T’u japim vend edhe fakteve madhështore, por edhe fakteve të turpshme në historinë tonë.
Kjo është histori « objektive », t’i lemë pasionet e mbështetura në zbukurimin e së kaluarës.
Vetëm këto dy shekujt e fundit kemi bërë gjëra heroike, por edhe gabime kolektive që i kalojmë ashtu shkarazi, “hajdutshe”, si vogëlima pa rëndësi
Cfarë do të na thoshte dikush nga jashtë nëse do të kishte vrojtuar veprimet tona historike?
Ja që mjaft shqiptarë në kohën e Luftës së Parë botërore pajtoheshin me qira si ushtarë në ushtritë e huaja që gjendeshin te ne dhe luftonin me njeri tjetrin për pesë kacidhe ora e luftës.
Po, ja që mijra shqiptarë nën udhëheqjen jo vetëm të Haxhi Qamilit minonin ngritjen e flamurit të pavarësisë.
Po ja që kishte pjesë të elitave politike, fetare, artistike që mezi prisnin pushtimin italian të vendit dhe që nuk bënë asnjë veprim kundër pushtuesve, veç mbretit që iku si zog.
Po ja që dhjetra deputetë shqiptarë, bij të « familjeve të mëdha », u bën pro-pushtues dhe shumë prej tyre vajtën në Itali dhe i dhuruan perandorit kurorën e mbretërisë shqiptare që u bë nën-mbretëri.
Po ja që parlamenti shqiptar pa pikë turpi i shpalli luftë Greqisë fqinje dhe historianët nuk e botojnë vendimin e tij fashist.
Po ja që gazetat kryesore në vitet 40, ishin pro Hitlerit dhe nazizmit dhe antiçifute ? Ne përkujtojmë që ne, si popullsi, jo si elita, i kemi mbrojur çifutët dhe kjo duhet të na bëjë të harrojmë gjithçka tjetër, edhe ndonjë mendësi të vockël genocidiste në mediat e kohës.
Po ja që pas Luftës së Dytë botërore, gazetat komuniste ishin sllavofilë, duke i quajtur kombet sllave si më të lartat, dhe antieuropiane?
Po ja që në konferencën e Parisit pas Luftës së Dytë botërore, Greqia donte të na shpërbënte, kurse Jugosllavia na mbronte. (Sigurisht për hesap të vetë, pse kot?)
Po ja që u dorëzuam serbëve gjithçka, me ushtri, me pare, me sekrete, me të gjitha duke u bashkuar de fakto dhe se po të mos ishte ai diktatori me mustaqe në Rusi, do të ishim bërë qytetarë të Maqedonisë. Askush nga ne nuk lëvizi.
Po ja që në kuadrin e traktatit të Varshavës u dhamë rusëve të drejtën që sa herë të donin të hynin ushtarakisht në Shqipëri madje pa pyetur kërkënd. Askush nuk tha jo.
Po ja që pati mijra shqiptarë që u bënë spiunë dhe kishe frikë të thoshe një fjalë se spiuni dëgjonte. Ku janë këta spiunët?
Po ja që aty nga vitet ‘60 e shekullit të kaluar u bëmë prapë me Titon nga frika e muzhikut që zbriti me tankse në Pragë dhe kosovarët ishin titistë?
Po ja që për 50 vjet jetonim me thërimet që na jepnin jugosllavët, rusët, kinezët?
Po ja që gërthisnim me histeri, rroftë ky e rroftë ai, në mitingjet masive të viteve ‘50 apo ’60 të shekullit të XX.
Po ja që mijra të rinj hipën në çatitë e kishave dhe xhamive në mesin e viteve ’60 duke ju hequr tjergullat, nuk e dini?
Shihni dokumentarët, ka plot.
Po ja qe merrnin nisma fshatshe e qytetshe për të ulur rrogat e vetvetes?
Po ja që donin ta fitonim jetën pa punuar, nuk e kishte fajin Sudja, dhe u bëmë si pinoku që mbolli lekët dhe prisnim të rriteshin si pemë.
Po ja që shitëm me dhi e katandi për të vendosur lekët në firmat piramidale e marrë interesa që në fakt ishin paret e komshiut.
Po ja që pasi u vramë me njerin tjetrin thirrëm në ndihmë kalabrezë, rumunë, turq, grekë që të na ndanin në vitin 1997 sepse po i hanim kokën njeri tjetrit.
Po ja që kurrë nuk kemi bërë zgjedhje të ndershme sepse sa herë dikush fiton tjetri e quan hajdut votash.
Po ja që nuk kemi industri dhe askush nuk shkon të punojë askund se i duket se është bërë vetëm për të qenë sociolog, historian, ekonomist, a pianist.
Po ja që si asnjë popull tjetër sado në vështirësi, morëm anijet dhe lamë pendët duke ikur sa më larg, larg, braktisur gjithçka.
Po ja që kemi vite dhe pasi ëndërruam me shekuj bashkimin kombëtar, tani me Kosovën, jemi si çift i ftohur në prag të divorcit ! Edhe kosovarët që vijnë në plazhet e Adriatikut dhe Jonit na rënden.
Po ja që gjithmonë kemi gjetur shpëtim duke u lidhur pas qerres të perandorive të mëdha, romake, osmane, austro-hungareze, ruse, kineze, etj.etj, dhe sapo kemi parë fundin e njerës, hop, jemi hedhur te gjiri i tjetrës, duke ndryshuar fe e besë masivisht.