Basha: Askush nuk do të marrë tendera pa studim

0
137

Basha tha se të gjitha kontratat e 2.9 miliardë euro PPP dhe koncesione të 5 individëve dhe korporatave të tyre, do të anulohen dhe çdo cent publik, do të rikthehet tek arka e shtetit.

Në një takim me biznesin në Vlorë ku shpalosi 5 Prioritet e PD për zhvillimin e e ekonominë, kryedemokrati Basha u shpreh se objektivi numër një do të jetë punësimi.

“Nuk mundet askush, sado kohë të ketë qenë në paradhomat e PD dhe tani në paradhomat e PS, të marrin tendera nga 200-300 milionë euro pa studim fizibiliteti.”- theksoi kryedemokrati Basha, ndërsa renditi tre shtylla kryesore të PD për të ringjalljen e ekonomisë.

FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA NË TAKIM ME PËRFAQËSUES TË BIZNESIT NË VLORË 

Nuk kam ardhur këtu të bëj fushatë elektorale. Natyrisht turi që po bëj nëpër Shqipëri është për protestën e 16 shkurtit, por bashkëbisedimi me ju po e bëj në një kuadër shumë të më të thellë. Jam jashtëzakonisht i shqetësuar për gjendjen ekonomike në Shqipëri. Të gjithë indikatorët kritike janë në rënie.

Anketa më e fundit e Bankës së Shqipërisë tregon besimin e konsumatorit, besimin e biznesit me rënien pikiatë për 4-5 tremujorë. Kreditimi i biznesit, sipas të njëjtit buletin, është në rënie, klima e biznesit në përkeqësim, sipas edhe vetë Forumit Ekonomik Botëror.  Vendi ynë, në raport me vendet e tjera të rajonit, nuk po flas më gjerë, përsa i përket pëlqyeshmërisë është i fundit, na ka kaluar edhe Kosova, edhe Bosnjë Hercegovina.

Analiza jonë që na çon në një paketë masash, në një shock për ta rizgjuar ekonominë nga gjendja e komës ku është dhe pastaj për të ecur përpara, pra, analiza tregon se 3 janë faktorët kryesorë pse kemi ardhur në këtë pikë:
Mungesa e politikave ekonomike. Këtu kemi përfaqësim të botës së biznesit, jo vetëm të mbështetësve të PD, dhe ju ftoj të më thoni një politikë ekonomike, një politikë që nxit punësimin, një politikë që nxit investimet e huaja. Ka mungesë totale të vizionit për vendin dhe ky është shkaku i parë.
Një politikë tmerrësisht e gabuar fiskale është shkaku I dytë. Rritja e taksave 15 %, kur të tjerët e ulin, kur Maqedonia dhe Mali i Zi i çuan në 9 %, ngarkimi i komoditeteve mbi të cilat funksionon ekonomia me taksa dhe tarifa të paimagjinueshme. Nafta më e shtrenjta në Europë, energjia që prodhohet këtu, 99% nga shiu me koston më të ulët, prapë më e shtrenjta në rajon, për të mos vazhduar me taksat e fshehta. Një biznesi i shkojnë mesatarisht  100 ditë në vit vetëm inspektorët. Do të bëjë biznes apo do të merret me inspektorët?!
Korrupsioni, plagë e tranzicionit, nuk nisi me këtë qeveri, por që ka arritur në nivele të paimagjinueshme. As më skeptiku ndër ne nuk do ta kishte imagjinuar këtë shkallë korrupsioni, që merr forma të tilla si afera e Unazës, me 20 milionë euro 1 kilometër. Dhe pastaj ndahet në 3 pjesë që të përjashtohen garuesit e huaj dhe, prapë një bashkim kompanish me një garues të huaj dhe ca shqiptarë, fiton në një rrugë ekzistuese që siç e dini përfundoi në 1 kilometër 20 milionë euro. Dhe pastaj zbulohet se kanë falsifikuar firmën e Sekretarit të Shtetit të Delaware. Pasi ndodh e gjitha kjo, që edhe në Nigeri do të kishte shkuar një ministër në burg, këta i trajtojnë si gjëra normale, si gjëra që ndodhin. Është dhe rasti tjetër i fitimit të 4.5 mln eurove për 8 orë me një transaksion të KESH-it. Shembuj të tillë ka pa fund.

Çfarë propozojmë ne?

Ne kemi një vizion mbi të cilin do të bazojmë politikat tona ekonomike. Ky vizion përbëhet nga 3 shtylla kryesore:
1) Çlirimi i tregut nga monopolet, oligarkia dhe korrupsioni 2) Një politikë fiskale, e cila do të nxisë prodhimin dhe punësimin si objektivi ynë numër një.  3) Orientimi nga prioritet e ekonomisë shqiptare.

