Deri më tani, SHBA dhe BE janë treguar të prera në qëndrime, por vëmendja është sidomos tek Berlini. Në një shkrim të portalit të krijuar nga gazetarë dhe blogerë të njohur të së djathtës gjermane, thuhet se Edi Rama është drejt fundit, njësoj si Nicolas Maduro.
Protestat masive të opozitës dhe djegia e mandateve nga deputetët e saj kanë tërhequr vëmendjen e portaleve, gazetave dhe televizioneve jashtë vendit.
Më i fundit në rradhë është portali pranë të djathtës gjermane, “Freie Welt”, i themeluar nga gazetarë dhe blogerë të njohur, në një artikull të saj ku flitet për zhvillimet e fundit në Shqipëri, shkruan se, “Edi Rama është drejt fundit, njësoj si diktatori i Venezuelës, Nicolas Maduro”.
“Freie Welt:
“Në Amerikën e Jugut, regjimi socialist i Nicolas Maduros është drejt fundit. Maduro po mbahet në pushtet vetëm me dhunë. Edhe në Evropë, një regjim socialist po shkon drejt fundit. Në Shqipëri duket se janë orët e fundit në detyrë për kryeministrin Edi Rama. Gjithmonë e më shumë njerëz po dalin në rrugë në kryeqytetin e vendit duke kërkuar dorëheqjen e tij. Një aleancë e gjerë e forcave opozitare nga të gjitha kampet politike është mobilizuar kundër Ramës. Fundjavën e kaluar, demonstruesit sulmuan edhe selinë e Ramës. Vetëm duke përdorur masivisht gaz lotsjellës dhe granata të përziera, forcat e sigurisë e morën sërish situatën nën kontroll.
Edhe në nivelin politik, opsionet e Ramës po mbarojnë. Shumë deputetë të opozitës kanë dhënë dorëheqjen nga parlamenti shqiptar. Kështu ka dalë jashtë funksionit edhe parlamenti. Megjithatë, ky hap kritikohet nga përfaqësuesit e BE.
Shqipëria është një vend kandidat për pranimin në BE dhe negociatat duhet të fillojnë këtë vit, ndërsa nga ana e BE është bërë thirrje për dialog konstruktiv.
Opozita në Shqipëri ka një tjetër pikëpamje: Rama duhet të japë dorëheqjen. Qeveria e tij është e korruptuar dhe ka lidhje me krimin e organizuar një qeveri ekspertësh duhet të formohet menjëherë, për ta stabilizuar vendin dhe për të organizuar zgjedhje të reja. Protestat nuk do ndalen deri në dorëheqjen e Ramës”.