Ky nuk është një rast që përdoret nga politika, absolutisht jo! Ky është nja rast që kërkon sensibilizim të thellë, sepse është edhe faji i shoqërisë, jo vetëm i institucioneve, që nuk reagon, që nuk ngrihet ndaj një çështje që është kaq madhore. Të të prekin fëmijën, unë besoj se është prekur shpirti i çdo nëne, i çdo babai, i çdo familje shqiptare. Ndaj dhe fajin shoqërisë do ta jepja jo vetëm për mënyrën se si ajo ka një mungesë të fortë ndaj këtij fenomeni. Por edhe te modeli qeverisës që zgjedhim të gjithë ne. Fatkeqësisht ne kemi arritur të zgjedhim sot një model qeverisës dhunues, shantazhues, model që i mbyll gojën shoqërisë për të vërtetën dhe kjo është e pafalshme, u shpreh deputetja e LSI-së, Klada Gjosha në fjalën e saj në Kuvend.
Fjala e deputetes së LSI-së, Klajda Gjosha në Kuvend
Diskutohet sot për peshkimin, vështirë ti përmbahesh rendit të ditës, kur ke shumë problematika, siç është ky vendi ynë i vogël. Megjithatë, unë e kam një fjalë të mirë edhe për peshkimin, sepse më në fund na vjen një ligj që përafrohet sado pak me ato të BE-së.
Ne kishim muaj të tërë që këtij Kuvendi i mungonin ligjet që i përafronin standardeve shqiptare me ato të BE-së. Mos të harrojmë që e kemi detyrë kryesore këtë gjë, jo vetëm për t’u përafruar me BE-në, por minimumi për ti dhënë qytetarëve shqiptarë disa standarde. Prapë po të mbetemi te peshkimi, ka shumë pyetje të mëdha, të cilat ende kërkojnë një përgjigje.
Unë do të ndalem vetëm te një çështje e vetme. Nuk e di pse ligji ende nuk përmban një sanksionim të drejtpërdrejtë për ata persona, të cilët fikin radarët, fikin GPS-et në momentin kur janë në det të hapur, ku ndodhin trafiqe të ndryshme që në këtë vend nuk është hera e parë që diskutohet. Nëse duhet të kishte ky ligj një ndryshim, duhet të ishte pikërisht kjo çështje.
Megjithatë, është e kotë të bësh analizë ligjore, është e kotë ti përmbahesh edhe rendit të ditës, kur sot jetojmë në një vend ku ndodhin çudira nga më të ndryshmet. Jo se nuk ndodhin edhe në vendet e tjera të botës, por rasti i Kavajës është i dhimbshëm për çdo qytetar që e ka ndjekur atë nga televizori. Është i dhimbshëm për çdo nënë që ka një vajzë dhe që ka frikë se cenohet siguria e saj në shkollë. Mbi të gjitha është i dhimbshëm, sepse ka vërtetuar edhe njëherë që sot mungon besueshmëria e qytetarëve te institucionet. Mungon fakti që institucioni do të dali për zot edhe atëherë kur dhimbja është shumë e madhe, të kuptosh që fëmija jot është dhunuar.
Ky nuk është një rast që përdoret nga politika, absolutisht jo! Ky është nja rast që kërkon sensibilizim të thellë, sepse është edhe faji i shoqërisë, jo vetëm i institucioneve, që nuk reagon, që nuk ngrihet ndaj një çështje që është kaq madhore. Të të prekin fëmijën, unë besoj se është prekur shpirti i çdo nëne, i çdo babai, i çdo familje shqiptare. Ndaj dhe fajin shoqërisë do ta jepja jo vetëm për mënyrën se si ajo ka një mungesë të fortë ndaj këtij fenomeni. Por edhe te modeli qeverisës që zgjedhim të gjithë ne. Fatkeqësisht ne kemi arritur të zgjedhim sot një model qeverisës dhunues, shantazhues, model që i mbyll gojën shoqërisë për të vërtetën dhe kjo është e pafalshme.
