Investimet në kënde lojërash kanë qenë në fokus të Bashkisë së Tiranës përgjatë viteve të fundit ku vetëm në vitin 2016 janë ndërtuar 26 të tillë. Kontrolli i Lartë i Shtetit në një raport të fundit ka marrë në analizë pikërisht mënyrën sesi janë bërë këto investime nga ana e institucioneve përgjegjëse, kushteve që plotësojnë këto kënde në aspektin e sigurisë dhe mënyrës si janë konceptuar por edhe pjesa e mirëmbajtjes. KLSH vlerëson se në një pjesë të mirë këto kënde nuk përfaqësojnë kushtet dhe praktikat e mira.
“Që nga momenti i krijimit, APR(Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit), pavarësisht përpjekjeve, nuk ka vepruar në mënyrë efiçiente me qëllim identifikimin e prioriteteve kryesore sa i takon planifikimit, ndërtimit dhe mirëmbajtjes së parqeve rekreative, veçanërisht për këndet e lojërave.
Prej vitit 2016 janë ndërtuar 26 kënde lojërash të rinj, një pjesë e konsiderueshme e të cilave, nuk plotësojnë kushtet dhe kriteret e praktikave më të mira. Gjithashtu janë evidentuar kënde lojërash ekzistues të cilat janë plotësisht të amortizuara dhe nga ana e APR-së nuk është marrë asnjë iniciativë për riparimin dhe kthimin e tyre në gjendje funksionale” thuhet në raportin e KLSH.
I njëjti raport nënvizon se nga ana e Bashkisë nuk është bërë ndonjë planifikim apo strategji afatmesëm apo afatgjatë që të përfshijë parqet rekreative apo këndet e lojërave.
“Nuk ka një studim lidhur me identifikimin e hapësirave të përshtatshme për ngritjen e këndeve të lojërave, në raport me shpërndarjen e popullatës. Nuk janë hartuar procedura për facilitetet në realizimin e objektivave politik dhe interesave zhvillimin e këndeve të lojërave, të cilat përcaktohen në rregullore. Bashkia Tiranë nuk monitoron veprimtarinë e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit si një institucion që ka në varësinë e saj” thuhet në raport.
KLSH ka lënë si detyrë që nga ana e Bashkisë së Tiranës të hartohet dhe miratohet një Plan Strategjik Institucional minimalisht 3-5 vite si dhe të ngrihet një grup pune me synimin e studimit të hapësirave publike që do të jenë në funksion të komunitetit. Raporti vlerëson se nuk janë miratuar standarde për këndet e lojërave nga Drejtoria e Përgjithshme e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit.
Ato nuk janë projektuar sipas ndonjë manuali standardesh. Edhe për këtë pjesë KLSH ka rekomanduar që Bashkia Tiranë në bashkëpunim me Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme me qëllim hartimin dhe miratimin e standardeve për projektimin dhe ndërtimin e këndeve të lojërave.