Nënkryetari i LRI
Nënkryetari i Lëvizjes Rinore për Integrim, Klevi Pojana në një interviste për “Gazeten Standard” ka folur për problematikat kryesore që kanë prekur të rinjët, si përdorimi i lëndëve narkotike, apo emigracioni, si i vetmi shpëtim nga një qeveri i që i ka braktisur. Pojana theksoi se vitet e fundit përdorimi i drograve është rritur në një në mënyrë të frikshme. “ Është e tmerrshme të mendohet se si Policia e Shtetit dhe institucionet e tjera kanë thuajse informacion mbi çdo shkollë dhe personat që kryejnë këtë veprimtari kriminale dhe qëndrojnë pasiv ” –shtoi nënkryetari i LRI. Ndërsa ka komentuar protesten studentore, ai e ka cilësuar madhështore, pas 28 vitesh u rikthye një fllad lirie dhe qeveria u detyrua të zëvendësonte më shumë se gjysmën e anëtarëve të kabinetit. “ Kjo tregon se ajo është rrëzuar keqazi. Sa i takon premtimeve për ndryshime tek sistemi arsimor dhe punësime, këto bien poshtë pasi kjo qeveri është përgjegjëse për Reformën në Arsim dhe ata dhe vetëm ata janë përgjegjës për largimin e të rinjve nga vendi sepse nuk ka mundësi punësimi ” –u shpreh Pojana.
Intervistoi: Ermelinda Ndoja
Abuzimi me drogat në ambientet e shkollave është një problem shqetësues për institucionet arsimore, çfarë mendimi keni ju për këtë fenomen që ka përfshirë thuajse çdo grupmoshë?
Pavarësisht se ka shumë vite që fenomeni i përdorimit të lëndëve narkotike është shndërruar në një shqetësim të madh në shoqërinë shqiptare, vitet e fundit ka njohur një dimension të frikshëm. Ne jemi bërë dëshmitarë se si në ambientet e brendshme të shkollave konsumohet lirisht kanabis dhe ajo çka është me e tmerrshme, ne kemi të dokumentuar nga disa emisione të ndryshme falë kamerave të fshehta, se si mjediset rreth shkollave shqiptare shërbejnë si vende ku shitet lirisht drogë. Është e tmerrshme të mendohet se si Policia e Shtetit dhe institucionet e tjera kanë thuajse informacion mbi çdo shkollë dhe personat që kryejnë këtë veprimtari kriminale dhe qëndrojnë pasiv. Unë mendoj se shkollat shqiptare dhe rinia shqiptare kanë me qindra probleme të tjera por varësia që mund të shkaktojnë lëndët narkotike mund të jenë shkatërrimtare për të ardhmen e tyre.
Sipas organizatës Transparency International, Shqipëria është e fundit në Ballkan për sa i përket luftës ndaj korrupsionit. Cili është komenti juaj?
Është diçka që çdo ditë e më shumë rëndon jetën e çdo qytetari të thjeshtë shqiptar. Korrupsioni është një çështje që duhet trajtuar me seriozitet nga një qeveri serioze dhe në rastin tonë ky nuk është rasti. Kjo qeveri jo vetëm që nuk është serioze në përmbushjen e detyrimeve të saj por përkundrazi e ka zhytur vendin në disa skandale të tmerrshme korrupsioni, rastet më të fundit dhe flagrante janë ato të Teatrit Kombëtar dhe Unazës së Re, për të përmendur një nga një PPP e famshme që mbartin njëra më shumë se tjetra skandale korrupsioni dhe abuzimi me fondet publike.
Si i shihni problematikat kryesore të braktisjes së vendit nga ata që mund të cilësohen si e ardhmja e një kombi, dhe cila është zgjidhja sipas jush?
Rinia shqiptare në këto 6 vite e ka braktisur më shumë se kurrë vendin. Kjo ka të bëjë me faktin që kjo qeveri ka vrarë shpresën e tyre se e ardhmja në Shqipëri do të jetë e ndritur. Pikë së pari sistemi arsimor ka dështuar. Këtë e dëshmon më së miri protesta madhështore e studentëve. Përveç kësaj ekonomia e rrënuar, mungesa e hapësirave të punësimit dhe rritja e varfërisë ka ndikuar tek të rinjtë shqiptar për tu larguar. Ne duhet ta ndryshojmë këtë situatë menjëherë, duhet të përmirësojmë sistemin arsimor duke ju përgjigjur kërkesave të studentëve, duhet të nxisim sipërmarrjen dhe punësimin tek të rinjtë duke krijuar incentiva të ndryshme financimi dhe duke lehtësuar nga taksat ato biznese që punësojnë të rinjtë. Duhet që të vendosim në qendër të politikave tona të rinjtë, si target grupi më vital dhe tek të cilët duhet të mbështetet e nesërmja e Shqipërisë.
Si i komentoni protestat studentore dhe kërkesat e tyre ndaj qeverisë? Qeveria në premtimet e saj ka lakuar vende të reja pune, reforma në arsim, ju si i komentoni politikat e ndjekura për të rinjtë?
Kjo qeveri ka 0.1 % buxhet për të rinjtë, kaq mjafton për të kuptuar sa periferike qëndron në konceptin e tyre qeverisës rinia. Protesta studentore ishte madhështore, pas 28 vitesh u rikthye një fllad lirie dhe qeveria u detyrua të zëvendësonte më shumë se gjysmën e anëtarëve të kabinetit. Kjo tregon se ajo është rrëzuar keqazi. Sa i takon premtimeve për ndryshime tek sistemi arsimor dhe punësime, këto bien poshtë pasi kjo qeveri është përgjegjëse për Reformën në Arsim dhe ata dhe vetëm ata janë përgjegjës për largimin e të rinjve nga vendi sepse nuk ka mundësi punësimi. Unë jam i bindur se shumica e të rinjve dhe shqiptarëve nuk besojnë më tek kjo qeveri dhe ka ardhur koha që ajo të largohet për ti hapur rrugë ndryshimeve të nevojshme në vend.
Më 16 shkurt është paralajmëruar protesta e madhe në kryeqytet. Çfarë pritet nga opozita?
Në 16 shkurt do të organizohet protesta më e madhe shqiptare. Unë për këtë jam i bindur. Kjo qeveri ka dështuar në thuajse gjithçka ka premtuar dhe nuk ka prodhuar asgjë nga premtimet e dhëna në fushatë. Rama premtoi 300.000 vende pune, ndërkohë 500.000 shqiptarë, kryesisht të rinj janë larguar nga vendi. Rama dhe qeveria e tij ka premtuar uljen e energjisë elektrike, heqjen e TVSH 20% për ushqimet e shportës, ruajtjen e aseteve natyrore, rikthimin e policisë në ruajtjen e rendit, rritjen e ekonomisë, shëndetësi falas dhe shumë gjëra të tjera por asgjë nga këto nuk ka ndodhur. Përkundrazi.
Shqiptarët nuk mund të presin më ndërkohë që disa oligarkë të lidhur me qeverinë zaptojnë çdo gjë. E ardhmja jonë është në rrezik dhe ne duhet të reagojmë tani. Protesta e 16 shkurtit është e njerëzve, është protesta e shqiptarëve dhe opozita do të jetë aty për të mbështetur cilindo që mendon dhe dëshiron një Shqipëri në Bashkimin Europian sipas standardeve më të mira.