Ish punonjësi i policisë udhëtonte me mjetin tip ‘Honday’ me targa AA867HX kur është qëlluar për vdekje me disa plumba nga persona ende të paidentifikuar.
Të tjera detaje zbulohen nga vrasja me armë e ish policit Arben Bilali, 50 vjec, gjatë ditës së sotme në zonën Selitës në Tiranë.
“BalkanWeb” mëson se ish policin kanë tentuar ta vrasin edhe 9 vite më parë. Ngjarja ka ndodhur në maj 2010 në një lokal pranë stadiumit “Selman Stërmasi”, ndërsa ish polici mbeti i plagosur.
Gjithashtu policit i kanë vrarë edhe të vëllain Lonard Bilali, ish mundës i Dinamos në gusht 2010 në të njëjtin vend ku u vra sot ish polici. Policia po heton në disa pista për vrasjen, ndërsa nuk përjashtohet pista e hakmarrjes.
(Vellai i ish policit, Leonard Bilali)
Plagosja e ish policit në maj 2010:
Ish-polici u qëllua me armë mbrëmjen e së shtunës, në një lokal pranë stadiumit “Selman Stërmasi”.
Policia po heton edhe në pistën e hakmarrjes për të gjetur atentatorin e 41-vjeçarit, Arben Bilali. Uniformat blu, edhe pse fillimisht folën për një ngjarje me motive banale, nuk do të lënë pas dore dhe pistën e hakmarrjes dhe janë duke grumbulluar informacione të sakta mbi konfliktet e mundshme mes viktimës dhe personave të ndryshëm. Hetuesit po verifikojnë të dhënat për të vërtetuar nëse ngjarja ka qenë pasojë e ndonjë konflikti të mbartur nga vitet apo dhe ditët e shkuara. Madje për këtë janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës miku i të plagosurit, me të cilin Bilali po pinte kafe në momentin e atentatit, si edhe disa dëshmitarë të tjerë, të cilët mendohet se kanë dijeni mbi rrethanat e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e së shtunës në rrugën “Emin Duraku”. Ekspertët janë duke shqyrtuar provat e mbledhura nga këqyrja e vendit të ngjarjes, gjurmët, si edhe dy gëzhojat e pistoletës “Zastava”, pasi plumbat kanë mbetur në trupin e të plagosurit, mbi të cilin mjekët kanë kryer një ndërhyrje kirurgjikale për ta mbajtur në jetë. Pavarësisht përpjekjes së bluzave të bardha, gjendja e ish-policit Bilali mësohet të jetë ende kritike.
Arben Bilali, 41 vjeç, banues në Selitë, mbeti i plagosur rëndë rreth orës 21:20 të së shtunës, në rrugën “Emin Duraku” në krah të stadiumit “Selman Stërmasi”, nga persona të panjohur. I dëmtuari ishte duke pirë një kafe me një mikun e tij, ndërsa u qëllua nga afër, me pistoletë. Ish-polici u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak në kryeqytet për t’i dhënë ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas burimeve spitalore, gjendja e tij paraqitej e rëndë. Nga deklaratat e policisë mësohet se 41-vjeçari, kishte marrë dy plagë, një në bark dhe tjetrën në gjoks, nga të shtënat e personit të panjohur, që ishte larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes pas realizimit të atentatit të paramenduar.
Vrasja e vëllait të ish policit në gusht 2010:
Leonard Bilali u ekzekutua me 4 plumba pistolete në një nga lokalet e kryeqytetit. Dy pistat kryesore ku janë përqëndruar hetimet janë ato të vrasjes pas një grindjeje të momentit si dhe pista për hakmarrje. Pas ngjarjes u mësua se vrasja kishte ndodhur pas një sherri mes disa personave në lokalin ku ishte ulur Bilali.Ndërsa zbulohet se ish-mundësi i Dinamos është i vëllai i ish-efektivit special të policisë Arben Bilali, ky i fundit i plagosur në një tjetër atentat në maj të këtij viti.
33-vjeçari u qëllua teksa ishte i ulur në një nga tavolinat e lokalit ‘Shijaksburg’, pranë stacionit të fundi të autobusit të Tiranës së Re, në rrugën “Irfan Tomini” në kryeqytet. Bilali u dërgua në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak, ku ndërroi jetë si pasojë e plagëve të rënda të marra në kokë dhe në trup. Nga veprimet e kryera hetimore autori ka qëlluar një herë në bark Bilalin dhe kur si pasojë e goditjes 33-vjeçari është përkulur ka qëlluar edhe 3 herë të tjera nga pas, në krahun e majtë. Autori është larguar më këmbë, por dyshohet se është ndihmuar edhe nga persona të tjerë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.