Skandali 30 mln euro, drejtorët shfajësohen në prokurori

0
185

Kreu i ARRSH-së, Afrim Qendro është thirrur  për të dëshmuar në prokurorinë e Tiranës mbi skandalin e firmës “DH Albania”, e cila fitoi dy tenderë me vlerë 30 milionë euro, 18 milionë për ndërtimin e lotit të parë te Unaza e Re dhe 12 milionë euro të linjës së tensionit 220  Burrel-Peshkopi.

Nga Neritan Gjergo 

Kreu i ARRSH-së, Afrim Qendro dhe i Operatorit të Sistemit të Transmetimit Klodian Gradeci janë thirrur dje për të dëshmuar në prokurorinë e Tiranës për të dëshmuar mbi skandalin e firmës “DH Albania”, e cila fitoi dy tenderë me vlerë 30 milionë euro, 18 milionë për ndërtimin e lotit të parë te Unaza e Re dhe 12 milionë euro të linjës së tensionit 220 kë Burrel-Peshkopi. Afrim Qendro dha dëshminë e tij, përballë oficerit të policisë gjyqësore Ludovik Ndokaj për rreth dy orë, ndërsa pas daljes, lau duart para gazetarëve, duke thënë se nuk mban përgjegjësi për skandalin. “Erdha si drejtor. Nuk kam se çfarë të them, nuk ka asnjë shkelje, ARRSH nuk ka bërë asnjë shkelje”. Ndërkohë, po dje dëshmoi edhe drejtori i OST-së, Klodian Gradeci, ndërkohë që procesi me marrjen e dëshmive do të vijojë sot me pyetjet për anëtarët e njësisë që vendosin kriteret për tenderët.

Skandali

Pas zbulimit të skandalit të parë, ku rezultoi se “DH Albania” tenderin e Unazës së Re e kishte fituar me dokumente të falsifikuara, u anulua edhe tenderi i dytë nga OST. Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës nisi menjëherë hetimet. Në ditët e fundit Prokuroria ka pyetur fillimisht pesë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, pranë Autoritet Rrugor Shqiptar, por edhe të OST-së. Ndërkohë që dje dëshmuan drejtuesit e dy institucioneve. Momentalisht për këtë çështje vijon të jetë në kërkim policor administratori i kompanisë “DH-Albania” Avdjol Dobi, për të cilin pritet që prokuroria në ditët në vijim të lëshojë një mandat arresti. Dyshimet mbi Dobin bien se ka falsifikuar dhe ka përdorur më pas një vërtetim të lëshuar nga departamenti i shtetit të Delaware në SHBA, ku tregohej se kompania “Dunwell Haberman”, e cila pretendohet se është mëma e firmës shqiptare “DH-Albania”, nuk kishte detyrime financiare në SHBA. Për këtë çështje Avdjol Dobi është thirrur në muajin dhjetor 2018 në ambientet e Autoritetit Rrugor Shqiptar në Tiranë, ku gjatë një takimi me krerët e këtij institucioni, Dobi ka dalë garant dhe ka siguruar se dokumentet e përdorura për fitimin me tenderit janë autentike. Dobi pohoi se nëse nuk vërtetohet në vazhdim se dokumentet janë origjinale, është i gatshëm t’ia kalojë të gjithë shumën 1.8 milionë euro të ngurtësuar në një llogari bankare, e cila rezulton të jetë fondi i garancisë, që kompania “DH Albania” ka ngurtësuar për këtë projekt.