Pse kemi arritur ne deri këtu? Sepse Shqipëria sot vuan nga një ekonomi e rrënuar dhe sa më të varfër të jenë njerëzit, patjetër që zëri i tyre nuk do të mund të ngrihet ashtu siç ngrihet në çdo vend europian, në çdo vend demokratik. Sot po të shkojmë nëpër dyqanet e lagjeve, nëpër marketet e lagjes, të jeni të bindur që do të gjeni lista të tëra të papaguara të njerëzve që mbartin me vete pamundësinë për t’i paguar ato. Për të ushqyer familjet e tyre, fëmijët e tyre. Papunësia ka arritur majat. Sot qeveria krenohet për PPP-të, krenohet për koncensionet. Por çfarë kanë bërë ato? Kanë rrënuar buxhetin e shtetit. Sot borxhi publik nuk është më në nivelet 78% që të trumbetohet, por fatkeqësisht është në nivelin 83% dhe ky është niveli më i lartë i borxhit publik që ka pasur ndonjëherë ky vend.
Sot ne u kemi dhuruar fëmijëve tanë që në momentin që ata lindin një borxh prej 3 mijë euro për çdo fëmijë, një borxh që i detyrohet buxhetit të shtetit. Çdo fëmijë që lind, lind me një borxh kundrejt shtetit, të cilët nuk mbajnë përgjegjësi për asgjë çfarë ka ndodhur, për asnjë nga këto koncesionet e dhëna, për asnjë nga këto PPP-të që nuk bëjnë gjë tjetër vetëm rrënojnë ekonominë dhe e fshehin të vërtetën, e fshehin borxhin publik.
Dhe duke folur për këtë problem të madh që ka Shqipëria që është pikërisht çështja ekonomike dhe varfëria e saj, vijmë tek një fenomen që sot është dhimbja më e madhe e këtij vendi, largimi i të rinjve, largimi i shtresës së mesme, largimi i trurit. Si mundet një vend si Shqipëria që mendon se do të shkojë drejt BE-së të përballet me sfidat e së ardhmes kur i mungojnë kapacitetet njerëzore, kur mungojnë ata që kanë shkuar dhe kanë studiuar jashtë, kur mungojnë studentët e ekselencës, kur mungon bankieri, kur mungon mësuesi, kur mungon doktori, të gjithë kanë ikur nga ky vend.
E unë nuk mendoj që ky vend mund të qeverise vetëm për moshën e tretë, pavarësisht gjithë respektit që kam për ta, pavarësisht gjithçkaje që ata meritojnë, edhe rritjen e pensioneve, gjithçka që meritojnë ata në atë moshë në të cilën ndodhen. Po ky duhet të jetë vendi i rinisë, nuk mund të jetë kurrsesi vetëm i moshës së tretë apo i një qeverie që kërkon të sundojë mbi çdo gjë tjetër.
Dhe vijmë tek çështja e fundit që janë zgjedhjet. Ajo çka ka vërtetuar Zëri i Amerikës nuk është kazan, është e vërteta e hidhur. Është demokracia që i mungon këtij vendi. Janë institucionet e rrënuara, të cilat nuk veprojnë, ku pandëshkueshmëria ka lulëzuar prej vitesh tashmë dhe në qoftë se duhet të ndryshojë diçka në këtë vend janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Unë besoj që nëse qeveria nuk e ka këtë vullnet, nëse gjithë mazhoranca ndoshta nuk e ka këtë vullnet, atëherë unë po ju them që data 16 Shkurt do të jetë vullneti i qytetarëve shqiptar për t’i dhënë Shqipërisë mundësinë për zgjedhje të lira e të ndershme, për t’i dhënë Shqipërisë mundësinë e çeljes së negociatave, për t’i dhënë Shqipërisë kthimit të besimit edhe tek ata që duhet ta drejtojmë këtë vend. Kjo është ajo që duhet të ndodhë, boll me këtë krenarinë kot që secili nga ne shpesh herë mbart këtu edhe para kësaj salle dhe para këtij mikrofoni. Njerëzit janë të lodhur. Unë besoj që edhe tani që flasim pseja më e madhe e tyre i kanë fikur televizorët sepse e kanë humbur besimin tek gjithsecili nga ne dhe ky është momenti ku politika duhet të tregojë një herë e mirë se është bashkë. Është bashkë për hir të fëmijëve tanë dhe të ardhmes së tyre. Faleminderit!