Pas akuzave të lojtarit të Kastriotit, i cili ndonëse thotë se agresorët ishin tifozë të Partizanit, në prononcimin e tij për “Supersport”, gjithashtu pohon se nuk kishte parë asgjë, pasi në ato çaste ai dhe ekipi ishin duke kryer analizën e ndeshjes, gjë që u pohua edhe nga trajneri Devolli, ka reaguar Klubi i kuq.
Reagimi:
Klubi merr shkas të reagojë në lidhje me informacionet apo deklaratat live të përcjella në media për incidentin e ndodhur përpara takimit Kastrioti – Skënderbeu i vlefshëm për javën e 20. Është e vërtetë që Klubi i Futbollit Partizani gëzon simpatizantë dhe mbështetës në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Por, është po aq e vërtetë se përgjatë gjithë ecurisë së këtij kampionati (dhe jo vetëm), tifozeria jonë është tifozeria më korrekte në stadiume.
Për asnjë moment tifozeria e Partizanit nuk ka shfaqur akte dhune as ndaj lojtarëve të ekipeve rivale as ndaj zyrtarëve te ndeshjes, përfshirë edhe arbitrat dhe as te ketë qenë iniciatore e dhunës ndaj çdo tifozerive kundërshtare dhe në çdo stadium te vendit.
Nuk e kuptojmë sesi lojtari Kastriotit Neziri arriti të identifikojë agresorët e sulmit ndaj lojtarëve të Skënderbeut, të cilët në trasmetim direkt i ka cilësuar si pjestar të tifozerisë së Partizanit, kur ndërkohë skuadra Kastriotit, siç edhe e deklaroi trajneri Devolli, në ato momente ka qenë duke zhvilluar analizën në dhomat e zhveshjes në prani të të gjithë pjesëtarëve te Kastriotit.
Klubi dënon incidentin e ndodhur në Fushë Krujë dhe thekson se ngjarje të tilla nuk duhet të cënojnë aktorët e lojës së futbollit!