“Zëri i Amerikës” dhe “Deutsche Welle” kanë komentuar sot ndryshimet në kabinetin “Rama”. Në raportimet e dy mediave kryesore të huaja në gjuhën shqipe, bie në sy qëndrimi mbi largimin e ministrit Ditmir Bushati dhe emërimi i disa drejtoreshave të administratës në qeveri.
Raportimi i “Zërit të Amerikës”: Në Shqipëri kryeministri Edi Rama njoftoi të premten ndryshime të thella në kabinetin e tij qeveritar. Gjysma e ministrave aktualë do ta largohen. Ndryshimet vijnë pas një tronditjeje që qeveria e zotit Rama ndjeu me protestën e studentëve. Ai vetë e pranoi se “kjo proteste na ka dhënë diçka që duhet ta ruajmë e ushqejmë. Frymën e reagimit me pakënaqësi të plotë ndaj vetes. Dhe ju ftoj të gjithëve, që dhe ndryshimin e qeverisë, ta shihni si pjesë të një refektimi dhe kapërcimi të domosdoshëm për ta kthyer këtë mandat, në atë të rezultateve që do na çojnë në fitoren e mandatit të tretë. Studentët na dhanë mundësinë të lexojmë se cila është rruga për të marrë mandatin e tretë”, – u shpreh zoti Rama.
Me vendimin e sotëm, kabinetin qeveritar e lënë emra të rëndësishëm të tij, mes tyre dy superministrat Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri, të cilët pas zgjedhjeve të 2017, morën kompetenca shumë të gjera. Në vend të tyre janë emëruar Anila Denaj, drejtoreshë aktuale e Fondit të Shërbimit Kombëtar Shëndetësor dhe Belinda Balluku, Drejtoresha aktuale e Aviacionit Civil. E papritur lëvizja e Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, në një kohë kur diplomacia gjendet përpara sfidave të rëndësishme, që nga ajo e integrimit europian, te drejtimi i OSBE-së në vitin 2020, ndërkohë që duke nisur nga viti i ardhshëm vendi do të jetë pjesë e Trojkës së kësaj organizate, e deri te procesi i dialogut që është hapur me Greqinë për trajtimin e një sërë çështjesh të mbetura pezull, përfshirë të ashtuquajturën Marrëveshje e Detit. Lëvizja e tij u motivua me kriterin e të qenurit 5 vjet në kabinetin qeverisës. Në vend të zotit Bushati, është emëruar zëvendës ministri aktual Gent Cakaj, nga Kosova.
Jashtë qeverisë është zëvendës kryeministrja aktuale Senida Mesi. Në vend të saj vjen një prej emrave të spikatur të Partisë Socialiste, Erion Braçe, aktualisht kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave. Në postin e Ministres së Arsimit, Besa Shahini, Zëvendës Ministre aktuale e këtij dikasteri dhe që do të pasojë Lindita Nikollën. Ndër lëvizjet e tjera është dhe ajo e Ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, që do të zëvendësohet nga Elva Margariti; e Ministrit të Bujqësisë Niko Peleshi, që do të zëvëndësohet nga një tjetër emër i njohur Bledi Çuçi, i rikthyer në kabinet. Një tjetër rikthim është dhe ai i Eduard Shalsit, i cili pason Sonila Qaton në postin e Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Kryeministri Rama riktheu gjithashtu funksionin e Ministrit për Marërdhëniet me Parlamentin, duke emëruar Elisa Spiropalin.(VOA)
Raportimi i “Deutsche Welle”: Ikin figurat politike të PS, vijnë drejtoreshat në qeveri
Kryeministri Rama shkarkoi të premten paradite (28.12.2018) shtatë anëtarë të kabinetit të tij. Zëvendëskryeministrja Senida Mesi zëvendësohet nga deputeti socialist Erion Braҫe, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj zëvendësohet nga Anila Denaj, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati zëvendësohet nga Genci Cakaj, aktualisht zëvendësministër i jashtëm, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri zëvendësohet nga Belinda Balluku, ish-Drejtore e Aviacionit Civil, ministri i Bujqësisë dhe i Zhvillimit Rural, Niko Peleshi zëvendësohet nga deputeti socialist Blendi Çuҫi, ish-ministër Shteti për Çështjet Vendore, ministrja e Sipërmarrjes dhe Biznesit Sonila Qato zëvendësohet nga ish-Ministri i Pushtetit Lokal, deputeti socialist Eduard Shalësi, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla zëvendësohet nga Besa Shahini, aktualisht zëvendësministre e Arsimit, Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës zëvendësohet nga Elva Margariti.
