Autori i grabitjes së bankës së nivelit të dytë në Tepelenë, vazhdon të jetë në ndjekje të policisë. Zona e ngjarjes është lokalizuar nga autoritetet policore. Ndërsa në ndihmë të policisë lokale ka mbërritur dhe një helikopter ushtarak.
Forca të shumta të policisë po bëjnë krehjen e zonës, ndërsa është zbuluar edhe identiteti i autorit të dyshuar.
Burime nga policia thanë se bëhet fjalë për 25-vjeçarin Kristo Ruçi, i cili ka qenë i maskuar, armatosur dhe i veshur me rroba ushtarake kur kërcënoi dje rreth orës 15:10 punonjësit e bankës duke grabitur 500 mijë lekë.
Faxweb.al, ka arritur të sigurojë edhe foton e 25-vjeçarit Kristo Ruçi.
Vetëm në muajin e parë të këtij viti janë sulmuar disa bankomate në Urën Vajgurore, Vorë dhe në Bulqizë, ndërsa dje u grabit banka në Tepelenë.
Ruçi po ashtu ka qenë në kërkim për transport të lëndëve narkotike në një aksion të Jergucatit. Në aksionin e policisë në Jergucat ku dy makina po transportonin drogë, Kristo Ruçi u shpall në kërkim, ndërsa një prej familjarëve të tij është në burg për këtë akuzë.