Sfida e radhës për rastin Klement Balili nuk do të jetë për prokurorinë.
Tashmë që pala greke i bashkangjit akte të reja, mes tyre procesverbale të kqyrjes së ngarkesës së hashashit dhe dëshmitë e dy të dyshuarve si skafistë, Petro Dalanaj dhe Kleanth Palaj, sfida për prokurorinë është se sa kohë do t’i duhet asaj për t’i mbyllur hetimet.
Megjithatë, edhe pse nuk jepen detaje nëse kanë apo jo vlerë për hetimet procesverbalet e dorëzuara, një burim tha se pritet që brenda muajit janar prokuroria t’i dorëzojë gjykatës dosjen e mbyllur, duke dërguar nën akuzë vetëm Klement Balilin, njeriun që përmbi dy vjet vazhdon në arrati të luajë me autoritetet.
Pas dorëzimit të dosjes është gjykata që do të vlerësojë në një seancë paraprake për dërgimin në gjykatë të Balilit për veprat e trafikut dhe të grupit kriminal. Ajo që dihet me siguri është se që prej 2016 policia ka organizuar 14 aksione për kapjen e tij, por ka dështuar, madje edhe pse vendosi një shpërblim prej 5 milionë lekë për çdokënd që do të jepte informacion të vlefshëm. Ky dështim u lakua edhe nga kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me drejtuesit e policisë.
“Unë nuk dua të presim të vijë ambasadorja amerikane për të na kujtuar gjatë ndonjë fjalimi përshëndetës që Klement Balili nuk është kapur akoma”, shprehej Rama. /Top Channel