Në qeverinë e sapoformuar të Tiranës, për herë të parë që nga vitet 40-të të shekullit të kaluar, pra pas rreth 80 vitesh, bëjnë pjesë dy ministra nga Kosova: Genci Cakaj, ministër i Jashtëm dhe Besa Shahini, ministre e Arsimit. Kabineti i sapoformuar qeverisës përbëhet kryesisht nga gra, ish-drejtore drejtorish dhe jo nga figura politike te PS.
Meta- ndryshimet në qeveri nuk vlejnë, pa një filozofi bashkëpunuese
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka shprehur rezerva lidhur me ndikimin pozitiv të ndryshimeve në qeveri. Sipas tij “nëse nuk ndryshojnë politikat dhe filozofia e qeverisjes, ndryshimet e emrave nuk kanë rëndësi”.
“Është e rëndësishme të ndryshojë filozofia e qeverisjes, që duhet të jetë një filozofi bashkëpunuese me opozitën, me grupet e interesit, me institucionet e pavarura sepse kjo do të na ndihmojë që të jemi më reflektues për të sjellë ato ndryshime që kanë nevojë njerëzit në vështirësi, një pjesë e mirë e shqiptarëve, për të zgjeruar dhe konsoliduar shtresën e mesme,që është domosdoshmëri për të shmangur një ndarje sociale që mund të bëhej shumë e rrezikshme për shoqërinë”, ka theksuar në një deklaratë të tij Presidenti Meta.
Protesta e studentëve – shkëndija për ndryshimet
Arsyet e shkarkimit të shtatë anëtarëve të kabinetit mund të jenë disa. Vetë kryeministri Rama tha të premten, se “do të largohen ata ministra që kanë pesë vite në detyrë”, pra që kanë qënë edhe në qeverinë Rama 1. Konsumim pushteti apo mungesë rezultatesh? Këtë kryeministri Rama nuk e cilësoi. Por tha qartë se protesta e studentëve, e nisur në fillim të këtij muaji, për tarifat e studimit dhe kushtet e jetesës në kampuset universitare, e paralajmëruar për të rifilluar në janar 2019, ishte “një mundësi e mirëseardhur” për ndryshim.
“Një mundësi e mirëseardhur në formën e një reagimi shumë kuptimplotë, në emër të një jete më të mirë universitare. Përtej kushteve, indiferencës ndaj politikës, edhe kur çirreshin para fytyrës sime “Turp, turp”, ata shihnin dhe shohin në drejtimin tonë sepse jemi mundësia e vetme për ta. Ata na dhanë një shuplakë që mua më përvëlon si ditën e parë dhe unë zgjodha të kthej faqen tjetër,” argumentoi kryeministri Rama furtunën në qeverinë e tij.
Opozita – ndryshime që tregojnë lidhjen e qeverisë me krimin
Dy nga ministrat e shkarkuar, Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri kanë qenë në shënjestër të akuzave të opozitës për korrupsion. Opozita e konsideron largimin e tyre nga qeveria si vërtetim të akuzave të saj. Si shkak për pakënaqësinë ndaj qeverisë Rama 2, të sintetizuar në protestën e studentëve, kryeministri paraqitit edhe atë që ai e quajti “mpirje të qeverisjes, ulje të kapaciteteve reaguese nga mungesa e opozitës, që u ka dhënë socialistëve komfortin të jenë zgjidhja e vetme”.
Por opozita nuk i konsideron ndryshimet si shenjë të vullnetit dhe përpjekjeve për të përmirësuar qeverisjen. Kryetari i PD, Lulzim Basha theksoi në një deklaratë për mediat se “ministrat e rinj janë një përzierje njërëzish të paaftë, anonimë dhe thellësisht të korruptuar. Roli i tyre i vetëm është të shërbejnë si fasadë për qeverisjen e Ramës direkt me oligarkët dhe krimin”. (DW)