Janë disa ndryshime të rëndësishme taksash që hyjnë në fuqi në vitin 2019.
Niko Lera, Drejtor i Politikave Fiskale në ministrinë e Financave, thotë se biznesi në Shqipëri do të ketë tre shkallë tatim fitimi, fasha e parë 0% për subjekt me xhiro deri në 5 milion lekë në vit, nuk ndryshon.
Kufiri i sipërm për fashën e biznese që paguajnë 5%, shkon nga 8 në 14 milionë lekë xhiro në vit. Mbi këtë shifër, tatim fitimi është 15%. Ndryshimi tjetër është në tatimin progresiv të pagave, fasha e pagave bruto që tatohet me 13%, rritet nga 130 mijë në 150 mijë lekë në muaj.
“Ne kemi një sistem që takson me 0 % pagat deri në 30 mijë lekë.Takson me 13% pagat nga 30-150 mijë lek dhe takson me 23% pagat mbi 150 mijë”, shprehet Niko Lera per “t.ch”.
Edhe pse nuk është ligj, rritja e pagës minimale dhe maksimale për efekte fiskale, rrit sigurimet që paguajnë punonjësit me paga mbi 114 mijë lekë në muaj.
“Kemi llogaritur që kjo rritje e pagës minimale të gjenerojë 1.7 miliardë lekë fonde, të cilat do të shkojnë në fondit e Institutit të Sigurimeve Shoqërore”, thotë Lera.
Në 2019-ën është rritur akciza e programuar e duhanit, ndërkohë është ulur tatimi mbi fitimin dhe TVSH-ja për të gjithë sektorin e agroturizmit, nga ana tjetër taksa e dividentit ose fitimit që shkon në xhepat e aksionerëve të kompanive, shkon nga 15 në 8%. Por sa është efekti i ndryshimeve fiskale në buxhet.
“Ne kemi llogaritur një efekt diku tek 5-6 miliardë lekë të paketës fiskale në buxhet, duke përmbledhur efektet e rritjes së pagës minimale dhe uljes së taksës së dividentit”, deklaron Lera.