Provat

Pas publikimit të skandalit përfaqësuesit e qeverisë, duke nisur nga ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri e kompani, nxituan të deklarojnë se ishte firma ajo që kishte kopsitur dokumentet në mënyrë kamufluese, duke mos lënë asnjë shenjë për dyshime. Por, në ditët që pasuan këto deklarata, dokumente të tjerë provuan se përfaqësuesit e qeverisë nuk ishin edhe aq të paditur, dhe për më tepër që emri i biznesmenit që fshehej pas këtij tenderi ishte ai që lakohej edhe nën zë, Bashkim Ulaj.  “Hetimet shumë shpejt do të nxjerrin kush janë aksionerët e vërtetë, kush e ka krijuar atë kompani apo lidhjet me persona të tjerë” tha ministri në një konferencë për shtyp. Por “Gjurmët e gishtave” gjenden në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe tregojnë kompaninë Gener 2.Më 3 dhjetor, pas lidhjes së kontratës me Autoritetin Rrugor Shqiptar për lotin e parë të Unazës së Re, “DH Albania”, dega në Shqipëri e “Dunwell Haberman” vendosi hapjen e një NIPT-i Sekondar me vendndodhje në shesh-rrotullimin Shqiponja. Një mandat arkëtimi i depozituar në QKB tregon se aplikimi për hapjen e adresës së re në kantierin e punimeve është bërë nga Gener 2, përmes një juristeje të kësaj kompanie. Aplikimi i kryer nga “Gener 2”, i gjendur mes dokumenteve të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Bizneseve nga kompania “DH Albania” nuk është prova e vetme që ngre dyshime se pas “DH Albania” dhe dy tenderave të fituar prej saj qëndron biznesmeni Ulaj. Një rreth i ngushtë prej pesë personash, të cilët kanë kryer veprime për llogari të “DH Albania” janë ose punonjës të “Gener 2”, ose të lidhur me aksionarin e saj. Bashkim Ulaj është një ndër biznesmenët më të lakuar në Shqipëri dhe kompania e tij Gener 2 kryen aktivitete nga fusha e ndërtimit tek energjia. Në korrik 2018, ajo u shpall fituese e koncesionit për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar për një vlerë prej 225 milionë euro.

Licenca

Referuar faqes zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës, në seksionin për formularët e aplikimit për ekuivalentimin e licencës së shoqërive të huaja, në kërkesat e renditura për aplikim, pika b) parashikon dhe paraqitjen e “esktraktit historik, apo ekstraktit për të dhënat e subjektit të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, me të cilën dëshmohet ndër të tjera, lidhja e shoqërisë së krijuar, që kërkon të licencohet, me atë të vendit të origjinës që disponon licencë profesionale, veprimtaria dhe statuti aktiv i shoqërisë”. Por më datë 13 korrik, kur është bërë aplikimi, shoqëria “DH Albania” ishte ende inekzistente. Referuar Qendrës Kombëtare të Biznesit, data e saj e regjistrimit figuron 18 korriku 2018, me përfaqësues një 26 vjeçar të panjohur Avdjol Dobin. Është e pakuptueshme se si Sekretariati i Komisionit të Licencave, ka nisur procedurat mbi një entitet, që deri në atë moment nuk ekzistonte. Sikundër është e paqartë, se çfarë dokumetacioni, kompania ka paraqitur për t’u identifikuar si “DH Albania”, duke qenë se e ka pasur të pamundur të dorëzojë një ekstrakt nga Qendra Kombëtare e Biznesit. Bazuar në afatet kohore “dokumentacioni i shoqëruar me material përmbledhës të hartuar nga sekretariati teknik, i vihet në dispozicion anëtarëve të Komisionit 3 ditë pune përpara datës së përcaktuar për zhvillimin e mbledhjes”. Licenca për “DH Albania” është dhënë në mbledhjen e datës 30 Korrik, e cila ka qenë ditë e hënë. Për pasojë, dokumentacioni për të, do të duhej t’i dorëzohej Komisionit, të paktën më 25 korrik. Por sipas përgjigjes zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës, “DH Albania”, i ka plotësuar dokumentet vetëm më 27 Korrik.

