Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte sërish sot pasdite i pranishëm në protestën e banorëve të Astirit kundër projektit të Unazës së Re që planifikon prishjen e disa banesave dhe bizneseve.
Basha tha se Rama nuk ia arriti të përçajë protestën, por se ishin qytetarët ata që dolën fitimtarë duke përçarë qeverinë, që çoi në zëvendësimin e ministrave.
Sipas kreut të PD, denoncimet e opozitës u faktuan në lidhje me kompaninë fantazëm që kishte marrë tenderin për planin për të zhvendosur Lanën.
“Kur kërkon një drejtësi dhe qytetarët e pafajshëm të mbrohen nga ligji, nuk rrëzohet qytetari.
Kjo i hap rrugën të kësaj klike të inkriminuar dhe zgjidhjes përfundimtare të problemit. Asgjë s’është më e fuqishme se kauza e drejtë.
Vegla më tinzare e Ramës, përçarja e qytetarëve nuk piu ujë. Por këta banorë në të drejtën e tyre përçanë qeverinë.
Një media e rëndësishme amerikane publikoi dje, faktin që ne e kemi përsëritur. Të gjithë e dinë se si nisi kjo aferë. U turrën pa marrë leje për të prishur shtëpitë, pa çarë kokën për banorët.
Banorëve i vërsulën policinë e shtetit dhe atë bashkiake, nga Rama te Veliaj e Gjiknuri hidhnin vallen e hienave duke shantazhuar banorët. Qëndresa e banorëve, bashkë me opozitën dhe disa gazetarë nxorrën aferën korruptive të një kompanie fantazëm, të një plani për të zhvendosur Lanën dhe për të shkatërruar shtëpitë e banorëve që të mos prekej rezidenca e një trafikanti droge,” tha Basha.
BalkanWeb