Marko Bello: Kujtesë historike për ata që i marrin lehtë problemet e ndryshimit të kufijve

0
178

Nga Marko Bello:

100 vjet më parë, në 18 Janar 1919, u hap në Paris Konferenca e Paqes, ku Shqipëria, me gjithë neutralitetin e shpallur nga vetë Fuqitë e Mëdha, u trajtua më keq se vendet e mundura. Në pazarllëqet diplomatike, gjatë punimeve të Konferencës, u hartuan disa projekte për copëtimin e shtetit shqiptar. Vetëm Kongresi i Lushnjës dhe sidomos Lufta e Vlorës, bënë që këto plane ogurzeza të dështojnë.

Në librin e autorit Robert Larry Woodall, “Problemi shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris”, sillen fakte dhe dokumenta interesante nga arkivat diplomatike të Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në korrik të vitit 1919, një marrëveshje midis Italisë dhe Greqisë, e njohur si “Marrëveshja Titoni-Venizellos” i jepte Greqisë Shqipërinë e Jugut, në këmbim të përfitimeve italiane në Azinë e Vogël, kurse në janar 1920 italianët do të binin dakord me kërkesat anglo-franceze që Fiumen do ta merrnin, vetëm nëse i jepnin jugosllavëve Shkodrën.

Ky propozim i fundit u kundërshtua fort nga Presidenti amerikan Woodrow Wilson, si një shkelje e parimit të vetvendosjes kombëtare, megjithëse më parë amerikanët kishin qënë dakord që gjysma e Shqipërisë t’i jepej Greqisë, që pastaj Italisë t’i lejohej aneksimi i Vlorës dhe një mandat ndërkombëtar mbi Shqipërinë.

Ajo që realisht e shpëtoi Shqipërinë nga copëzimi, ishte dështimi i vazhdueshëm i aleatëve për të rënë dakord mbi ndarjen e plaçkës koloniale dhe sidomos veprimtaria e vetë shqiptarëve për të mbrojtur me çdo çmim veten e tyre.

Duke mos gjetur asnjë mbështetje te hartuesit e paqes, udhëheqësit shqiptarë formuan një qeveri të re në Tiranë në janar 1920 dhe, duke përfituar nga çmobilizimi i shpejtë i ushtrive pushtuese, ngritën krye dhe larguan jashtë vendit të gjithë trupat e huaja.

Kongresi i Lushnjes në janar të vitit 1920 dhe vendimet që u morën aty ishin jetike për fatet e Shqipërisë, e cila u krijua në 1912, u njoh ndërkombëtarisht në 1913, por rrezikonte të zhdukej përgjithmonë nga harta politike e Europës pas Luftës së Parë Botërore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here