Partia Socialdemokrate Gjermane do të ndjekë në të ardhmen një politikë pa iluzione dhe kritike ndaj Rusisë. “Politika e vjetër ndaj Rusisë karakterizohej fort nga deviza: politikanë kryesorë ulen në darkë disa orë me Putinin dhe pastaj diçka do të lëvizë në drejtimin e duhur. Kjo ka dalë llogari e gabuar”, tha Nils Schmid, zëdhënësi për politikën e jashtme të Grupit Parlamentar të SPD-së në bisedë me gazetën “Frankfurter Allgemeinen Zeitung”.
Kjo politikë që bazohet në marrëdhënie personale përballë Moskës, siç ndiqej nga ish-kancelari Gerhard Schröder dhe ish-ministrat e Jashtëm Frank-Walter Steinmeier dhe Sigmar Gabriel do t’i përkasë përfundimisht së kaluarës, u shpreh Schmid
I zhgënjyer për marrëdhëniet aktuale
Politikani 45 vjeçar socialdemokrat Schmid sheh në politikën ndaj Rusisë së partisë së tij edhe një çështje brezash. Brezin e tij e ka formësuar koha e perestrojkës nën Mihail Gorbaçovin, jo më politika ndaj Lindjes e ish-kancelarit socialdemokrat Willy Brandt.
Schmid u shpreh i zhgënjyer për marrëdhëniet aktuale me Rusinë, në të cilat nuk ka zhvillime përpara. “Ne vazhdojmë të zhvillojmë dialog me Rusinë. Por në thelb, për çështjet vendimtare – si në konfliktin e Ukrainës – Moska nuk lëviz”, tha ai.
Armiku i shtetit në Ukrainë
Ish-kancelari Schröder është shprehur së fundi herë pas here me mirëkuptim për Rusinë. Ai ka miqësi me Presidentin Putin. Ndërkohë Schröderi është shfaqur në një listë të “armiqve të shtetit” të Ukrainës. Kjo me sa duket ndodhi, kur në një intervistë në vitin 2014 ai shprehu mirëkuptim për aneksimin në vitin 2014 të Gadishullit të Krimesë nga Ukraina.
Prej marrjes së postit, ministri i Jashtëm Heiko Maas ndjek një politikë që dallohet nga ajo e parardhësve të tij. Në mënyrë të përsëritur ai është treguar i pakënaqur për dialogun në konfliktin e Ukrainës. Qëndrimi i Maasit “nuk është antirus”, tha Schmid. Maas u kushton rëndësi një rendi të bazuar në rregulla, ruajtjes së të drejtave të njeriut, zgjedhjeve të reja dhe demokracisë.”