Aleksandër Biberaj e njeh PD-në që në qelizë… Prej saj nuk donte të largohej. Qëndroi larg PD-së për shkak të kritikave ndaj disa individëve apo segmenteve të pushtetit. Misionin e nisur që në 90-ën, dhe që e ndërpreu vetëm përkohësisht z.Biberaj ka vendosur ta vazhdojë… Ndaj u rikthye në forumet drejtuese të partisë, i zgjedhur me votë si antar i Këshillit Kombëtar të PD-së. Ish-deputeti demokrat Aleksandër Biberaj, tregon për “Gazeta Shqiptare”, arsyet e ikjes dhe rikthimit në PD, abuzimin e ish-pushtetarëve të djathtë, të cilët sipas tij sot shijojnë parajsën ndërkohë që demokratët i kaluan në opozitë. Aleksandër Biberaj flet për marrëdhënien me Lulzim Bashën, pritshmëritë e tij për të risjellë demokratët në pushtet, rrotacionin e elitave dhe brezave në PD, qeverinë hije sot në opozitë dhe reale nesër ne pushtet.
Z.Biberaj, si ishte për ju rikthimi në PD pas kaq vitesh?
Duke iu falënderuar për intervistën në gazetën tuaj, një ndër gazetat më të vjetra në historinë e Shqipërisë, dëshiroj te theksoj se jam rikthyer në Partinë Demokratike direkt pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2013, besoj që mbahet mend pasi media e ka përcjellë si lajm në atë kohë. Ndërkohë kam qenë pjesë e strukturave lokale të PD-së në Njësinë Nr. 5 Tiranë, sekretar i seksionit ku edhe banoj. Kam marrë pjesë aktivisht në të gjitha aktivitetet politike të PD-së, por me sa duket aktiviteti im duke qenë në nivel lokal, ka ngelur jashtë vëmendjes mediatike. Gjatë këtyre viteve i jam përkushtuar karrierës akademike, duke qenë lektor në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Ma-qedoni dhe ve-nde te tjera, e cila mbetet një eksperiencë e jashtëzakonshme që më vlen shumë.
Çfarë ju riktheu në forumet drejtuese të PD-së, konkretisht në Këshillin Kombëtar?
Duke qenë një themelues i PD-së, dhe një përfaqësues i brezit dhe frymës së Dhjetorit ’90, gjykova se misioni im kishte mbetur përgjy-smë, i parealizuar, dhe u ktheva për të dhënë kontributin tim modest për të realizuar misionin e atij brezi që është edhe misioni i çdo shqiptari sot e kësaj dite, një mision për liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe për demokracinë si sistem vlerash, për një shtet të së drejtës, për një ekonomi të tregut të lirë ku dominon konkurrenca e lirë dhe e ndershme, për një Shqipëri anëtare të BE-së, për një parlament elitar, për një qeverisje profesioniste që punon për qytetarët e vet dhe jo për vete, për një sistem drejtësie që bazohet në ligj dhe që respekton dhe zbaton ligjin në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët, dhe mbi të gjitha për interesin kombëtar që qëndron dhe prevalon mbi çdo interes tjetër. Gjithashtu, u riktheva në forumet drejtuese të PD-së pasi e pashë që punët e vendit po shkojnë keq e më keq, dhe gjykova se vendi ka nevojë edhe për kontributin tim modest. Gjithashtu, dëshiroj te theksoj se politikën e kam pasion dhe profesion, dhe gjykoj se nuk ka gjë më fisnike sesa t’iu shërbesh qytetarëve të vendit tënd.
Çfarë ka ndryshuar që nga koha që ju u larguat nga PD dhe deri në zgjedhjen tuaj si anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së?
