Nga Arian Galdini
E gjitha ka nisur me dronin. Po po. Kthehuni pas e kujtoni patriotizmin tallava që lindi pas atij droni në stadiumin e Beogradit. Ajo ishte karamelja e parë e planit që po niste të zhvillohej. Vijoi me Konferencën për Shtyp të Ramës me Vuçiçin në Beograd. Lufta laboratorike e shpallur mediatikisht dhe e nisur me top futbolli mes Ramës dhe Vuçiçit ia doli të prekte mendjet dhe zemrat e çdo tifozi kuqezi e çdo shqiptari pa mendim. Kjo ishte karamelja e dytë.
Treni rus ishte po ashtu pjesë e “traileri” i përsosur që paralajmëroi ardhjen në skenë të filmit thriller “Shkëmbimi i Kufijve” me autorë të njohur e me aktorë kryesorë Presidentin Vuçic, Kryeministrin Rama dhe Presidentin Thaçi. Kur Kryeministri Edi Rama mbajti fjalimin e tij përshëndetës për 10 vjetorin e Pavarësisë në Kuvendin e Kosovës, hodhi një tjetër karamele për patriotët tallava. Ai foli për Presidentin e Përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës. Disa e quajtën lajthitje, disa përdorim, disa folklorizëm, etj, etj… Sot kuptohet se nuk paska qenë rastësi aspak por paskërka qenë pjesë e skenarit.
Ndërkohë Rama i kishte bërë edhe disa akte që e ushqenin fort intrigën dhe spekulimin e një paradigme kinse patriotike, sepse kishte emëruar diss zv/ministra nga Kosova në Qeverinë e tij të Rilindjes. E ja ku erdhi më pas dita kur Presidenti shpalli idenë e tij për një marrëveshje historike Kosovë – Serbi që kërkon sakrificën madhore të shkëmbimit të kufijve. Guximi i Thaçit shkoi drejt të paimagjunueshmes, ngasr ai jo vetëm bëri publike një ide a mundësi, por ia nisi një fushate që vijon edhe sotdita për ti bindur liderët e Perëndimit se e vetmja marrëveshje e mundshme dhe realiste që mund të arrihet mes Kosovës dhe Shqipërisë është ajo që pranon domosdoshmërisht shkëmbimin e kufijve. Rast i rallë në botë që një President bën fushatë për të bindur të mëdhenjtë e botës se cënimi i integritetit territorial të vendit të tij është ide e mirë. Asokohe Ditmir Bushati papritmas foli për idenë e shkëmbit të territoreve si një hapje të kutisë së pandorës. Ndërhyrja e Ditmir Bushatit me shumë gjasa ka qenë jashtë dijenive të Thaçit dhe Ramës e i ka zënë të dy këta gafil, por edhe autorët e skenarit të filmit të tyre thriller për të cilin kishin investuar aq shumë luftë e përpjekje laboratorike. Prej kutisë së pandorës së Bushatit, Edi Rama u dënua me heshtje të gjatë dhe u paralizua e gjithë kavalieria e tij mbështetëse propagandistike e parashikuar sipas planit në krah të Thaçit.
Gjithësesi u desh rrëmbimi i duarve të Ramushit dhe ajo foto mbi flamurin kuq e zi, që Edi Rama, i fshehur pas shpatullave të Kryeministrit të Kosovë, me hile si gjithmonë të rikthehej në rolin e tij të detyruar si pjesë e planit për shkëmbimin e kufijve. Prej asaj dite mori udhë edhe hapi i radhës që do të sillte shkarkimin e Ditmir Bushatit dhe emërimin e një Ministri të ri që vjen si pjesë e kastit të përzgjedhur për filmin thriller “Shkëmbimi i Kufijve”. Karamelja për patriotizmin tallava ishte ardhja e Ministrit të ri nga Kosova. Qëllimi i vërtetë ishte sjellja e një Ministri që është partizan i planit për shkëmbimin e kufijve. Nuk kam fare asnjë mendim e asnjë konsideratë personale për Genti Cakaj, sepse as e njoh e as di kurrgjë për të. Por vetë fakti që ai vjen si pjesë e një kasti të një filmi tepër të rrezikshëm për Shqipërinë, Kosovën, shqiptarët, shqiptarinë, mua më mjafton për ta përshëndetur mosdekretimin e tij nga Presidenti Ili Meta.
Gent Cakaj mund të jetë djali më i mirë dhe më i talentuar në botë, e madje edhe më i lexuari ndër gjithë shqiptarët. Ama, kjo nuk e kualifikon atë për tu bërë Ministër i Jashtëm i Shqipërisë që pranon shkëmbimin e kufijve të Kosovës me Serbinë, thjesht dhe vetëm pse ai ka shtangur Edi Ramën me dijet e tij dhe numrin e librave që mund të ketë lexuar. Edi Rama mund ta mbajë Këshilltar e të mahnitet çdo ditë me Gentin, e deri këtu nuk ka kush ti kërkojë llogari.
Sa për të drejtën e tij si Kryeministër, që të emërojë kë të dojë si Ministër të Qeverisë së tij, i duhet më parë ta besojë edhe vetë se dekretet nuk i firmos Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta, por Presidenti i Përbashkët Imagjinar i Thaçit dhe Ramës që quhet Baton Haxhiu. Nëse Ilir Meta si President i Republikës nuk paskërka të drejtë të fusë hundët në kompetencat e Kryeministrit për të zgjedhur Ministrat e do, atëherë çfarë të drejte kushtetuese ka Presidenti i Përbashkët Baton Haxhiu që emëron Ministra në Qeverinë e Edi Ramës?