Donika Prela, drejtuesja e komanduar e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për shkak të rritjes së madhe të pasurisë rrezikon që të mos e kalojë Vetingun.
Donika Prela ka kryer studimet për drejtësi në vitet 1995-1999 si dhe Shkollën e Magjistraturës në vitet 1999-2002. Ajo ka punuar si prokurore pranë Prokurorisë së Durrësit prej më shumë se 15 vitesh, ku ka drejtuar edhe Task-Forcën kundër krimit të organizuar apo seksionin për hetimin e krimit ekonomik-financiar.
Në maj 2018, Prela u komandua në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku e motivoi komandimin e saj me “përshpejtimin e hetimeve të çështjeve sensitive”. Megjithatë, Prela u përfshi në një përplasje me vartësit e saj të Krimeve të Rënda në shtator 2018 lidhur me përfaqësimin në gjykatë të çështjes së Emiljano Shullazit.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurores Donika Prela nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.
Skeda e pasurisë së drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela për vitet 2003-2017.
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se prokurorja Donika Prela nuk zotëronte asnjë pasuri në vitin 2003; kohë që përkon me deklarimin e saj të parë në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI. Ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria e saj kap vlerën e 11.1 milionë lekëve.
Pjesa kryesore e pasurisë familjare të Prelës përbëhet nga 4.7 milionë lekë likuiditete bankare dhe 4.2 milionë lekë pasuri të patundshme. Ajo deklaron gjithashtu automjete me vlerë 1.3 milionë lekë si dhe kursime në cash prej 800 mijë lekësh.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese kapin një total prej 28 milionë lekësh. Të ardhurat nga paga si prokurore zënë 46% të të ardhurave, ndërsa ato nga paga e bashkëshortit rreth 38% të totalit. Të ardhurat me burim licesën si inxhinier të bashkëshortit zënë 2%, ndërkohë që fitimi nga shitblerja e pasurive të paluajtshme zë rreth 9% të të ardhurave totale.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit, nga të cilat njëra prej tyre rezulton me diferencë negative.
Në vitin 2007, prokurorja Prela deklaron se ka blerë një apartament me vlerë 32 100 euro, me burim një hua prej 15 mijë eurosh. Shuma e pambuluar në këtë vit është rreth 456 mijë lekë, pa përfshirë këtu shpenzimet për konsum jetik.
BIRN ka identifikuar gjithashtu si “flamur të kuq” blerjen e një apartamenti me vlerë 1.4 milionë lekë në vitin 2014, i cili është shitur në të njëjtin vit për 4 milionë lekë. Familja e prokurores Prela ka fituar nga ky transaksion 2.6 milionë lekë.