Zbardhen dëshmitë e reja për vrasjen në Zall Bastar, ku Arben Gjeci mbeti i vdekur. Elida Cani në dëshminë e dytë që ka dhënë në Polici ka pranuar lidhjen e fshehtë me Arbenin dhe se vrasjen e tij e bëri Esat Cani. Mediat kane zbardhur dëshminë e plotë të Elida Canit, e cila tregon si nisi lidhja jashtëmartesore.
Elida Cani: Nuk e pranova që kisha lidhje me Arben Gjecin në fillim pasi isha e frikësuar. Tani nuk kam çfarë fsheh më. Kam patur një lidhje të fshehtë me Arbenin që ka filluar disa muaj më parë. Ai me ngacmonte, fillimisht unë e refuzova, por më pas nisëm të komunikonim në telefon derisa u lidhëm. Jemi takuar shpesh në një dhomë pranë shtëpisë së vjehrrit. Ai aty vinte dhe më pas ikte. E kishim lënë për t’u takuar edhe ditën e enjte. Fillimisht i thashë Arbenit e lëmë për ditë tjetër, por ai tha ‘jo, sot’. Vjehrri dhe vjehrra ishin në shtëpi, por dhoma që kemi shtuar është e veçuar. Aty e takova. Burri ishte në lokal, kishte më shumë 1 orë që kishte dalë. Atë ditë kisha frikë se mos më vinte burri, por Arbeni më tha që e pa duke pirë në lokal. Kryem marrëdhënie seksuale dhe kur po iknim, erdhi vëllai im Esati. Ai e qëlloi Arbenin me 1 levë hekuri disa herë. Esati u largua dhe telefonova burri, Dëfrimin. I thashë që dikush ka qëlluar Arbenin. Kur erdhi burri, tha që s’duhet ta marrë vesh njeri dhe bëmë planin që gjakun e mbuluam me bar, ndërsa trupin e Arbenit e zhvendosën ata në rrugë. Jam shumë e tronditur. E di që është faji im për gjithçka. Lidhjen me Arbenin e kam filluar në nxitim e sipër. Fillimisht më pëlqente fshehtësia e lidhjes dhe nuk shkëputesha dot më. Takohesha në darkë sa herë që vjehrri dhe vjehrra binim në gjumë dhe burri shkonte për të pirë. Kërkoj falje.
Ndërkohë Esat Cani në dëshminë e dytë pranon krimin dhe thotë se Arben Gjeci para se të takohej me motrën, po pinte kafe me burrin e saj, Dëfrimin.
Esat Cani: Dyshoja që Arbeni ngacmonte ose nusen time ose motrën. E ruaja prej tre ditësh. Ditën e enjte e kam ruajtur që në mëngjes. Arben Gjeci ishte në kafe bashkë me kunatin tim, Dëfrimin dhe më pas u ndanë. E pashë kur u afrua te shtëpia e motrës. Fillimisht nuk dija ç’të bëja. Pasi i pashë të dy, bota m’u errësua. Isha shumë rëndë. Gjeta një levë dhe kur hyra brenda, motra me Arbenin ishin gjysëm të zhveshur. Nuk durova dot, e godita disa herë me levë. Më pas u tremba dhe s’dija ç’të bëja. E pashë me gjak dhe bashkë me motrën kishim hall nga fjalët e fshatit. Menjëherë vendosëm që trupin ta nxirrnim në rrugë dhe të hapnim fjalën që ishte rrëzuar nga një lartësi. Më pas ika në shtëpi dhe isha shumë i trembur.
Ndërkohë burri i Elida Canit, Dëfrimi, është shprehur se “kur më tha Elida që të kam tradhëtuar”, iu konfirmuan dyshimet. Ai thotë se kishte hallin e prindërve dhe fjalët e fshatit prandaj organizuan skenarin që Arbeni ishte rrëzuar në rrugë.