Autoriteti i Medias Audiovizive i ka tërhequr vëmendjen televizionit “Top Channel”, pasi ka konstatuar shkelje në emisionin “Dua të të bëj të lumtur” të moderuar nga Arbana Osmani.
Vendimi i AMA-s, sikurse edhe citohet në letrën drejtuar Top Channel vjen pas reagimeve masive në rrjetet sociale, por edhe nga reagimi i 36 organizatave, të cilat punojnë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, si dhe për të drejtat e vajzave dhe grave.
Mënyra e trajtimit të historisë personale të një gruaje, viktimë e dhunës në familje, ushtruar nga bashkëshorti i saj, u cilësua si rast abuzimi dhe nxiti një valë të re komentesh të cilat paragjykojnë gratë e dhunuara, duke justifikuar dhunën ndaj tyre.
Kështu, AMA ka vendosur t’i tërheqë vëmendjen Top Channel.
“Ama vendosi sanksionin “Tërheqje vëmendje” ndaj subjektit tuaj audioviziv. në rast përsëritje të shkeljes, do të fillojë procedimin sipas kërkesave të parashikuara ligjore”, thuhet në letrën dërgua televizionit kombëtar, firmosur nga kreu i AMA-s Gentian Sala.
Gjatë transmetimit të programit me 12 janar 2019 , u përshkrua në mënyrë të detajuar historia e një gruaje viktime e dhunës në familje ushtruar nga bashkëshorti i saj.
“Mënyra e trajtimit të historisë personale të Znj. E. justifikon dhe legjitimon ushtrimin e dhunës me bazë gjinore, duke u bërë faktor në riviktimizimin e vajzave e grave të dhunuara.
Trajtimi jo i drejtë i këtij rasti abuzimi ka nxitur një valë të re komentesh të cilat paragjykojnë gratë e dhunuara, duke justifikuar dhunën ndaj tyre.
Kjo qasje përforcon stereotipet gjinore ku gratë perceptohen si të nënrenditura, si pronë dhe ku dhuna tolerohet apo justifikohet dhe vjen si pasojë e një “faji” të viktimës.
Zonja E. i kërkonte falje bashkëshortit në emision për faktin që e kishte denoncuar në polici pas dhunës së ushtruar prej tij dhe kjo jepej në televizion me nota romantizmi,” citohet ndër të tjera në raportin e Ama-s.