Ndryshe nga barnat anti-inflamatore, të cilat vetëm reduktojnë simptomat, barnat biologjike janë ato më rezultative midis mjaft alternativave mjekuese. Injeksionet intraartikulare ose në indet e buta, mjekësia alternative, mjekimi me barna natyrale bimore dhe kirurgjia janë opsione të tjera të trajtimit
Artriti paraqet një gjendje shëndetësore që karakterizohet nga dhimbja, në të cilën preken artikulacionet, kockat, ligamentet, tendinat dhe muskujt. Sëmundjet reumatizmale quhen gjithashtu sëmundje muskulo-skeletike. Prof. Argjend Tafaj, mjek reumatolog në QSUT thotë se shumë njerëz përdorin termin artritis, duke iu referuar të gjithë sëmundjeve reumatizmale por Artritis në të vërtetë do të thotë inflamacion i artikulacioneve, e cila është simptomë e këtyre sëmundjeve. Artriti në kuptimin e thjeshtë të tij duhet kuptuar si dhimbje, inflamacion dhe dëmtim i artikulacioneve. Në sëmundjet reumatizmale përfshihen rreth 200 patologji të ndryshme, që variojnë nga llojet e ndryshme të artriteve, nga osteoporoza dhe deri te sëmundjet sistemike të indit lidhor.
Sëmundjet
Sëmundjet reumatizmale në përgjithësi klasifikohen në inflamatore dhe joinflamatore.
Së pari, sëmundjet reumatizmale inflamatore më të shpeshta janë: artriti reumatoid, spondiliti ankilozant, sëmundjet sistemike autoimune të indit lidhor, artriti reaktiv, artriti psoriatik, polimialgjia reumatike.
Së dyti, sëmundjet reumatizmale joinflamatore më të shpeshta janë: sëmundjet degjenerative të kolonës vertebrale, osteoartrit, osteoporoza dhe fibromialgjia.
Sëmundjet reumatizmale prekin ¼ e popullsisë të Europës, rreth 120 milionë njerëz. Mund të themi se pothuajse çdo familje në Europë ka një anëtar të saj me sëmundje reumatizmale. Këto sëmundje prekin si meshkuj ashtu edhe femra, të të gjitha moshave përfshirë edhe fëmijët. Megjithatë disa sëmundje reumatizmale janë më të shpeshta në disa grupe të caktuara njerëzish. Femrat janë më të prekura nga sëmundjet e artritit reumatoid, fibromialgjisë, lupusit, ndërkohë që meshkujt janë më të prekur nga spondiloartropatit dhe guta. Sëmundjet reumatizmale janë shkak i parë i paaftësisë së përkohshme për punë dhe invaliditetit të parakohshëm, në mbarë botën. Këto sëmundje kanë koston më të lartë në sistemin socio-ekonomik europian. Këto shpenzime bëhen për diagnozën, mjekimin, barnat, kujdesin, mjetet për invalidët, modifikimet e banesave, për studime shkencore etj. Ulja e aftësisë për punë dhe mungesat në punë, kontribuojnë gjithashtu në këto shpenzime. Në qoftë se nuk mjekohen sëmundjet reumatizmale bëhen shkak për vdekje të parakohshme.
Diagnostikimi
Personat me sëmundje reumatizmale shpeshherë diagnostikohen me vonesë, p.sh. fibromialgjia nuk diagnostikohet në 3 nga 4 të sëmurë dhe diagnoza përfundimtare vendoset mesatarisht pas 5 vitesh të shfaqjes së sëmundjes. Diagnostikimi i hershëm është çelësi i parandalimit të dëmtimeve, por vonesa apo mosdiagnostikimi ndodh shpesh te këta të sëmurë. Nëse këta pacientë nuk mjekohen si duhet, aftësitë fizike, cilësia e jetës dhe aktiviteti ditor reduktohen. Për një diagnozë të hershme është e rëndësishme të njihen simptomat e këtyre patologjive. Në shumë raste, sëmundjet reumatizmale mund të jenë të trashëguara, gjithsesi një histori familjare me këtë sëmundje nuk domethënë që patjetër do trashëgohet nga familjarët e tjerë. Këto patologji mund të influencohen nga faktorë që lidhen me stilin e jetesës si p.sh. duhanpirja, mbipesha, jeta sedentare, mosha e rritur, punë të rënda fizike që çojnë në dëmtime të muskujve dhe artikulacioneve. Në mjaft raste shkaqet e këtyre patologjive mbeten të panjohura.
Simptomat dhe mjekimi
Faza e parë në menaxhimin e çdo sëmundjeje është njohja me simptomat dhe ndihma nga mjeku specialist. Inflamacioni në artikulacione karakterizohet nga edema, ngurtësimi, skuqja dhe nxehtësia. Përjetohen dhimbje të vazhdueshme artikulare dhe muskulare, dhimbje që shtohen në prekje apo gjatë lëvizjeve të artikulacioneve, dobësi të theksuar trupore, lodhje të shpejtë, ngurtësim dhe kufizim të lëvizjeve, deformim të artikulacioneve, si edhe simptoma të tjera që lidhen me dëmtime të organeve. Ka edhe simptoma të cilat mund të mos vihen re si depresioni dhe ankthi. Në disa raste mund të shfaqet edhe temperaturë. Pas shfaqjes së shenjave të sëmundjeve reumatizmale duhet vlerësimi nga mjeku reumatolog, sa më shpejt për të filluar mjekimin e duhur. Fillimi i hershëm i mjekimit, përkatësisht në 12 javët e para mund të parandalojë dëmtime të organeve dhe të sistemit muskulo-skeletik, të përmirësojë funksionin për kohë të gjatë dhe të arrijë remision të sëmundjes. Mjekimi kërkon një bashkëpunim shumë të ngushtë mjek-pacient, duke u konsultuar me protokollet mjekuese të hartuara për këto patologji, por duke ua adaptuar rast pas rasti pacientëve të veçantë. Nuk ekziston një mjekim ose bar i vetëm që të jetë optimal për çdo të sëmurë. Mjaft sëmundje reumatizmale mjekohen me barna të quajtura modifikues të sëmundjes, të cilët veprojnë direkt mbi mekanizmat patogjenetik të këtyre patologjive. Ndryshe nga barnat anti-inflamatore, të cilat vetëm reduktojnë simptomat, barnat biologjike janë ato më rezultative midis mjaft alternativave mjekuese. Injeksionet intraartikulare ose në indet e buta, mjekësia alternative, mjekimi me barna natyrale bimore dhe kirurgjia janë opsione të tjera të trajtimit. Rezultatet e mjekimit nuk janë të njëjta por variojnë nga njëri pacient te tjetri.
Këshilla për pacientët
Shumë nga këto sëmundje kanë prejardhje trashëgimie të cilën nuk e ndryshojmë dot, por mund të ndryshojmë stilin e jetesës. Duhet shmangur duhanpirja, duhet kontrolluar pesha fizike e trupit, mos të kalohet në mbipeshë, duhet konsumuar një dietë e ekuilibruar, duhet kryer aktivitet fizik. Gjithmonë pacienti paralelisht duhet të jetë edhe nën trajtimin e mjekut specialist.