Vendimi i opozitës për të djegur mandatet parlamentare, solli reagimin e menjëherëshëm të ndërkombëtarëve.
Mes reagimeve, spikat veçanërisht, ai i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku thuhet se se ky “kërcënim” i partive opozitare për të djegur mandatet, minon demokracinë dhe se deputetët duhet të ngrihen mbi “sherret politike”.
Opozita, kur e ka shpallur vendimin për djegien e mandateve parlamentare, e ka shoqëruar atë me disa shpjegime, në thelb të së cilave, është fakti se qeveria e kryeministrit Edi Rama, ka blerë votat duke përdorur elementë të krimit të organizuar dhe është zhytur në disa afera korruptive, përballë të cilave drejtësia shqiptare ka mbyllur sytë. Por këto argumenta të opozitës, duket se janë injoruar, duke u etiketuar si “sherre politike”.
Por a janë ato vërtet të tilla?
Mjafton të dëgjosh përgjimet e prokurorisë shqiptare të publikuara në media, se si bisedojnë të zgjedhurit lokalë me kriminelët për vota dhe e kupton se akuzat për deformimin e zgjedhjeve, nuk janë haluçinacione të opozitës.
Me tej, mjafton të shohës mega skandalin me kompaninë fantazmë, DH Albania, një aferë korruptive, ku një kompani e regjistruar në SHBA, po përdorej për të pastruar paratë e korrupsionit, për të kuptuar se nuk është opozita ajo që po shpik fakte për zhytjen e shtetit në afera me përvetësimin e fondeve publike.
Mbi të gjitha, mjafton të shohësh se si prokuroria shqiptarë është totalisht e paralizuar përballë këtyre aferave, për të kuptuar se regjimi në të cilin jetojnë qytetarët shqiptarë, nuk është një demokraci dhe se çdo veprim i opozitës nuk ka se si ta minojë atë, përderisa ajo nuk ekziston.
Për të gjitha keto arsye, etiketimi i argumentave të opozitës, si “sherr politik”, do të thotë të paraqësesh me vetëdije një vizion shumë të shtrembëruar të realitetit.
Dhe shpjegimi për këtë është shumë i thjeshtë. Ndërkombëtarët, janë të interesuar që në këtë vend të ruhet stabiliteti, edhe sikur të bëhet fjalë për ruajtjen e stabilitetit në një regjimi kleptokratik, siç është ky i sotmi. Ndryshe nuk ka si shpjegohet, që ambasadori i nderuar, Luigi Soreca, të jetë shumë i shqetësuar për avancimin e reformës ne drejtësi, një reformë që po rezulton një fasadë ku drejtësia po kapet cdo ditë e më shumë nga një individ i vetëm, se sa për mungesën e legjitimitetit të një qeverie të dalë nga votat e blera.
Opozita shqiptare, do të vijojë të gjendet përballë një presioni të madh të përfaqësuesve ndërkombëtarë, për të braktisur nismën për djegien e mandateve. Nuk dihet nëse ajo do të jetë e aftë të rezistojë, por nëse e bën, ka një shans për të rrëzuar jo vetëm Edi Ramën, por edhe mitin e ndërkombëtarëve, i cili është lartësuar aq shumë në anët tona, sa të na bëjë të besojmë versione shumë të deformuara të realitetit, duke injoruar çdo ditë atë që shohim e dëgjojmë me sytë dhe veshët tanë.
/TPZ.AL/