Deputetja e PD-së Jorida Tabaku i ka kujtuar një shprehje të harruar, ministrit të Shtetit Pandeli Majko, mu në mes të parlamentit, që e ka bërë ministrin të thartojë fytyrën në Kuvend. Ishte interesante mimika e tij në momentin kur kolegia demokrate i solli në vëmendje thënien e pafajshme atje ku PS-ja nuk kishte pasur të fortë, kishte dalë “gropë” me zgjedhjet.
Tabaku: “Kur Partia Demokratike kërkoi pas zgjedhjeve të diskutohej raporti i OSBE/ODIHR, nuk dua në fakt të përmend asnjë koleg, por më bëri përshtypje zoti Majko që tha: “Në një zonë më çuan dhe më thanë se duhet të shkojmë të takojmë njerëzit, por ne s’kishim asnjë “të fortë” aty! Dhe pikërisht tek ajo zonë ne humbëm, dolëm “gropë”!
Kjo ishte shprehja që justifikonte më së miri, – theksoi deputetja, – procesin elektoral, parë nga Partia Socialiste, nga një koleg me eksperiencë, që e ndau si shqetësim me ne, ndoshta na e dha edhe si sugjerim: “Duhet patjetër të takojmë të fortë, – tha, përndryshe aty ku nuk takojmë të fortë, ne humbim!”