Shitja

Biznesmeni bullgar paguan 50 mln euro për Telekom Albania

Kompania shqiptare e telefonisë mobile “Telekom Albania” është shitur për 50 milionë euro. Ajo do të kalojë në pronësi të kompanisë bullgare “Albania Telecom Invest AD”, e cila zotërohet nga sipërmarrësi bullgar Spas Roussev, i cili zotëron paketën kontrolluese të aksioneve të operatorit ekzistues të telekomit të Bullgarisë Vivacom, dhe nga Elvin Guri, një investitor shqiptaro-bullgar. Njoftimi është bërë publik nga kompania greke OTE, pjesë e grupit Deutsche Telekom, e cila kontrollon kompaninë shqiptare Telekom Albania. Drejtuesi i OTE-së, Michael Tsamaz, është shprehur se “shitja e “Telekom Albania”, përmbyll investimin e suksesshëm në Shqipëri për Grupin OTE. Ky është një vendim strategjik, në kontekstin e prioriteteve të rishikuara të Grupit dhe planeve të rritjes, me qëllim që të krijojë vlerë për të gjithë aksionarët dhe të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm. Blerja e kompanisë nga një grup investimi i fortë dhe sipërmarrës siguron rritjen e saj dhe krijon kushte për të forcuar më tej pozicionin e saj në treg”, ka theksuar Tsamaz. Transaksioni megjithatë do të konsiderohet plotësisht i mbyllur, pas miratimit dhe nga autoritetet lokale kompetente dhe pritet të përfundojë brenda gjysmës së parë të vitit 2019. Në garë për blerjen e “Telekom Albania”-s ka qenë një kompani turke, një sipërmarrës grek si dhe kompania shtetërore serbe e telefonisë “Telekom Serbia”. Kjo e fundit kishte bërë dhe ofertën më të lartë financiare, por interesimi i saj, u kundërshtua nga autoritetet shqiptare, ndonëse bëhej fjalë për një transaksion privat. “Ky është një sektor strategjik dhe natyrisht, qeveria shqiptare pyetet, i kërkohet një mendim nga vetë ata që janë të interesuar. Qëndrimi i qeverisë shqiptare është shumë i thjeshtë dhe shumë i qartë, bizneset serbe janë të mirëpritura në Republikën e Shqipërisë, por në këtë sektor strategjik nuk është preferenca jonë”, deklaroi zoti Rama në tetor të vitit të kaluar. Të njëjtin qëndrim, ia kishte shprehur edhe përfaqësuesve të “Telekom Serbia” gjatë një takimi në Tiranë, edhe ministri i Infrastrukturës Damina Gjiknuri i cili gjithashtu kishte nënvizuar se prania e tyre nuk ishte e mirëpritur dhe se do të ishte e papërshtatshme edhe për vetë aktivitetin e biznesit pasi mund të provokonte reagime të natyrës politike.

Pronari

Qeveria shqiptare u përball me akuza se po favorizonte “oligarkët” përmes uljes së tatimit mbi dividentin nga 15% në 8%. Spas Roussev është një biznesmen kontrovers bullgar që njihet për një histori të gjatë lidhjesh me politikanë të ndryshëm bullgarë, financierë rusë si dhe anëtarë të botës së krimit të organizuar. Kompania e tij e telekomunikimit Telelink ka një shtrirje të fortë në tregun e telekomunikacionit në Bullgari. Blerja e tij më e rëndësishme është ajo e Vivacom më 2014-2015, një nga tre rrjetet e telekomunikimit celular në Bullgari dhe pasardhësi i kompanisë bullgare të telekomunikacionit në konsorcium me VTB Capital dhe Delta Company të ish ministrit të financave Milen Velchev. Velchev dhe Roussev kanë një histori të gjatë sëbashku, duke filluar që nga fillimi i viteve 2000, kur një skandal shpërtheu pasi u publikuan foto të Velchev dhe Ivan Todorov – i njohur si Doktori – një trafikant famëkeq i cili më pas u vra. Fotot ishin nga një jaht në Monako, i cili ishte marrë me qira nga Roussev për të ndjekur garën e Formula 1. Roussev u bë i njohur në publik si “kumbari” i shumë financierëve të rinj, përfshirë Velchev, i cili u soll nga Londra në vitet 2001-2005, kur kryeministri Simeon Saxe-Coburg-Gotha po kërkonte të rinj për qeverinë e tij. Ky biznesmen ka interesa edhe në sektorin e hotelerisë, pasi bleu hotelin Radisson në Sofie dhe pjesë të Hilton-Sofia në vitete 2012 dhe 2013. Ai është gjithashtu pronar i skuadrës së futbollit Levski të Sofies, gjë që është parë si një favor politik në shkëmbim të realizimit me sukses të marrëveshjes për Vivacom.

