Kryeministrit i plasin në dorë tullumbacet e aeroportit të Vlorës dhe Air Albania

0
137

Çfarë po ndodh me aeroportin e Vlorës, të shpallur me aq pompozitet nga vetë kryeministri Edi Rama vitin e kaluar?

Ai madje arriti deri aty, sa të japë data për fillimin e punimeve, prezantoi ndërtues e pronarë, por befas gjithshka u sfumua, pa asnjë shpjegim zyrtar. Po ashtu sikurse edhe linja ajrore Air Albania, me të cilën vetë Edi Rama gjezdisi deri në Stamboll disa grupe të përzgjedhura me pensionistë, studentë e gazetarë.

Zyrtarisht, janë dhënë disa emra kompanish, të cilat kishin marrë miratimin nga qeveria shqiptare për të operuar në këto dy drejtime. U tha psh se aeroporti mendohej të ndërtohej në zonën e Akernisë nga një konsorcium i tre kompanive ndër më seriozet, të cilat janë: Cengiz Construction; Kalyon Construction; Kolin Construction. Por duket se Ramës i ka hasur sharra në gozhdë me këto projekte. Dhe kjo për disa arsye kryesore. Së pari, se pas tyre fshihet emri dhe interesi personal i presidentit kontrovers turk Erdogan. Dhe së dyti, atij iu akorduan pa asnjë lloj gare asete të rëndësishme dhe fitime të garantuara gjigande. Por Erdogani nuk është nga ata që lëshon pa marrë edhe kushte politike. Për këtë arsye vetë Rama pak kohë më parë bëri me të një takin në Stamboll, ku mori një përgjigje të prerë nga presidenti turk: përveç këtyre, duhet të dorëzosh të gjithë qytetarët turq që ndodhen në Shqipëri dhe ne i konsiderojmë si njerëz të lidhur politikisht me opozitarin Gylen.

Vetëm se këtu problemi bëhet ndërkombëtar. Të ishte për Ramën, ai kishte nisur me vrap operacionin “Fshesa” të kërkuar nga miku i tij. Por mos harrojmë që Gyleni, armiku personal i Erdoganit, strehohet nga shteti amerikan dhe ndodhet prej vitesh në SHBA, ku i është akorduar strehim politik. Dhe Edi Rama ka më shumë frikë Uashingtonin, presidentin e të cilit filloi ta ironizonte në Facebook siç bën rëndom, para se të zgjidhej, se sa Erdoganin. Në këtë mes, e pësuan projektet, e bëra sipas tipit “peshku në det, tigani në zjarr”.  Por edhe Evropa është e shqetësuar, nga ana e saj, për mungesën e garës për objekte të tillë. Kështu, deputeti holandez Pieter Omtzigt i ka drejtuar ministrit të tij të jashtëm Stef Blok tetë pyetje lidhur me projektet e dyshimta të qeverisë Rama, dhënë në shkelje të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Pyetjet përqendrohen kryesisht në projekte si Air Albania apo aeroporti i Vlorës të lidhura me kompani turke, me ndërmjetësimin personal të Presidentit turk Erdogan.

Tetë pyetjet e deputetit holandez janë:

  1. A keni marrë parasysh letrën e shkruar nga Kryetari i Komisionit të Çështjeve Evropiane në Parlamentin Europian drejtuar Komisionit Evropian (Komisionerëve Evropian Hahn, Bienkowska dhe Bulc), ku deklarohet se tenderi për aeroportin e Vlorës është dhënë për tre kompani turke pa garë dhe së bashku me projektin e themelimit të Air Albania nuk ka ndjekur rregullat e tenderimit të BE-së?
  2. A mund të pyesni Komisionin Europian për reagimin e tij ndaj kësaj letre dhe a mund të dërgoni një kopje të përgjigjes në parlament?
  3. Si e vlerësoni faktin se qeveria shqiptare shkeli Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit midis BE dhe Shqipërisë, si në rastin e ndërtimit të aeroportit të ri në Vlorë dhe në rastin e themelimit të kompanisë Air Albania, dhe se këto kontratat i janë dhënë direkt, pa garë të hapur, një kompanie turke, kompanisë shtetërore shqiptare dhe një kompanie private shqiptare (të dyshimtë) që u krijua nëntë ditë përpara marrjes së kontratës dhe që nuk ka anjë përvojë në fushën e aviacionit.
  4. A jeni në dijeni të shembujve të tjerë që tregojnë së qeveria e vendit në fjalë shkel traktatet ndërkombëtare të BE-së?
  5. A e ka shkelur Shqipëria nenin 74, pika 3 të MSA-së dhe çfarë pasojash ka kjo gjë?
  6. A mund të jepni një shembull të një projekti të rëndësishëm në Shqipëri, ku procedura e tenderit janë krye në përputhje me rregullat e BE-së?
  7. Kur do të diskutohet kjo çështje në Këshillin e Stabilizim-Asociimit, siç parashikohet në Nenin 126 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit?
  8. A mund të tregoni se cilat detyrime përmbush Shqipëria nga marrëveshja e MSA-së dhe cilat jo?

Në fakt, ministri Blok sapo ishte në Tiranë për një vizitë zyrtare. Dhe rezultati? Ndërsa vitin që kaloi Holanda vendosi veton kundër hapjes së negociatave të anëtarësimit të vendit tonë në BE, edhe për këtë vit nuk jep asnjë garanci për të hapur dritën jeshile, pa parë raportin e Komisionit Europian për progresin që ka bërë Shqipëria, ku thelbësor është shteti i së drejtës dhe sundimi i ligjit. Kështu u shpreh kryediplomati holandez, në përfundim të vizitës së tij zyrtare.

/Lajmi u botua sot në gazeta standard

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here