Sekreti që di Albin Kurti, për Edi Ramën!

0
161
Nga Poli Hoxha 

Përpara pak kohësh mediat e Kosovës, por edhe këtu në Shqipëri, zbardhën pak a shumë një bisedë të tensionuar mes liderit të Vetëvendosje Albin Kurtit dhe kryeministrit të Shqipërisë, e cila kaloi deri në sherr, me sa duket të pa rikuperueshëm më. Debati është zhvilluar në kulmin e dy ngjarjeve madhore në skenën shqiptare; protesta e studentëve dhe avancimi i planit Vuçiç-Thaçi për një marrëveshje Serbi-Kosovë që përmban brenda, edhe gjymtim të trojeve shqiptare.

Pavarësisht aleancës dhe miqësisë së ngushtë që kanë pasur ndër vite Rama me Kurtin, ky i fundit duket se ka dalë mbi meskinitetin e marrëdhënieve që karakterizon miqësitë e Ramës dhe është pozicionuar fort kah interesit kombëtar dhe erës së “pranverës” mbarë shqiptare, që paralajmëroi protesta e studentëve. Madje nuk kompleksohet fare, që 16 Shkurtin e opozitës këtu në Shqipëri, ta shoh si një start pa kthim.

Gjatë vizitës së djeshme në Tiranë dhe komunikimit me protestuesit në Fakultetin Filologjik, Kurti, foli hapur për rrëzimin e kastës në pushtet në të dy shtetet shqiptare. Reagimi i enturazhit politiko-mediatik që rrethon Edi Ramën ishte i ashpër dhe Albini “shqiptar i madh” u shndërrua brenda ditës në “marksist e anarkist”, që fut hundët në punët e brendshme të Shqipërisë. Por nga kjo anë, Kurti e ka vërtetuar që nuk “ja ndjen” dhe duket se ai, me gjithë popullaritetin e madh që gëzon (ndoshta  në Shqipëri, edhe më shumë se në Kosovë) po shfaqet i vendosur që të jetë hapur, pjesë e rrëzimit të pushtetit kleptokratik të Ramës këtu, njësoj si të Thaçit në Kosovë.

Po përse kaq “papritur” Kurti dhe forca politike që drejton po investohen sheshit dhe pa asnjë mëdyshje, për “heqjen qafe” nga skena shqiptare të Edi Ramës dhe asaj që ai përfaqëson?!. Përse ai po i sheh kokëprerjet politike të Ramës dhe Thaçit, si dy akte që duhen realizuar njëkohësisht dhe nën dritën e një çlirimi të dy shteteve shqiptarë?!

Për sa i përket skenës në Shqipëri, mediat pranë Ramës kanë dy ditë që thurin teori konspiracioni, sipas të cilave bëhet fjalë për një hakmarrje meskine të Kurtit ndaj Ramës, për faktin që ky i fundit bëri ministra (Gent Cakaj dhe Besa Shahini) dy ish anëtarë të VV, të cilët na paskan “tradhtuar” Albinin gjatë rrugës. Të tjerë arrijnë deri aty sa që për hir të kësaj hakmarrje për një mendje dhe shpirt të vockël, Albini po shkelka edhe ëndrrën e tij për bashkim kombëtar, të cilën po e realizoka Vuçiç në bashkëpunim me Thaçin dhe Ramën!

Nuk u vihet faj shërbëtorëve pa kushte morale dhe profesionale, (por vetëm financiare), sepse kujtojnë se kreu i Vetëvendosjes duhet të funksionojë njësoj si shefi i tyre; një inatçi meskin, që nuk sheh dot përtej majës së hundës, oborrit dhe xhepit të vetë.

Faktikisht kombi shqiptarë, ndodhet përballë një sfide historike. Në pikëpyetje është integriteti territorial i Kosovës. Kur themi këtë, nuk nënkuptojmë marrëveshjen me Serbinë. Për këtë janë dakord të gjithë faktorët; çështja është si dhe në kurriz të kujt.

Nëse e shohim nga një pikëpamje “burse”, aktualisht shqiptarët janë më komfort dhe në pozita më të forta se serbët. Këta të fundit duhet ta shohin “me dylbi” BE dhe NATO, nëse nuk njohin Kosovë. Nga ana tjetër Shqipëria “de fakto” dhe Kosova “de jure” me bazën e Bondsteel janë në NATO dhe në një rrugë, vetëm me një kalim drejt BE. Ndryshe nga Serbia që mban gjithmonë të hapur, shtegun kah Rusisë.

