Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka bërë një përmbledhje të “çështjeve të nxehta” që shqetësojnë vendin sot, dhe si fajtor kryesor bën kryeministrin Edi Rama.
Pas statusit të këtij të fundit në mëngjes, Kryemadhi me ironi në deklaratën për shtyp tha: “Po i përgjigjem psiqikut si doktorreshë që jam”.
Kryetarja e LSI i kërkoi kryeprokurores Arta Marku të hetojë falsifikimin e dokumentave për Unazën e Re, si dhe ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj që të tërheqë policinë që po dhunon studentët.
“I bëj thirrje Arta Markut dhe prokurores së Tiranës që kanë në tryezë dosjen e Unazës së Re që përveç se aferë korruptive nxorri hapur se administrata falsifikon dokumenta të nxjerra nga SHBA.
Prokuroria duhet të tregojë se si miliona euro po shkojnë në xhepin e Edi Ramës.
I bëj thirrje gjithë kompanive apo dhe individëve që përfshihen në këtë korrupsion galopant të kenë kujdes, mos shkatërrojnë bizneset e tyre.
Unaza e Re është një nga mijëra aferat korruptive të Ramës. Ai mund t’i çonte ato para për studentët që sot dhunohen nga policë rrugaçë, që kanë marrë çertifikatën e DSIK.
Këta policë harrojnë që paguhen me paratë e qytetarëve shqiptarë. Sjellja e tyre tregon që këta policë paguhen me paratë e drogës.
I bëj thirrjes Lleshajt si praktikant i kishës katolike që beson në Zot, të veprojë ndaj këtyre kriminelëve që dhunojnë fëmijët e shqiptarëve.
I bëj thirrje rektoratit dhe dekanatëve të bëjnë kujdes dhe mos bëjnë marrëveshje me Edi Ramën. Do të jeni viktimat e parë, e do përfundoni me pension social.
Është detyra e tyre për të përkrahur studentët dhe t’i ndihmojë për të qenë të ditur e që meriton Shqipëria për një të ardhme të ndritur.
Pedagogët sot janë përballë një të sëmuri, një krimineli, i cili mbasi shkatërroi institucionet shqiptare, policinë e shtetit, gjykatat e prokuorinë, duhet të kuptojnë që sot do të shkatërrojë dhe universitetin.
Ai ka qëllim që çdo segment i institucioneve shqiptare të bëhet pjesë e grupeve kriminale shqiptare. Ai është në situatë të rëndë psiqike e klinike. E them këtë si doktorreshë”, tha Kryemadhi.