Deputetët socialist, anëtarë të Komisionit të Ligjeve, miratuan me votat e tyre ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit.
Ndryshimet në Rregullore i japin mbrojtje ministrave dhe deputetëve përballë kërkesave të mundshme për arrestim. Më drejtpërdrejtë, socialistët kanë zyrtarizuar mbrojtjen që iu bë ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, kur prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrestimin e tij në Kuvend.
Sipas ndryshimeve të miratuara, çdo kërkesë e prokurorisë për arrestimin e një zyrtari të lartë, do të kthehet në një proces gjyqësor, ku gjykatës do të jenë anëtarët e Këshillit të Mandateve në parlament.
Në rast të një hetimi ndaj një deputeti apo ministri, të dyshuar për kryerjen e një vepre penale, Këshilli i Mandateve në Kuvend do të marr në pyetje prokurorinë; do të vlerësojë dhe vendosi nëse prokuroria ka prova të mjaftueshme për ta arrestuar deputetin; si dhe do të vlerësojë nëse deputeti është i fajshëm apo i pafajshëm. Imuniteti i deputetëve apo ministrave nuk mund të hiqet vetën në bazë të provave apo dyshimesh të arsyeshme dhe më pas të hetohet dhe të përballet me drejtësinë si njeri i zakonshëm, pa miratimin e Kuvendit.
Lëvizja e mazhorancës, e paralajmëruar që para 1 viti, përkon në kohë me ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, veçanërisht SPAK, e cila synon të hetojë politikanët dhe drejtuesit e lartë për veprat e korrupsionit dhe çështje të tjera penale.
Ndryshimet
– Prokurori i paraqet kërkesën dhe provat për arrestim të deputetit ose ministrit Kryetarit të Kuvendit.
– Kryetari ia përcjell kërkesën Këshillit të Mandateve, i cili vë në dijeni kuvendin dhe deputetin për kërkesën.
– Kuvendi cakton dy relatorë të çështjes, një nga opozita dhe një shumica. Të gjitha provat i bëhen të ditura subjektit të akuzuar dhe i caktohet dita kur do të shqyrtohet kërkesa.
– Prokurori duhet të sqarojë kërkesën për arrestimin e deputetit ose ministrit, t’i nënshtrohet një seance me pyetje nga anëtarët e Këshillit të Mandateve dhe nga i akuzuari ose nga avokati i tij.
– Deputeti ose ministri ka të drejtë të marrë paraprikisht provat dhe kërkesën e prokurorit. Pasi ka pasur kohën e nevojshme për t’u informuar, për të bërë pyetje dhe për t’u sqaruar, ai ka të drejtën të mbrohet nga një avokat dhe të paraqesë mbrojtjen e tij, me shkrim ose me gojë, Këshillit të Mandateve. Çdo anëtar i këshillit ka të drejtë ta pyesë deputetin.
– Pas përfundimit të seancës, në Këshillin e Mandateve, dy relatorët e çështjes hartojnë raportin e tyre dhe ia paraqesin Kryetarit të Kuvendit dhe Këshillit të Mandateve.
– Brenda 2 javëve, Kuvendi duhet të miratojë raportin e Këshillit të Mandateve, me votim të hapur. Në seancë plenare, deputeti i akuzuar ka të drejtë të flasë i pari, më pas Kryetarët e grupeve paralamentare dhe në fund sërish deputeti i akuzuar ka të drejtë të japë sqarimet e e tij brenda 10 minutave.
– Brenda shtatë ditëve, Këshilli i Mandateve merr vendimin nëse lejon ose jo arrestimin e deputetit. Ky vendim i paraqitet deputetëve dhe publikut.