Për të parën kemi propozuar platformën tonë antimafia për oligarkinë. Nuk mundet askush, sado kohë të ketë qenë në paradhomat e Partisë Demokratike dhe tani në paradhomat e PS, të vijë dhe të marrë tendera nga 200-300 milionë euro pa studim fizibiliteti, pas asgjë fare. 5 individë dhe koorporatat e tyre kanë lidhur sot duart e buxhetit të shtetit me 2.9 miliardë euro PPP, që nuk e dimë çfarë vlere do t’i sjellin ekonomisë. Të gjitha këto kontrata do të anulohen dhe çdo cent publik, që janë paratë tuaja, që kanë ndërruar duar, do të rikthehet tek arka e shtetit.

Ne do t’u japim fund këtyre praktikave. Nuk do të ketë propozime të pakërkuara, nuk do të ketë kompani fantazëm, që krijohen dy ditë para tenderit, nuk do të ketë tendera me konkurencë fallco ku futet një bedel në të tre lotet dhe pastaj zeron ofertën, që të dalë oferta më e lartë që të marrë 40 milionë euro për 2 km për tendera si ai i unazës me 40 milionë euro, që janë paratë e shqiptarëve. Platforma antimafia do të godasë këtë element të përparuar të korrupsionit, por ne besojmë se platforma fiksale e taksës së sheshtë 9%, thjeshtimit të sistemit fiskal, po kështu, do të ndihmojnë shumë në reduktimin e korrupsionit, duke reduktuar mundësitë për korrupsion.

Çlirimi nga korrupsioni, po kështu do të fokusohet tek çështja e inspektorateve që, siç ju thashë, sipas vetë anketave të INSTAT-it dhe Bankës së Shqipërisë u konsumojnë sot bizneseve deri 100 ditë më vit, 1/3 e vitit duke u marrë me inspektoriatet. Për biznesin e vogël kjo do të thotë eliminimi i pranisë së inspektorëve pas fiksimit të pullës fiskale. Për bizneset e mëdha kjo do të thotë një maksimum prej 5 ditësh në vit në bazën e analizës në vlerësimit të riskut, siç përdoret ne Europë, siç përdoret në SHBA, sic përdoret në Maqedoni dhe Kosovë.

Kthehem tek shtylla e dytë-paketa fiskale.

Biznesi nën 140 milionë lekë të vjetra do të futet në fashën e biznesit të vogël dhe do të hiqet nga TVSH. Askush nuk përfiton, as biznesi i madh. Nën 140 milionë lekë të vjetra, biznesi i vogël do të tatohet me 0.5 % të xhiros vjetore. Shlyerja e këtij detyrimi do të njihet përmes pullës fiskale dhe i gjithë detyrimi do t’i shkojë pushtetit vendor, i cili nuk do të ketë të drejtë të vendosë asnjë taksë tjetër përveç kësaj tek binesi i vogël.  Kjo të paktën do të mundohet të ndalë arrestin kardiak ku ndodhet biznesi i vogël. Sot po mbyllën 50 biznese në ditë, sipas QKR. Minimumi janë 50 vende pune që mbyllen në ditë. Sepse  biznesi është në gjendje të arrestit kardiak, sepse i kanë rritur taksat, se ka 100 taksa të fshehura, gjoba, tarifa të pushtetit vendor.  0.5% e xhiros vjetore, pulla fiskale dhe kjo pullë do të jetë edhe ndalim kalimi për inspektorët tatimorë.

Për biznesin e madh taksa 9%, taksë e sheshtë, kemi pasur taksën 10%, i thonim taksë e sheshtë, por nuk ishte taksë e sheshtë, sepse taksat për kontributet shoqërore nuk u prekën. Kësaj radhë kjo do të prekë edhe taksën për kontributin shoqëror. Do të jetë 9+9. 9 për punëdhënësin, 9 për punëmarrësin, 9 % edhe taksa e fitimit të korporatës.

Ndërsa për dy komoditetet bazë do të kemi këto përqasje:

Uljen me 300 lekë të çmimit të karburantit, eliminimin e taksës “Rama” mbi karburantin, që siç e dini është shtimi në dy këste i taksës së qarkullimit dhe çmimin e energjisë do ta trajtojmë me tre fasho, 20% ulje për biznesin e vogël, 30-40 % ulje për biznesin prodhues dhe fasha e tretë do të jetë për konsumatorët.