Dokumenti

Rritja ekonomike, konsumi pritet të gjallërojë ekonominë

Në kuadrin e ri Makroekonomik dhe Fiskal 2020-2022 të botuar dje në Fletoren Zyrtare, qeveria ka mbajtur të pandryshuara projeksionet për rritjen ekonomike dhe ecurinë borxhit publik në raport me rishikimin janarit 2018. Rritja ekonomike parashikohet të vijojë të qëndrojë mbi nivelin prej 4% edhe gjatë tri viteve të tjera 2020–2022. Rritja ekonomike parashikohet të jetë në nivelin prej 4.4% në vitin 2020 nga 4.2% e parashikuar për 2018-n dhe 4.3% për 2019-n. Edhe në dy vitet e tjera, 2021 dhe 2022, ajo parashikohet të vijojë të përshpejtohet me rreth 0.1 pikë përqindje, respektivisht në 4.5% në vitin 2021 dhe më 2022. Gjatë periudhës afatmesme rritja pritet të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi privat ashtu edhe investimet. Ndërkohë kërkesa e huaj neto (eksport–import) pritet të sjellë, gjithashtu, një efekt pozitiv, por marxhinal. Qeveria pret rritja ekonomike gjatë periudhës afatmesme do të mbështet nga konsumi privat, i cili do të nxitet nga përmirësimi i besimit të konsumatorit, si dhe nga përmirësimet në tregun e punës. Këto të fundit pritet të transmetohen në një rritje graduale të pagave të cilat më tej pritet të stimulojnë të ardhurat reale të disponueshme të individëve, duke krijuar efektin e raundit të dytë në nxitjen e konsumit, si dhe duke intensifikuar prirjen e konsumatorëve për financimin e mëtejshëm të konsumit nëpërmjet një kredi-marrje më të lartë. Ndërkohë, kredimarrja për konsum parashikohet të nxitet si nga përmirësimi i kushteve financiare të individëve, ashtu edhe nga lehtësimi i pritshëm i standardeve të huadhënies nga sistemi bankar.

Borxhi publik

Qeveria njoftoi se do të vijojë me konsolidimin fiskal deri më 2022. Pritshmëritë për ecurinë e borxhit publik mbeten të njëjta me ato të të janarit 2018. Teksa për vitin 2018 treguesi i borxhit publik do të jetë 69.1 % e PBB-së, ose 0.4 pikë përqindje më i lartë se parashikimi i janarit 2018. Ndërsa për këtë vit qeveria pret të ulë borxhin në 65.5% të PBB-së, projeksioni është rishikuar me 0.9 pikë përqindje në raport me projeksionin e janarit 2018. Me tej në vitin 2020 dhe 2021 pritshmëritë nuk ndryshojnë teksa treguesi është fiskuar në 63.6 dhe 59.9 %. Ndërsa në vitin 2020 para shikohet që borxhi publik të arrijë në 59.5% e PBB-së. Në janar 2014, në programin e parë makroekonomik fiskal të hartuar nga qeveria socialiste pas ardhjes në pushtet, parashikohej që në 2017-n, borxhi publik të zbriste në 65.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Ballkone

Licencimi i TAP
Gazsjellësi Trans Adriatik TAP ka kërkuar pranë Entit Rregullator të Energjisë që të licencohet në aktivitetin e transmetimit të gazit. Vetëm pak ditë më parë, ERE hapi procedurën standarde për këtë licencim, i cili do të ketë një afat 25-vjeçar, ndërkohë që kompanisë së gazsjellësit ju kërkua që të paraqesë një sërë dokumentesh që do të plotësojnë edhe më tej dosjen e nevojshme për të përfituar licencën.

