Një dënim do ta pranoja me kënaqësi nëse me të vërtetë kolegët dhe opinioni do të vlerësonin se shkrimi im ia ka vlejtur dhe ka treguar me fakte dhe prova të pakundërshtueshme që krimi i organizuar dhe zyrtarë të lartë të një force të caktuar politike, nuk ka rëndësi cila është ka bashkëpunuar me krimin për të blerë vota, u shpreh Klodiana Lala
Si autore e artikullit të bujshëm në “Zërin e Amerikës”, gazetarja Klodiana Lala e ftuar në emisionin “A Show” në Neës 24 tha se nuk i trembej as faktit se mund të dënohet për këtë çështje, duke besuar fort tek burimet dhe tek vërtetësia e publikimeve të saj.
Adi Krasta: Nëse prokurorët do të marrin ndonjë urdhër, ose thjesht ju ka ardhur inat që ua ke nxjerrë ato dokumentet sidomos në Zërin e Amerikës që i shqetëson shumë, nëse e vazhdojnë përballjen me ty, të të thërresin ose të të ballafaqojnë me një dënim në fund…
Klodiana Lala: Një dënim do ta pranoja me kënaqësi nëse me të vërtetë kolegët dhe opinioni do të vlerësonin se shkrimi im ia ka vlejtur dhe ka treguar me fakte dhe prova të pakundërshtueshme që krimi i organizuar dhe zyrtarë të lartë të një force të caktuar politike, nuk ka rëndësi cila është ka bashkëpunuar me krimin për të blerë vota. Ajo që deklaroj me siguri të plotë është se asnjëherë nuk i tregoj burimet e mia, pasi do të minohej integriteti im si gazetare. Prokurorët nëse merren me mua, unë kam dëshmuar dhe do vazhdoj të dëshmoj që jam një gazetare që punoj fort për të gjetur dokumente për t’i verifikuar ata dhe për t’i thënë opinionit të vërteta.
Adi Krasta: Janë shqetësuar burimet e tua?
Klodiana Lala: Në fakt burimet janë një punë titanike dhe e lodhshme për gazetarët, nuk më shqetëson shqetësimi i tyre por fakti nëse shkrimi im do të etiketohej për pasaktësi. Ajo që nuk pranoj është që në asnjë rrethanë dhe formë nuk do e ekspozoja burimin, qoftë edhe përmes ndonjë vendimi gjyqësor. Jam e vendosur që të gjej lajme që i shërbejnë opinionit publik.