata që janë nën mesataren 6, do të japim bursa për studentët e Masterit, do të investojmë 3 milion euro për godina. Mor kryeministër mashtrues! Vetëm Qyteti Studenti ka 27 godina. Një godinë minimumi kushton 3 milion euro që ta rikonstruktosh. Kë gënjen? Mor kryeministër mashtrues! Si mund të thuash ti që do të ul unë tarifat e studentëve, kur ti dy herë nuk pranove për të ndryshuar projektligjin e buxhetit për të ulur tarifat e studentëve? Si mund të gënjejë ky kryeministër, i cili thotë që do të realizojmë Kartën e Studentit për Kartën Europiane? Po si realizohet Karta e Studentit për Kartën Europiane të studentit, kur ai duhet të ndryshojë ligjin e arsimit të lartë.
Si mund të thotë ky që përfshirjen e studentëve në votime me 50% e ka në dorë universiteti? Ky kryeministër ose është i paaftë mendërisht, që mua nuk më duket që është kështu sepse ai është shumë i aftë për të grabitur paratë e shqiptarëve. Është shumë i aftë për të gënjyer. Ose ky kryeministër i mendon shqiptarët që hanë përshesh dhe ky është më i mençuri nga të gjithë. Po e them këtu për t’iu sensibilizuar ju të gjithë sepse pjesa më e madhe e juaja i keni fëmijët studentë, por edhe për të dhënë një mesazh këtu nga qyteti i Fierit për të gjithë ata studentë që sot nuk janë në Tiranë por janë kthyer në shtëpitë e tyre. Për të gjithë ata studentë të Tiranës të cilët e mbajnë zjarrin e protestat nga ora 10-12 përballë Kryeministrisë, duke bërë protesta simbolike.
Por e them edhe për të gjithë ata gazetarë dhe për të gjitha ato media të cilat merren me fasadën e deklaratave të Edi Ramës dhe nuk merren me thelbin. Edi Rama gënjen. Gënjen ashtu siç ka gënjyer në gjithë këto vite. Edi Rama gënjen për kërkesat e studentëve ashtu siç gënjeu kur tha që do ta ulë TVSH-në e energjisë elektrike nga 20% në 6%. Të më thotë njëri nga ju nëse në faturën e energjisë elektrike TVSH-në e ka 6% dhe nuk e ka 20%. Edi Rama gënjeu kur tha që do të ulë TVSH-në për ushqimet e shportës, për bukën, për vajin, për sheqerin, orizin e miellin. Dhe nuk i ka ulur. Edi Rama gënjen edhe për kërkesat e studentëve ashtu siç gënjeu për 300 mijë vendet e reja të punës. Të cilat jo vetëm që nuk i hapi 300 mijë vende pune, por po i mbyll vendet e punës dhe përveç kësaj po i detyron shqiptarët të largohen nga Shqipëria. Dhe vetëm në vitet e fundit kanë ikur më shumë se 400 mijë të rinj dhe të reja nga Shqipëria”, tha Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.