Pagesat minimale

Mbi 291 mijë vende pune janë inspektuar gjatë vitit 2018 në subjekte private dhe shtetërore, ku ka rezultuar se mbi 76 mijë e punonjësve paguhen me pagën minimale. Referuar raportit të Inspektoratit Shtetëror të Punës për vitin që lamë pas, janë  evidentuar edhe një numër në rritje i punonjësve informalë, në 1580, pothuajse dyfish krahasuar me vitin 2017 ku u futën në skemën e kontributeve të Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore 608 persona.

Siguria ushqimore

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe  Agjencia e Prokurimit Publik, i kanë bërë thirrje  sërish autoriteteve  kontraktore me qëllim rritjen  e cilësisë së ushqimit. AKU dhe APP e vendosin theksin te grupet e veçanta të konsumatorëve, ushqimi i të cilëve  kërkon një vëmendje më të veçantë, pasi janë më të ndjeshëm ndaj rreziqeve. Behet fjalë për ambiente të tilla si: shkolla, spitale, azile, çerdhe etj. Nëntorin e vitit të kaluar është bërë një rekomandim i përbashkët midis  AKU dhe APP që hyri në fuqi pikërisht në atë muaj.

Pagesat e bankave

Sistemi bankar në vend kreu pagesa që kapën vlerën e 9.2 trilionë lekëve në vitin 2018. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, vlera e pagesave nga bankat shënoi rritje 8 për qind në raport me vitin 2017, edhe pse ritmet ishin më të ngadalta se dy vitet paraardhëse. Rreth 99 për qind e vlerës së pagesave u krye nga sistemi i pagesave me vlerë të madhe (AIPS), me mbi 9,1 trilionë lekë.

Licencimi i TAP

Gazsjellësi Trans Adriatik TAP ka kërkuar pranë Entit Rregullator të Energjisë që të licencohet në aktivitetin e transmetimit të gazit. Vetëm pak ditë më parë, ERE hapi procedurën standarde për këtë licencim, i cili do të ketë një afat 25-vjeçar, ndërkohë që kompanisë së gazsjellësit ju kërkua që të paraqesë një sërë dokumentesh që do të plotësojnë edhe më tej dosjen e nevojshme për të përfituar licencën.

Pagesat minimale

Mbi 291 mijë vende pune janë inspektuar gjatë vitit 2018 në subjekte private dhe shtetërore, ku ka rezultuar se mbi 76 mijë e punonjësve paguhen me pagën minimale. Referuar raportit të Inspektoratit Shtetëror të Punës për vitin që lamë pas, janë  evidentuar edhe një numër në rritje i punonjësve informalë, në 1580, pothuajse dyfish krahasuar me vitin 2017 ku u futën në skemën e kontributeve të Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore 608 persona.

Siguria ushqimore

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe  Agjencia e Prokurimit Publik, i kanë bërë thirrje  sërish autoriteteve  kontraktore me qëllim rritjen  e cilësisë së ushqimit. AKU dhe APP e vendosin theksin te grupet e veçanta të konsumatorëve, ushqimi i të cilëve  kërkon një vëmendje më të veçantë, pasi janë më të ndjeshëm ndaj rreziqeve. Behet fjalë për ambiente të tilla si: shkolla, spitale, azile, çerdhe etj. Nëntorin e vitit të kaluar është bërë një rekomandim i përbashkët midis  AKU dhe APP që hyri në fuqi pikërisht në atë muaj.

Pagesat e bankave

Sistemi bankar në vend kreu pagesa që kapën vlerën e 9.2 trilionë lekëve në vitin 2018. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, vlera e pagesave nga bankat shënoi rritje 8 për qind në raport me vitin 2017, edhe pse ritmet ishin më të ngadalta se dy vitet paraardhëse. Rreth 99 për qind e vlerës së pagesave u krye nga sistemi i pagesave me vlerë të madhe (AIPS), me mbi 9,1 trilionë lekë./shekulli.com.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here