Banorët akuzuan Ramën se ka urdhëruar hedhjen e lëndëve helmuese për të shpërndarë qytetarët në protestën e 16 shkurtit.
Banorët e Astirit kanë dalë në ditën e 107 të protestës duke bllokuar edhe rrugën nga ku kërkojnë anullimin e projektit të Unazës së Re, sepse sipas tyre, ai është korruptiv dhe dëmton shumë banesa dhe biznese.
Ata kanë përshëndetur vendimin e opozitës për të djegur mandatet e deputetëve duke thënë se ata tashmë kanë vendosur të jenë si qytetarët dhe më ytetarët.
Ata paralajmëruan se të enjtën do të jenë përpara Parlamentit për ti dhënë fund sistemit të Edi Ramës.
Në protestë ishte si çdo natë i pranishëm edhe deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu i cili tha se vendimi i sotëm i opozitës erdhi si rrjedhojë e qëndrimit të mazhorancës.
“Nuk kemi nevojë për imunite dhe mandate, mandatet i kemi në shesh me ytetarët. Askush nuk e pyet më Edi Ramën, sot vendosin qytetarët. Sot jam më krenar se kurrë më Partinë Demokratike sepse sot ne jemi njësh me qytetarët, jemi të gjithë njësoj”, – tha deputeti i PD-së.
Balliu i bëri thirrje kryeministrit Rama që të japë dorëheqjen pasi ajo që ka parë me 16 shkurt do ti duket lule në krahasim me atë që do të shohë ditën e enjte.
“Është koha që qytetarët të marrin parlamentin që ka vjedhur Edi Rama, dhe këtë do ta bëjmë të enjten, sepse është koha të ketë aty njerëz të lidhur me artin, librat dhe traditat e shoqërisë tonë dhe jo nga tradhëtarët e kombit. Nëse ky zotëria nuk jep dorëheqjen deri të enjtën ju takon juve të vendosni për fatin e qeverisë”, – tha Balliu.