Edhe taksa 100% e Ramush Haradinajt tregoi, se Serbia është një “tigër ballkanik” prej letre. Shiheni si kuis si një mace qaramane nëpër botë, për ato qindra milion euro që i mungojnë.

Për sa i përket ulëses së famshme në një OKB për të cilën Trump po mendon seriozisht që të largojë SHBA-të dhe njohjet e ca shteteve (më shumë se mbajnë anën e Serbisë, kanë hallet e tyre të brendshme), nëse u dashka që të futen në pazar për troje shekullore shqiptare, atëherë kurrë mos bëfshin. Kosova e ka shtetin dhe kufijtë e vetë (edhe kështu të tkurrur në maksimum) dhe ata janë të gdhendur në shkëmb, njësoj si te ajo harta që Thaçi i dhuroi Ramës, shumë kohë më parë.

Gjermania dhe BE-ja e shteteve (Jo ajo e Sorosit, Mogherinit dhe Hahn) gjithashtu janë në mënyrë të pa negociueshme në krah të integritetit territorial të Kosovës. Edhe ajo rrymë lobimi në SHBA ku është vetë investuar treshja, Rama-Thaçi-Rama, e cila përfaqësohej deri pak ditë më parë nga këshilltari Bolton, po shuhet orë pas ore. Sepse interesat strategjike të SHBA nuk janë kurrë momentale, por qindravjeçare. Sepse filtrat në labirintet e Departamentit e Shtetit, Kongres dhe Senat, e tejkalojnë lobin ku janë vetë-ofruar Vuçiç-Thaçi e Rama. Madje edhe vetë presidentin Trump, e këdo qoftë momentalisht në Dhomën Ovale. Po kujt, ti thuash?!

E keni parë Thaçin, Ramën dhe Batonin së fundmi në daljet e tyre publike, se si janë shndërruar nga “luanë të shqiptarisë” në personazhe të “Epokës përpara gjyqit”; të zverdhur në fytyrë e “mëkmëkës” në artikulim?!. Gati sa nuk thonë; ne u përpoqëm për mirë, por nuk e dinim që e kishim futur kokën në një turp historik antishqiptar!

Pra përderisa “bursa” aktualisht është në favor të shqiptarëve, atëherë përse Vuçiç e sheh këtë kohë si “të artë”, për të marrë maksimumin nga një Kosovë që e kanë humbur pa kthim. Nga një Kosovë të cilës duhet ti japin e ti kërkojnë falje, e jo ta copëtojnë në paqe kur nuk e bënë dot as me genocidin më makabër, që nga koha e Hitlerit?!

Sepse shohin dhe kanë kuptuar hallin jetik personal, të Ramës dhe të Thaçit. Kanë informacionin e duhur nga shërbimet e tyre inteligjente, ato ruse, të SHBA dhe të vendeve të Europës, se janë të zhytur deri në fyt dhe po kërkojnë “gjallë a vdekur”, një varkë shpëtimi.

Thaçin e tmerron Haga dhe çdo avion të KFOR e sheh sikur zbret në aeroportin e Prishtinës, për të marrë atë. Kurse Ramës ëndrra-makth me prokuroren që prangosi kryeministrin e Kroacisë në detyrë, Ivo Sander, po i bëhet realitet. Ky është peri i hollë që po këputet me shpejtësi, por që kërkon si haraç mbijetese Kosovën. Dhe më qesharakja e bëjnë, nën mirazhin e bashkimit të dy shteteve Shqiptare. Këtë sheh dhe ka kuptuar Albin Kurti, prandaj ka zbritur fuqishëm në skenë.

“Më duhet të pranoj se vetëm Albini ka kapur thelbin e asaj, që po ndodh. Plani për ndarjen e Kosovës ndalon vetëm, po u largua Edi Rama. Zbarkimi i tij në Tiranë në prag të protestës së 16 Shkurtit, është lëvizja më logjike që mund të bëjë në këto momente një lider politik nga Kosova, që është kundër ndarjes së Kosovës. Data 16 Shkurt, duhet të jetë pikë së pari largimi i sponsorit të ndarjes së Kosovës, Edi Ramës”, shkruante dje një nga gazetarët më të zëshëm për çështjen e Kosovës, Çim Peka.

Dhe në fakt ky është thelbi; ky është “sekreti” që di Albin Kurti për Ramën dhe Thaçin!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here