‘’Na përbuzin sepse jemi romë”, kjo ka qenë deklarata e bërë nga ana e disa prej banorëve të Bregut të Lumit në kryeqytet në mikrofonin e Fax News. Ata apelojnë për ndihmë nga ana e shtetit, pasi siç thonë vetë ata jetojnë në kushte të mjerueshme dhe në qiell të hapur.
Prej 2006-tës shumica e tyre jetojnë pa energji elektrike, çka bën që shumë prej tyre të sëmuren për shkak të të ftohtit. Një prej banoreve, e cila rrit e vetme tre fëmijë në moshën 21-vjeçare, tregon se është detyruar që të heqë vajzën nga shkolla për shkak se i thërrisnin gabele.
‘’Vajza qan dhe më thotë: më shajnë mami, më thonë që jam gabele. Kam shkuar dhe jam zënë me mësuesen, dhe e hoqa fare vajzën nga shkolla. Nuk kam ku të jetoj, më mbajnë njerëzit për sevap. Njerëz jemi dhe ne, kam tre fëmijë dhe burrin se kam.
Nuk kam para që tiu jap të hajnë, të vishen, të lahen. Ku ti gjej, të shkoj të vras veten? Unë 45 mijë lekë të vjetra marr të gjitha në muaj, dhe kam dhe një djalë të sëmurë, çfarë të ble më parë, ilaçet apo për të ngrënë?
Nuk më merr njeri në punë se jam pa shkollë, jam dhe e vogël 21 vjeç. Nuk dua as të ha vetë dhe as të pij, dua të kemi vetëm një shtëpi ku të fusin kokën fëmijët”, u shpreh banorja.
Ndërsa një tjetër sqaroi për gazetaren Eksiola Shehui:
‘’Kam 27 vite këtu, jetojmë në kushte ekstreme. Kërkoj nga shteti që të ndihmojë fëmijën tim. Shumica këtu jemi pa drita, me çfarë të ngrohemi. Kemi që në 2006-tën që na i kanë prerë dritat. Unë dal dhe mbledh te koshat dhe ndihmoj fëmijët.
Njëherë nuk ka ardhur që të na shikojë Erion Veliaj apo Edi Rama, na thonë që të mos flasim kur vjen dhe inaguron mensat, se do të na ndihmojnë. Bëjmë zjarr këtu jashtë dhe lajmë rrobat, ca bie jashtë futet brenda. Dua që shteti të vërë dorën në zemër për vajzën time dhe ta ndihmojë, sdua asgjë për vete”.