E para, nuk u largova nga Partia Demokratike, por më larguan, dhe e dyta kritikat e mia ndaj qeverisë (kohë kur PD qeveriste e vetme ose me LSI-në) ishin parimore dhe drejtoheshin ndaj individëve apo segmenteve të pushtetit që nuk punonin për interesin e shqiptarëve dhe demokratëve, por për interesat e tyre private dhe klanore. Siç thoshte i madhi Churchill “Problemi është gjithmonë qeverisja”, dhe kritikat e mia synonin përmirësimin e qeverisjes së PD-së. E treta dhe më e rëndësishmja, është se u ktheva në PD në vitin 2013, kur Partia Demokratike doli në opozitë. Është koha kur të gjithë ata që përmenda më sipër, duke abuzuar me pushtetin dhe votën e demokratëve e çuan PD-në në opozitë, harruan anëtarët, simpatizantët, militantët dhe aktivistet demokratë që ngelën rrugëve, u larguan nga PD dhe vazhdojnë të shijojnë parajsën që kanë ndërtuar në mënyrë abuzive me pushtetin dhe votën e demokratëve. Unë që kisha qenë në oponencë më këta pushtetarë u ktheva në Partinë Demokratike për të vazhduar misionin tim, pasi opozita është mision, se për pushtet gjen njerëz sa të duash, ndërsa të sakrifikosh, të qëndrosh, të rezistosh në opozitë është një mision tepër fisnik. Natyrisht që unë opozitën nuk e kam për herë të parë, pasi jeta ime politike përgjithësisht ka kaluar në opozitë, përfshirë opozitën zyrtare me kundërshtarët politikë në vitet e vështira 1991-1992, 1997-2005, dhe oponencën brenda llojit në vitet 2009-2013.
Si janë marrëdhëniet tuaja me kreun e PD-së Lulzim Basha?
Me Zotin Basha gjithmonë kam pasur marrëdhënie shumë të mira dhe tepër korrekte, marrëdhënie që bazohen në frymën e bashkëpunimit, mirëbësimit dhe respektit reciprok. Kemi bashkëpunuar në Komitetin e Orientimit të Politikave të cilin z.Basha e drejtonte për hartimin e programit elektoral të fitores së zgjedhjeve të vitit 2005. Kemi bashkëpunuar po ashtu me z. Basha kur ishte Ministër i Transporteve dhe Telekomunikacioneve për reformat në sektorin e telekomunikacioneve, dhe natyrisht bashkëpunimi më i rëndësishëm ka qene në kohën kur Z. Basha ishte Ministër i Jashtëm, ndërsa unë kisha pozicionet e Zv. Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe Zv. Presidentit të Grupit Parlamentar të Partive Popullore Europiane. Ishte koha e reformave të suksesshme të qeverisë së demokratëve për integrimin e Shqipërisë në BE, për liberalizimin e vizave, për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si dhe sfida mbarëkombëtare për lobingun për pavarësinë e Kosovës dhe njohjet ndërkombëtare të saj, ku Z. Basha si Ministër i Jashtëm ka bërë një punë të shkëlqyer duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm.
Ju keni bashkëpunuar gjatë në politikë me Sali Berishën, ndërkohë që u shkëputët kur në krye të PD-së ishte Z. Berisha, për t’u rikthyer kur në krye të PD-së erdhi Lulzim Basha. A shikoni diferenca në këto dy kohë dhe në gjykimin tuaj ku çalon PD nën drejtimin Z. Basha, cilat janë defektet që duhet t’i korrigjojë?
Është e vërtetë qe kam punuar gjatë me Dr. Berishën, për rreth dy dekada, në nivele dhe pozicione të ndryshme, por asnjëherë nuk kam qenë afër tij, në rrethin e ngushtë të tij. Gjithsesi, gjatë këtyre dy dekadave bashkëpunimi, kemi pasur një marrëdhënie korrekte dhe një bashkëpunim të frytshëm, gjë që e vlerësoj. Natyrisht që Z. Berisha dhe Z. Basha, përfaqësojnë dy modele të ndryshme lidershipi, dy breza të ndryshëm, dy shkolla të ndryshme politike dhe kanë drejtuar PD-në në dy kohë të ndryshme dhe rrethana të ndryshme, kështu që çdo krahasim do të ishte subjektiv. PD pas zgjedhjeve dhe ripërtëritjes së forumeve drejtuese po ravijëzohet çdo ditë e më shumë si forcë qeverisëse, ndërsa z. Basha e vlerësoj si lider të PD-së dhe të së djathtës, dhe e shoh që çdo ditë po konturohet si kryeministri i ardhshëm model perëndimor i Shqipërisë.