BE “duhet të jetë e hapur”. Analistja: Duhet një format i ri bisedimesh me Kosovën

0
104

Një shkëmbim territori midis Serbisë dhe Kosovës tani është “jashtë çdo diskutimi”, por të gjitha palët duhet të kapin çastin e krijuar, tha për BIRN një analiste për Ballkanin nga Mynihu.

Autor: Serbeze Haxhiaj  BIRN  Prishtinë.

Bashkimi Europian “duhet të jetë i hapur” për një nismë të re nga qeveria e Kosovës që riorganizon delegacionin e Prishtinës në bisedimet me Beogradin dhe përjashton në mënyrë eksplicite çdo shkëmbim territori si bazë për një marrëveshje për të zgjidhur marrëdhëniet, thotë një eksperte gjermane mbi rajonin.

Në një intervistë me BIRN, Johanna Deimel, zv/drejtoreshë e Shoqatës së Europës Juglindore me qendër në Mynih, tha se opozita gjermane kishte ndihmuar në hedhjen poshtë të propozimeve për shkëmbim territori midis Serbisë dhe Kosovës, por që të gjitha palët duhet të kapnin “momentin e ri” që ishte krijuar.

Parlamenti i Kosovës miratoi një rezolutë në mes të dhjetorit duke krijuar një ekip të ri negociator që përfshin qeverinë, opozitën dhe shoqërinë civile dhe krijimin e një platforme që përjashton çdo ndryshim në kufijtë e Kosovës.

Mbetet e paqartë se ku e lë presidentin Hashim Thaçi rezoluta, i cili aktualisht përfaqëson Kosovën në negociatat e ndërmjetësuara nga BE-ja me homologun e tij serb Aleksandër Vuçiç.

“Unë mendoj se Brukseli duhet të jetë i hapur ndaj formatit dhe nismës së re,” tha Deimel, duke e përshkruar platformën e Kosovës si “konstruktive”, si edhe mbështetëse të të drejtave multietnike dhe të pakicave.

“Jam e sigurt se kjo mund të shërbejë si bazë e mirë për negociata serioze për normalizimin e marrëdhënieve, të cilat shpresoj që Gjermania do t’i mbështesë në kapacitetet e saj si një shtet anëtar i BE-së.”

Sondazhet tregojnë se njerëzit janë kundër ndarjes

Johanna Deimel, analiste e Ballkanit nga Mynihu.

Vitin e kaluar, Thaçi dhe Vuçiçi bënë deklarata publike që nxitën spekulime se ishin afër një marrëveshje mbi ndryshimin e kufirit midis Serbisë dhe Kosovës, duke shkëmbyer veriun e Kosovës me shumicë serbe me Luginën e Preshevës me shumicë shqiptare në Serbi.

Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja bënë shumë pak për të zhdukur spekulimet, derisa kancelarja gjermane Angela Merkel tha në një konferencë për shtyp në gusht se kufijtë e Ballkanit Perëndimor ishin “të paprekshëm”.

Deimel, e cila më parë ka punuar për Zyrën Civile Ndërkombëtare, e cila mbikëqyri Kosovën menjëherë pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, tha se kundërshtimi nga Berlini, Londra dhe kryeqytetet e tjera të BE-së nënkuptonte se “idetë e korrigjimeve të kufijve dhe të shkëmbimit të territoreve janë jashtë çdo diskutimi”.

Deimel theksoi gjithashtu vërejtjet e fundit nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, në të cilat ajo përjashtoi “ndarjet etnike midis vendeve”.

“Ky është një mesazh shumë i qartë,” tha Deimel, “duke treguar se edhe Mogherini po tërhiqet pas dhe po mbështet qëndrimin e Gjermanisë se çfarëdolloj “marrëveshje nuk duhet të çojë në shtete mono-etnike’”.

Ajo tha se ndarja etnike do të ishte një rikthim në shekullin e 19-të, një shkas i mundshëm për ndryshimet kufitare në vende të tjera në Ballkan dhe një kontradiktë e vlerave europiane.

Më e rëndësishmja, nuk është ajo që njerëzit duan, tha Deimel, duke cituar një studim të fundit nga Instituti Demokratik i Kosovës, në të cilin më shumë se tre të katërtat e të anketuarve shqiptarë të Kosovës thanë se ishin kundër çdo shkëmbimi territori me Serbinë.

Deimel tha se BE-ja aktualisht kishte mungesë “lidershipi dhe kapaciteti”, por se ishte krijuar një çast i ri. “Për shumë kohë askush nuk e dinte se çfarë ishte në tavolinë,” tha ajo. “Nuk kishte informacione për asnjë debat të mundshëm,” tha Deimel për BIRN.

Ekspertja e Ballkanit tha se Thaçit i mungonte legjitimiteti dhe mbështetja e brendshme e nevojshme për të nënshkruar një marrëveshje.

“Qeveria e Kosovës është kundër negociatave Vuçiç-Thaçi, ashtu siç është opozita e Kosovës dhe shumica e njerëzve atje.”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here