Pa Republikën e re, do endemi si minj në çark!
———-
Katër gjëra megjithatë rrekem t’i kuptoj por nuk arrij ende t’a kap fillin:
E para, si është e mundur që krerët e partisë në pushtet merren me ushtruesit e dhunës para kryeministrisë ose me opozitarët në Kuvend, dhe nuk shohin mijra njerëzit që vijnë të shprehin pakënaqësinë e tyre nga ana e anës në kryeqytet! Po me këta si i bëhet hallit? Si studentët paskëshin halle të drejta kurse familjarët e tyre jo?
E dyta, si arritën krerët e opozitës ta lexojnë mesazhin e popullit protestues, oh sa legjitim! që ky mesazh ishte : “digjni mandatet!” Mund të jetë veprim i drejtë ose i gabuar, nuk më takon ta shpreh duke bërë parashikime në erë, por më mbetet misterioz fakti se me çfarë e lexuan mesazhin e elektoratit të tyre? Si e lexuan?
E treta, nëse një qeveri teknike do të jetë zgjidhja për zgjedhje të drejta, dhe mundet që ajo të jetë rruga, nuk i hy atij debati, si do të lihet një qeveri teknike me një kuvend ku të mos ketë deputetë nga të gjitha krahët. Do të ishte e frikshme një Shqipëri me qeveri teknike nëse pas nuk do të kishte një Kuvend mbështetës!
Qeveri teknike pa kuvend funksional???
Unë i druhem!!!
E katërta, po këshilltarët nëpër bashki a do t’i djegin mandatet, apo ata do të qendrojnë? Cfarë kuptimi ka që ata të qendrojnë nëse deputetët i lenë pendët Kuvendit!
Sa për mua unë i qendroj mendimit njësoj si para dy vitesh: Duhet REPUBLIKË E RE!
Pa lëvizur asnjë presje. Prej 15 vitesh argumentuar te libri im Shoqëria Periferike që shtëpia botuese PAPIRUS, po e riboton së shpejti!
Pa atë, pra pa një reformim rrënjësor të shtetit dhe vendosjen e një shteti të së drejtës, politika në gjendjen sikurse është nuk e nxjerr dot gomarin nga balta!
Përtej dështimit të një politike të caktuar, kemi edhe dështimin e të gjithë modelit të qeverisjes, të drejtësisë, të shkollës, të pronësimit, të të drejtave të njeriut, të shpërndarjes të pasurisë, të modelit ekonomik, etj., të të trija këtyre dekadave.
Nuk jemi budallenj të mos e shohim realitetin në sy!
Pa Republikë të re, do të vazhdojmë të rrotullohemi si minj të zënë në çark!