Planet e rrezikshme/ Zbardhet e vërteta. Rama do t’u kalojë klientëve pasuritë më të mëdha të Shqipërisë…

0
148

Kryeministri Edi Rama ka përgatitur një skemë të rrezikshme të përdorimit të pronave publike, rezultati i së cilës do të jetë tjetërsimi i bregdetit dhe pasurive të tjera publike të vendit, në favor të klientëve të tij dhe bizneseve të tjera.

Qeveria ka vendosur të krijojë një kompani shtetërore të quajtur “Korporata e Investimeve Shqiptare”, e cila do të marrë në pronësi për të menaxhuar dhe për t’i përdorur për investime, të gjitha pronat shtetërore dhe publike të vendit.

Exit.al ka analizuar projekt-ligjin për krijimin e kësaj kompanie të quajtur “Korporata e Investimeve Shqiptare”,  i cili është përgatitur në mungesë të plotë transparence dhe është botuar në rrjet, siç e kërkon ligji, pa shumë zhurmë, për të mos tërhequr vëmendjen publike.

Korporata e Investimeve Shqiptare: si Rama do t’u kalojë klientëve pasuritë më të mëdha të Shqipërisë

Ndonëse për mbulesë dhe për sfond ligji është i mbushur me fjalë të përgjithshme për qëllime të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik të vendit, qëllimet e vërteta të krijimit të korporatës bëhen të qarta në Nenin 2, i cili, ndër të tjera, thekson se Korporata ka për objektiv:

“ Vënien në përdorim më eficient të pronave shtetërore.”

“ Kryen investime duke mobilizuar kapital shtetëror dhe/ose privat.”

Shprehja teknike dhe e përgjithshme “përdorim më eficent” do të thotë se do t’ia japë privatëve ose për shfrytëzim ose për investime. Pikërisht kjo gjë konfirmohet më poshtë me shprehjen “mobilizon kapital shtetëror dhe/ose privat” që do të thotë se korporata do të bëjë një projekt-investimi për një pronë publike, të themi një kompleks golfi diku në bregdet, dhe vetë do të vërë tokën dhe nga privati do të kërkojë të bëjë investimin, duke ndarë me të aksionet në fushën e golfit, natyrisht sipas marrëveshjes mes palëve.

Kjo do të thotë që përmes korporatës do të mundësohet që pronat dhe pasuritë shtetërore të tjetërsohen tek privatët.

Ky qëllim nuk fshihet në relacionin shoqëruar të projektligjit të analizuar nga Exit.al. Natyrisht duke u shprehur në terma të përgjithshme se Shqipëria ka nevojë për projekte investimi dhe zhvillimore, qeveria e thotë hapur qëllimin e saj që pronat publike do përdoren për t’i shërbyer privatëve:

“Shumë nga këto projekte nuk mund të realizohen nga sektori privat pa përfshirjen në një masë të konsiderueshme të shtetit në procesin e dhënies së autorizimit dhe në vënien në dispozicion të aseteve.”

Ky kalim tek privatët, i pronave shtetërore apo rrëmbim de facto i tyre, do të bëhet pa asnjë mbikëqyrje dhe duke anashkaluar çdo standard ligjor. Ligji i propozuar nga qeveria e përjashton Koporatën nga rregullat e prokurimit publik dhe i jep asaj pavarësi të plotë, për të vendosur se çfarë investimesh dhe projektesh do të ndërmarrë.

Nenin 3, i cili parashtron parimet që duhet të udhëheqin veprimtarinë e Korporatës, në pikën b) sanksionon se si parim të kësaj veprimtarie pavarësinë në vendimmarrje, në kryerjen e funksioneve dhe në propozimin e projekteve.” Ndërsa, Neni 12, e përjashton Korporatën nga ligjet e prokurimit publik:

“Korporata përjashtohet nga rregullat e prokurimit publik. Procedurat dhe rregullat e prokurimit të veçantë sipas kësaj pike, përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me praktikat më të mira të Institucioneve Financiare Ndërkombëtare të Zhvillimit.”

Kjo do të thotë se, de jure drejtuesit e Korporatës dhe de facto Kryeministri Rama, do të vendosë t’i përdorë pronat publike për çfarëdo investimi që dëshiron, pa u penguar apo kushtëzuar nga askush, dhe se mund t’i realizojë ato në bashkëpunim bashkëpronësie, koncesioni, apo partneriteti me këdo që dëshiron, pa asnjë procedurë formale përzgjedhjeje, dhe se mund t’i zbatojë ato me projektues, ndërtues dhe çfarëdo lloj zbatuesi që dëshiron.

