Një foshnjë 11 muajshe u nxor e gjallë nën gërmadhat e një ndërtese e cila ishte shembur rreth 35 orë më parë në Magnitogorsk të Rusisë. Ai u gjet nga forcat e shpëtimit i mbështjellë në një batanije dhe në krevatin e tij në qytetin e Urals, rreth 1.695 km në lindje të Moskës, ku temperatura shënonte rreth -17 ° C.
Fëmija i shpëtuar, gjë të cilën shërbimet e emergjencës e kanë quajtur “një mrekulli”, aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, megjithatë mjekët janë optimistë.
Guvernatori i rajonit Chelyabinsk, Boris Dubrovsky, në aplikacionin “Telegram”, shkroi se zbulimi i foshnjës djalë u bë gjatë “minutës së heshtjes”, kur ekipet ndërpresin punimet për të dëgjuar të mbijetuarit e mundshëm të lëshojnë ndonjë zë.
“Fëmija ka shpëtuar sepse ishte i mbështjellë mirë dhe brenda krevatit për fëmijë”, shkroi Dubrovsky.
Nëpër media të ndryshme tashmë qarkullon një video e bërë nga punonjësit për kërkim dhe shpëtim ku shihet se si ata nxjerrin nga gërmadhat foshnjën 11 muajshe i cili ka pësuar trauma të kokës dhe ngrirje të ekstremiteteve, megjithatë stafi mjekësor thotë se prognoza është pozitive.
Nëna e djalit është e gjallë dhe ajo ka mbërritur në spital.