“Monumenti i vdekjes së garës.” Pse ikën rinia?

0
142

Nga Adriatik Lapaj:

PSE IKËN RINIA…
Ndarja sociale e individëve është shumë planëshe. Ajo që është përcaktuese në Shqipëri është raporti me pushtetin. Aftësitë individuale janë të pa përfillshme dhe ajo që e ndan humbjen nga fitorja, është përkrahja ose jo nga pushteti. Është si një lojë…si një lojë bixhozi, ku fiton makina sipas regjistrimit që paraprakisht i është bërë. E gjithë Shqipëria është si një makinë e madhe bixhozi ku luajnë të gjithë, por fiton ai që ka celësat, pronari. Një makinë dëshpëruese, e cila është ndërtuar pikërisht që pronari i saj të fitojë. Një kumar i madh. Autorët, një grup spordhjakësh, që dikur i shitën popullit shpresë. Janë pak, një grusht, madje ideatorët si kalojnë as gishtat e një dore, e mund t’i përzenë nga TIRANA edhe orkestrantët e një televizioni. S’dua të bëj apologjinë e brezit të humbur, por atë të kohës së humbur me kauza boshe nga tam tame, që erdhën si bojaxhinj e po e kthejnë në mënyrë jetese fasadën.
Një dorë cikllopësh, që vuajnë dhe nga bulimia, pra mjafton të hanë deri në pangopësi pavarësisht se herë pas here stimulojnë edhe auto-vjelljen.
E pra këta ndërtuan përmes sistemit elektoral në fuqi, një makinë që nuk e njeh meritokracinë, barazinë përpara ligjit, lirinë si nocion real dhe jo dogmatik. Këta ndërtuan një makinë që përlan kodra, male, liqene, rrugë, analiza, SHURRË…çdo gjë, mjafton të vidhet…ose më saktë përlahet.
Ooo shqiptar, a mos jemi të vetmit në dynja, që mendojmë se jeta e parë na vjen dy herë, një herë që të na e fusin e njëherë kismet?!
Nëse sot do ideohej një monument i cili do simbolizonte Shqipërinë, i denjë për ta vendosur në këtë realitet në sheshin qëndror të saj, është sigurisht “monumenti i vdekjes së garës”, ku gara si një Krisht i shtrirë do rrinte në krahët e Nënës Shqipëri. I ngjashëm me PIETTA të Mikelanxhelos. Do Zoti e vendosin! I paharruar qoftë kujtimi i saj! Gara. Kjo liri e mohuar. Gara, konkurueshmëria, gara elektorale, gara për të punuar e për të ofruar më të mirën, në fakt janë çelësi i suksesit të vendeve ku na çojnë këmbët, trenat, makinat e avionët pa kthim për një jetë më të mirë…tutje…larg në perëndim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here