Analisti Artur Zheji, i ftuar në studion e “Top Talk”, ka komentuar ndryshimet e shumta të kabinetit Rama, por edhe protestën e thirrur nga opozita.
Teksa duhen më tepër se 2 vite nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, Artur Zheji shprehet se duke analizuar situatën aktuale politike, vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakoshme.
Sipas tij, edhe ndryshimet e bëra nga Rama në qeveri janë në këtë kuadër, për të krijuar idenë e një katarsi, e duke zhbërë vendime të ministrit Gjiknuri, apo edhe të ministrave të tjerë të larguar, të cilat siç shprehet Zheji kanë goditur fort mbështetjen e qytetarëve ndaj PS.
“Kjo qeveri është goditur për rrugët e florinjta. Ministrja Balluku ka ndërmarrë të zhbëjë çdo gjë që ka lënë Gjiknuri në funksion elektoral. Niveli i konsensusit të qytetarëve, në një sondazh të brendshëm që ka Rama, ka rënë në 28%. Më tepër është rritur zona gri, se sa opozita”, u shpreh Zheji.