Prioritet tona që janë edhe të Shqipërisë, nuk është se i shpikëm:
1) Në mënyrë absolute turizmi, potenciali më i madh, i cili pritet që në nivel global të dyfishohet. Imagjino çfarë do të thotë kjo për një perlë të Mesdheut, siç është Vlora. Mundësi e jashtëzakonshme edhe përgjegjësi e jashtëzakonshme. Do ta kthejmë tallava apo do të përfitojmë nga turistët më të kamur. Nëse po, si? Infrastruktura, çmimi i naftës, energjisë, që janë bazike, elementare, pa këto është e kotë të fluturojmë e të ëndërrojmë. Do ta bëjmë këtë duke ndërtuar fshatra turistike, duke gërmuar siç pashë andej nga Bregu, kur u ktheva nga Gjirokastra, çdo cep të Bregut nga një klient të qeverisë apo një plan me të vërtetë të konsoliduar, i cili të çojë në një rezultat që ky vend të ketë pjesën që i takon nga turizmi cilësor europian, si shtyllë kurrizore të rritjes ekonomike. Çfarë e nxori Greqinë nga kriza? 90% turizmi, 10% peshkimi. 2) Së dyti energjetika. 30% e energjisë që konsumojmë çdo ditë vjen nga investimet private në energjetikë. Është shfrytëzuar vetëm 50% e potencialit. Vetëm me Devollin janë hapur 9 mijë vende pune. Investimet në energjetikë duhet të vazhdojnë, natyrisht në harmoni me prioritetin numër 1 që është turizmi dhe mjedisi. Turizëm pa mjedis nuk mund të ketë.
3) Teknologjia e informacionit. Nevoja për programues në Europë përllogaritet të rritet në miliona njerëz. Vetëm në Gjermani 2 milionë njerëz përgjatë dekadës së ardhshme. Një programues sot në Tiranë e fillon punën me 800 euro, brenda 2 muajve 1200 euro, po të jetë i aftë brenda vitit merr 2 mijë euro. 3 herë më pak se në Bratislavë, 6 herë më pak se në Berlin, por jeton me një pagë mbi mesataren italiane në Tiranë, por nuk ka më. Janë 4-5 kompani kryesore që i kanë thithur të gjithë dhe nuk ka më programues. Kemi 12 universitete publike që i mbajmë me serum gjallë, se janë në gjendje kome, sepse lekët shkojnë për koncesione, kur mund të kishin marrë trajnuesit më të mirë, të kishim marrë 3-4 kompanitë më dominante të tregut dhe sot të kishim 10 mijë-20 mijë të rinj të trajnuar dhe prapë është një shkretëtirë që i thith si pikat e ujit. Miliona vende pune me paga të garantuara të nivelit europian – fusha të teknologjisë së informacionit, fusha e inovacionit.
4) Bujqësia dhe agroturizmi. Totalisht e pashfrytëzuar. Edhe kjo, parë në perspektivë globale veçanërisht në fusha si ajo e vajit të ullirit, prodhimit të verës, kur marrin dimensionet bio edhe më të çmuara në tregun europian dhe në tregje të tjera. Të gjithë po vrapojnë pas këtij tregu, vetëm shqiptarët jo, me disa përjashtime të rralla për bimët medicinale, erëzave, të tjerët nuk po përfitojmë sepse ne jemi i vetmi vend në Europë qe nuk subvencionojmë bujqësinë, nuk subvensionon agrobiznesin.
5) Dhe fusha e pestë prioritet-logjistika. Jemi si një kuti shpërndarëse. Na ka dhënë Zoti në zemër të Mesdheut, në qendër të Ballkanit. E nisëm me një plan kombëtar transporti, me Rrugën e Kombit, tani i kanë vënë traun. Në vend që ta bëjnë me të lirë koston e transportit, po si ta bëjnë më të shtrenjtë. Nuk mjafton 300 lekëshi për litër karburant, por i vëmë edhe traun. Ne nuk kemi as port të thellësisë së madhe, rrimë e kënaqemi me krunde, kur ne mund të jemi porti kryesor deri më Budapest. Ju duket si ëndërr, se ndoshta kështu ju dukej dhe heqja e vizave deri para 2010. Nuk është ëndërr. Duhen bërë disa detyra dhe unë flas me kompetencë të plotë si ish Ministër i Transportit. Kam jetuar në një vend që është kutia shpërndarëse e Gjermanisë së Veriut, në Holandë. Logjistika e Gjermanisë. Ka qenë shtylla kryesore e ekonomisë hollandeze, natyrisht, janë diversifikuar tani, janë prodhuesi numër 1 apo 2 i zarzavateve në botë, por logjistika është shumë e rëndësishme.  Të mbajë me me logjistikë, të paktën Malin e Zi, Maqedoninë, Kosovën. Këto të treja ne duhet t’i dominojmë. Porti i Vlorës, shkretëtirë, Porti i Durrësit, 1/3 e kapaciteteve.

Këto janë 5 prioritetet sipas vizionit tonë. Asgjë nuk është e shkruar në gur. Kjo tavolinë dhe shumë të tjera si kjo kanë këtë qëllim, ta ndajmë këtë vizion me ju, ta pasurojmë me ju dhe të keni nesër një qeveri që nuk ju vë shkelmon më fyt, por ju shtrin dorën.

Jemi një parti që jemi pro sipërmarrjes, jo thjesht dhe vetëm pse jemi pro sipërmarrjes, por sepse objektivi ynë numër një është punësimi dhe nuk ka punësues tjetër përveç sipërmarrjes. Sa më shumë vende pune do të jeni në gjendje të krijoni, aq më mirë do t’ju mbajmë. Ky është objektivi ynë, ky është vizioni i Partisë Demokratike dhe qendrës së djathtë me mbështetjen edhe të aleatëve tanë europianë për të nesërmen e ekonomisë shqiptare.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here