Fjala vjen, Ligji do t’i lejojë Korporatës, pra kryeministrit, të investojë, si shembull, një kompleks rezidencial të themi në Borsh dhe të vendosë që për këtë investim të hyjë në partneritet më këdo kompani që dëshiron, le të themi Mane apo Kastrati, duke i dhënë kësaj kompanie truallin në bregdetin e Borshit.

Ligji lë hapësirë për një skenar edhe më të rrezikshëm. Ligji e lejon Koporatën të marrë kredi nga çdo lloj institucioni financiar, pa patur nevojë për miratim nga askush. Natyrisht, si garanci për huatë e marra, Korporata, është e lirë të lërë si garanci pronat që ka në zotërim dhe menaxhim. Nëse ajo humbet aftësinë për të paguar këto hua, rrezikon të humbë garancinë, pra pronën publike.

Le të marim një shembull ilustrues. Korporata mund të vendosë që të marrë një hua për të ndërtuar një aeroport në Vlorë, të themi nga Banka ABI dhe të vërë kolateral një pjesë të tokës në bregdetin e Vlorës. Nëse investimi shkon keq dhe aeroporti kushton më shtrenjtë apo nuk kthen investimin, Korporata mund të humbë aftësinë të paguajë huanë dhe bregdeti i Vlorës sekuestrohet nga Banka ABI, e cila e nxjerr në shitje dhe e shet me çmim shumë më të ulët se tregu, të themi tek Firma Fusha shpk. Pra, publiku humbi paratë për një investim të dështuar, humbi një pasuri në bregdet, ndërsa një kompani private fitoi për çmim shumë të ulët këtë pasuri.

Ligji i propozuar nga qeveria e mundëson këtë skenar të rrezikshëm në mënyrë të ligjshme, pra pa shkelur asnjë ligj dhe pa asnjë llogaridhënie apo përgjegjësi publike dhe penale. Madje të gjitha këto veprime mund të bëhen në mënyrë të qëllimshme, drejtuesit e Korporatës të vendosin qëllimisht të marrin hua të dështuar, për të tjetërsuar në fund pronat publike tek privatët.

Këto skenarë janë jo vetëm të mundshëm teorikisht, por me gjasa do të ndodhin. Ky hamendësim përforcohet nga fakti se, Korporata do të drejtohet dhe mbikqyret praktikisht vetëm nga Kryeministri më një grusht njerëzish që përfaqësojnë sektorin apo interesat private.

Këshilli Mbikqyrës i Korporatës, organi që emëron dhe mbikëqyr Drejtorin Ekzekutiv të Korporatës dhe që merr vendimet më të rëndësishme, përfshi për planet e investimeve, në fakt kontrollohet nga përfaqësues privatë dhe jo publikë. Neni 15, i cili përcakton përbërjen e Këshillit Mbikqyrës, përcakton se:

“Këshilli Mbikëqyrës, përbëhet nga pesë anëtarë, “një anëtar është përfaqësues i institucioneve qendrore dhe katër janë përfaqësues nga biznesi dhe fusha akademike.”

Anëtarët zgjidhen nga pronari i Korporatës, formalisht nga ministri i ngarkuar për ekonominë, praktikisht nga kryeministri.

Madje edhe Bordi Këshillimor, i cili nuk ka rol ekzekutiv, por këshillimor është gjithashtu i përbërë nga vetëm një përfaqësues publik dhe tetë të tjerë përfaqësues privatë, dy nga institucionet financiare ndërkombëtare, tre nga biznesi dhe tre nga bota akademike, që nuk përjashton universitetet private.

Mund të jetë spekullim, por duket se me Korporatën e Investimeve Shqiptare, Edi Rama krijoi “kompaninë” e tij, e cila ka në pronësi pasuritë më të mëdha të vendit. Tani, Rama do të mund të hyjë në marrëveshje dhe pazare të hapura me oligarkët e tjerë dhe jo, si deri më sot, përmes pazareve të fshehta.

Jo pa qëllim, ligji i krijimit të korporatës, lejon që në të të marrin pjesë me kapitale edhe institucionet private financiare, që do të thotë se në të mund të bëhet ortak, le të themi pa ndonjë paragjykim, me Zamir Manen, përmes Bankës Tirana në pronësi të tij. Kështu, Edi Rama dhe Zamir Mane mund të bëhen formalisht dhe ligjërisht ortakë.

Me Korporatën, Edi Rama do të bëhet de facto oligarku më i madh në Shqipëri dhe partneri i madh i të gjithë oligarkëve të tjerë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here